Bloomberg, një kandidat i mundshëm surprizë për Shtëpinë e Bardhë

Nga Eduard Zaloshnja

Fitoret e Donald Trump-it dhe Bernie Sanders-it në primaret e New Hampshire-it (i pari në garën e Partisë Republikane dhe tjetri në garën e Partisë Demokrate),  as që mund të mendoheshin kur filloi fushata e kandidatëve për presidencën amerikane. Por përkundrejt çdo pritshmërie, kripto-fashisti Trump fitoi primaren e parë republikane dhe kripto-marksisti Sanders atë demokrate. Pas këtyre fitoreve, probabiliteti që këta kandidatë të ekstremeve të përballen me njëri-tjetrin në nëntor, për të fituar të drejtën për të qeverisur Amerikën, nuk është më i vogël.

Por a do të mbeten vetëm këta të dy në garën e nëntorit? Sipas Financial Times, një kandidat i pavarur ka qenë në pritje të rezultateve në New Hampshire – ish-kryebashkiaku i New York-ut, milarderi Michael Bloomberg. I njohur për qeverisje dhe bindje centriste, ai ka shumë mundësi të futet në garë si i pavarur, në qoftë se garat brenda dy partive kryesore i fitojnë ekstremistët Trump dhe Sanders.

Pavarsisht fitoreve të bujshme të Trump-it dhe Sanders-it në primaret në New Hampshire, të cilat mund të ndiqen nga fitore të tjera të bujshme në shtete të tjera, nuk duhet harruar se pjesmarrja më e lartë në primaret e SHBA-ve ishte ajo e vitit 2008 – vetëm 18% e elektoratit… Ndërsa në nëntorin e atij viti, mori pjesë në zgjedhje plot 60% e elektoratit. Pra, në primaret, marrin pjesë ekstremet e elektoratit, si majtas edhe djathtas. Ndërsa pjesa më e madhe, ajo e qendrës, merr pjesë vetëm në zgjedhjet e nëntorit – kur vetëm një njeri fiton të drejtën të qeverisë SHBA-të.

Pikërisht këtë pjesë të elektoratit të qendrës do të mundohet të bindë centristi Michael Bloomberg, në qoftë se futet në garë. Dhe ai duket se do të futet në garën presidenciale si i pavarur, vetëm në qoftë se kripto-fashisti Trump fiton përfundimisht garën brenda Partisë Republikane dhe kripto-marksisti Sanders fiton përfundimisht garën brenda Partisë Demokrate.

SHKARKO APP