Blerina Gjylameti: Shqipërinë e gjetëm në kaos, Opozita të mos mbrojë shkelësit
Intervistoi: Aranit Muraçi
Blerina Gjylameti fitoi mandatin e deputetes, nën siglën e Partisë Socialiste, në momentin më të mirë që mund të ketë përjetuar ndonjëherë kjo forcë politike. Në zgjedhjet e kaluara të 23 qershorit, e majta shënoi një ndër fitoret më të mëdha në historinë e saj, që pas rënies së komunizmit, duke u rikthyer në pushtet pas tetë vjetësh opozitë. Gjylameti mund të konsiderohet pjesë e frymës së re, që kryeministri Edi Rama i dha partisë, para se të vinte në pushtet. Përveç se deputete, Gjylameti është edhe pedagoge e Fakultetit Ekonomik, në Universitetin e Tiranës. E diplomuar në Itali, pas kthimit në Shqipëri, përvoja e saj e re si parlamentare rrëfehet në këtë intervistë për “Koha Jonë”, mbi problemet pa fund, që po has maxhoranca aktuale, çdo ditë e më shumë, për t’i zgjidhur sa më parë:
Prej më shumë se një viti në politikë, si deputete e Partisë Socialiste. Çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj, tashmë si parlamentare?
Angazhimi politik të ndryshon thelbësisht jetën, në përditshmëri. Në një anë shumë impenjime publike, përgjegjësi që e tejkalojnë personalen, fokus tek zgjedhësit dhe interesat e tyre, që duhen përfaqësuar në nivelin më të lartë të mundshëm dhe në anën tjetër, shumë pak kohë për familjen, që shoqërohet edhe me një ndjenë faji ndaj bashkëshortit dhe djalit, për të gjitha momentet e munguara. Një vit i ngarkuar me shumë punë, lodhje, emocione, por besoj dhe me arritje të rëndësishme.
Cili është dallimi mes qeverisjes së majtë, që kryesohet nga Edi Rama dhe së djathtës që ishte për tetë vite në pushtet?
Një vizion komplet ndryshe, nga rrënimi i një shteti dhe lënia në mëshirë të fatit me politika të mbrapshta e të papërgjegjshme, në fuqizim dhe funksionim të shtetit ligjor të denjë për një vend, që aspiron të jetë pjesë e BE-së. Reforma të rëndësishme të paimagjinuara kurrë më parë, që nuk po u japin thjesht zgjidhje problemeve që hasin qytetarët shqiptarë, por mbi të gjitha ka strategji të hartuara qartë për ndërtimin e të ardhmes së fëmijëve tanë.
Ajo që presin shqiptarët nga çdo qeverisje, së cilës i besojnë votën është së pari, që ajo t’u sjellë më tepër mirëqënie. A mendoni se është ekonomikisht më mirë tani Shqipëria, se një vit më parë?
Shqipëria ka bërë progres përsa i përket zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm me politika nxitëse dhe orientuese, drejt investimeve në ata sektorë kyçe të ekonomisë, si edhe duke i dhënë frymëmarrje biznesit, falë shlyerjes së borxheve të krijuara ndër vite nga qeverisja e shkuar, që nxitonte të priste shirita elektoralë pa marrë parasysh nëse mund t’i paguante apo jo, pa marrë parasysh që këto biznese nuk mund të paguanin më punëtorët e tyre, e me radhë, që punëtorët nuk mund të paguanin listat e gjata të borxheve në dyqane. Shqiptarët janë më mirë se një vit më parë, pasi ne e mbajtëm premtimin për uljen e taksave për 97% të tyre, hoqëm taksat për biznesin e vogël dhe kjo është shumë e rëndësishme për një ekonomi si e jona, që karakterizohet më së shumti nga biznese të vogla apo të mesme. Nxitëm prodhimin vendas me skema subvencionimi, ndryshuam skemën e TVSH-së me lehtësime fiskale për biznesin e madh, si edhe lehtësira për biznesin fason. Për herë të parë buxheti u rishikua me rritje, pra u realizuan më shumë të ardhura se parashikimet. Ekonomia shqiptare po rimëkëmbet dhe kjo falë punës të palodhur të të gjithëve, duke nisur nga ata që hartojnë politikat dhe deri në hallkën më të ulët të zbatimit të tyre.
Një prej kolegeve tuaja, Luiza Xhuvani, dha dorëheqjen ditën e ngjarjes së rëndë në Tiranë, ku u vranë katër persona dhe ku ishte i përfshirë direkt djali i saj. Ju si kolegia e saj në Parlament, çfarë mesazhi do të jepni mbi këtë ngjarje?
Së pari, ngushëllime familjeve të viktimave. Së dyti, besoj se duhet vlerësuar gjesti i Luizës dhe se drejtësia duhet të thotë fjalën e saj. Nuk është hera e parë që ndodhin ngjarje kaq të rëndë në Shqipëri, por besoj se është hera e parë që standardi është i njëjtë pavarësisht postit që mbajnë prindërit.
Aksionet mbi vjedhjen e energjisë elektrike, ndërtimet pa leje, qarkullimin rrugor, nuk po gjejnë përkrahjen e Opozitës. A kanë kosto këto reforma, kush i përballon ato, dhe pse janë lejuar fenomene të tilla? Mos duhet që më parë përgjegjësit, nëse ka, të japin llogari?
Kaosi i krijuar në Shqipëri prej shumë vitesh ka krijuar një mentalitet, ku kush respekton ligjin dhe i përmbahet detyrimeve që rrjedhin prej tij, përballen me arrogancën e atyre që nuk e respektojnë atë. Kësaj ne i dhamë fund. Askush nuk mund të dalë mbi ligjin dhe të gjithë duhet të përgjigjen për shkeljen e tij. Opozita duhet të mbajë përgjegjësi për çfarë ka lejuar të ndodhë në Shqipëri, ku fatura e krimit ekonomik që ka shkaktuar do të vazhdohet të paguhet edhe nga fëmijët tanë dhe mbi të gjitha të mos përkrahi ata që e shkelin atë. Në 300 ditë ne arritëm të zhbënim kulturën e pandërshkueshmërisë dhe kjo falë punës intensive të forcave të rendit dhe të gjithë aktorëve të tjerë, por për fat të keq e gjitha kjo nën trysninë e paimagjinueshme të Opozitës. Ndërhymë dhe shkatërruam plantacione me mariuhanë, e hoqëm emrin e Shqipërisë nga lista e zezë e narko-trafikantëve, vazhdon operacioni për lirimin e hapësirave publike dhe rikthimin e tyre në funksion të qytetareve, vazhdon operacioni kundër vjedhjes të energjisë elektrike ku çdo vit buxhetit të shtetit i vidheshin 150 milionë Euro, të cilat mund dhe duhet të përdoreshin për të përmirësuar Arsimin, Shëndetësinë, sigurinë… Prioritet është rikthimi i sigurisë në rrugë, ku në një vit janë ulur aksidentet me pasojë vdekjen me 40%. Përgjegjësit janë ata që vazhdojnë të përkrahin herë kultivuesit e drogës, herë zaptuesit e hapësirave publike dhe herë vjedhësit e energjisë elektrike.
Korrupsioni, sipas perceptimit të opinionit publik, prek çdo institucion. A është e drejtë mbrojtja që i bëhet gjyqtarëve, prokurorëve, mjekëve, profesorëve, zyrtarëve të lartë, se rrogat e tyre nuk mjaftojnë dhe deri diku mbetet i justifikueshëm një fenomen i tillë? Si e shihni kontrastin me këtë kategori dhe atë të mijëra qytetarëve të tjerë, të arsimuar brenda edhe jashtë vendit, që nuk gjejnë dot një vend pune?
Reforma në drejtësi është prioritet i vitit të dytë të qeverisjes. Është e papranueshme të mendohet, që një pagë e ulët të legjitimojë korrupsionin. Të gjitha ato profesione që ju përmendët, kanë ndikim direkt në jetën e qytetarëve. Korrupsioni nuk e bën gjyqtarin më të drejtë në vendimin e tij, nuk e bën prokurorin të drejtë në arsyetimin e tij, nuk e bën profesorin më të përkushtuar ndaj studentit të tij, apo nuk e bën mjekun më të kujdesshëm ndaj pacientit. Korrupsioni është një plagë e madhe dhe me kosto shumë të rënda për shoqërinë dhe prandaj ne jemi të vendosur së bashku me partnerët tanë, ta luftojmë në çdo hallkë dhe qelizë të tij.
Janë njerëzit ata që bëjnë ndryshimin. A janë vlerësuar dhe a po vlerësohen si duhet më të talentuarit në Shqipëri, apo ata që duan të punojnë me ndershmëri. Si e shihni konkurrencën në burime njerëzore, mes vendit tonë dhe vendeve të tjera të rajonit?
Padyshim që njerëzit sjellin ndryshimin, për këtë jemi të vetëdijshëm. Ajo çfarë mund t’ju them, si shumë të rëndësishme, është që orientimi dhe menaxhimi i burimeve njerëzore të jetë sa më afër prioriteteve të qeverisë apo kërkesave të tregut. Për më tepër duhet të kujdesemi, që t’i gjejmë vendit të punës personin e duhur dhe jo t’i gjejmë personit një vend pune. Në eksperiencën time, në fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës mund t’ju them se ka pasur shumë studentë që kanë pasur rezultate të shkëlqyeshme. Mendoj se studentë të talentuar pavarësisht problemeve të sistemit Universitar në këto vite ka pasur jo pak. Sfida është të shfrytëzojmë ashtu siç duhet energjitë e reja, aty ku duhet. Nuk mendoj se ka shumë diferenca mes nesh edhe vendeve të rajonit por, ne këtë e dimë mirë, dhe për këtë po kujdesemi çdo ditë e më shumë. Nuk mund të themi dhe të pretendojmë që kemi administratën më produktive, por Reforma e DAP dhe punësimi në administratë nëpërmjet konkurseve do të risë konkurueshmërinë dhe do të vlerësojë meritën.
Keni studiuar në Itali, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë. Pse nuk keni preferuar të studioni në Shqipëri, përderisa djali i një politikani italian (Bossi) preferoi studimet në vendin tonë dhe u diplomua fare lehtë në një universitet që nuk ekziston më?
Jam larguar nga Shqipëria në vitin ’98, vetëm 7 vite pas rënies së regjimit Komunist, ku baza kryesore ishte Ekonomia Politike e centralizuar dhe Universitet Shqiptare ishin akoma në fazë tranzicioni, ku edhe vetë pedagogët shkonin për të marrë eksperiencë dhe për të përshtatur kurrikulat për ekonominë e tregut. Nuk e di historinë e djalit të Bosit, por ne që kemi studiuar jashtë, nuk e kemi pasur aspak të lehtë për të arritur rezultate dhe vlerësime të larta.
Shumë nga pedagogët dhe ata që drejtojnë sot Arsimin e Lartë, por dhe atë parashkollor në Shqipëri janë shkolluar gjatë regjimit komunist. A duhet besuar se regjimi i kaluar ishte më i drejtë në vlerësimin ndaj dijes, krahasuar me 24 vitet e fundit?
Sikundër e përmenda edhe më lart politikat e papërgjegjshme në arsim, në mënyrë të veçantë të 8-vjeçarit të shkuar kanë shkatërruar një sistem, i cili u kthye në një biznes letrash të marketuar si sukses i qeverisë Berisha. Prandaj ne i thamë “stop” prodhimit të diplomave pa vlerë duke mbyllur dhe pezulluar të gjitha ato universitete, që nuk plotësonin kriteret. U skanuan burimet njerëzore të arsimit parauniversitar ku brenda muajit dhjetor do të largohen të gjithë ata mësues që nuk kanë arsimin përkatës dhe janë jashtë profilit. Jemi të vendosur të ndryshojmë tashmen për të ndërtuar të ardhmen europiane të fëmijëve tanë