Bomba e harruar e Maqedonisë
Nga Dritan Hila
Nëse ngjarjet në fshatin Goshnicë, ku një komando me shenjat e UÇK-së mori peng një postë policore maqedonase, janë shenjat se një lëvizje e re e armatosur e shqiptarëve të Maqedonisë po kristalizohet, apo kjo është sajesë e shërbimit sekret maqedonas, kjo ka pak rëndësi. Fakt është që situata atje është e fermentuar. Në qofshin shqiptarë, atëhere po ndodh rrëshqitja e pakënaqësisë së pakicës nga shtëpitë në rrugë e tani tek armët. Në qoftë sajesë e inteligjencës maqedonase, ngjan se Gruevski kërkon të heqë vëmendjen nga skandali i përgjimeve dhe relativizojë kritikat perëndimore për autoritarizmin e tij gjithnjë në rritje, por duke luajtur me një detonator të rrezikshëm siç është pakënaqësia e shqiptarëve.
Sikur Gruevski të ishte shefi një vendi etnikisht homogjen, problemet e tij do të ishin të ngjashme me ato të shumë vendeve lindore. Autoritarizë, përgjime, mospërfillje në ndarje pushtetesh, janë fenomene të përhapura në gjithë lindjen. Rrjedhimish pa pasoja rajonale. Por kur të drejtat e njeriut nuk aplikohet në një vend multietnik, kjo nga problem demokratik, kthehet në problem nacional. Kur shantazhimi, korruptimi apo mospërfillja e përfaqësuesve politikë të një fashe të popullsisë, e cila korespondon me elementë shtetformues, kjo nga problem standartesh demokratike, kthehet në shtypje kombëtare të kësaj popullsie. Dhe këto janë vetëm dy nga problemet që Gruevski ka krijuar. Nëse shkojmë më tej, do të shohim represionin e kamufluar ndaj pakicës shqiptare. Duke filluar nga Shkupi. Kush ka vajtur së fundmi në atë qytet, konstaton se nuk është më qyteti gri i vetadmministrimit jugosllav, por imitim i shëmtuar perëndimor. Fasadat e ndërtesave po rivishen në stilin neoklasik, barok apo esencialist, për të dhënë idenë e qytetit historik. Përpara tyre janë vendosur statuja të cilat duken të dala nga i njëjti kallëp fonderie. Niveli artistik është mëse mediokër. Por shumica e tyre janë provokim politik: mësues apo filozofë që pretendohet të jenë rrënja e identitetit të ri maqedonas, të hypur mbi kuaj, që drejtojnë dorën drejt horizonteve si orientim i armatave fantazëm që nuk i patën kurrë e që mbase as i aspiruan ti kishin. Dhjetra statuja që rrinë mbi ura, nga të cilat vetëm tre janë për shqiptarë, kërkojnë të jenë dëshmitare të një identiteti maqedonas. Të shkosh tek statuja e shproporcionuar e Aleksandrit të Madh, duhet të kalosh nën një hark, imitacion i atij të Triumfit në Paris, por që nuk ka mbi vete asnjë betejë historike të gdhendur. Ata që sot janë maqedonas, ju njihet vetëm një kryengritje, ajo e Ilindenit. Shkupi ka qenë një qytet shqiptar, ku asgjë e sotmja nuk ta thotë këtë, dhe kjo është provokim i hapur.
Në jetën politike, shumica maqedonase ka ngritur një sistem të tillë, i cili është shembull sesi pakica mund të margjinalizohet. Aty ku shqiptarët janë pakicë, ligje të caktuara e kthejnë gjendjen e tyre në aparteid, të cilat pushteti lokal maqedonas i zbaton me "rigorozitet". Dhe kjo ndodh edhe me bashkëpunimin e përfaqësuesve politikë shqiptarë. Aty ku shqiptarët janë shumicë, ligje që do ti kishin zili edhe vende me demokraci të konsoliduar sa ju takon të drejtave të pakicave, ju mundësojnë maqedonasve që janë kompakt politikisht dhe me ndihmesën e pushtetit qëndror në Shkup, të mbizotërojnë në jetën politike dhe rrjedhimisht edhe atë ekonomike. Shqiptarët kanë emigracionin më të madh dhe janë kontribuesit kryesorë në valutë të një shteti i cili të nxjerr mallin e ish Jugosllavisë, por kjo nuk reflektohet në të drejtat e tyre.
Fajtor për këtë gjendje është edhe shteti shqiptar. Eshtë e kuptueshme që një shtet si yni, me problemet politike dhe prapambetjen ekonomike, nuk mund të bëjë rolin e liderit në rajon. Aq më shumë kur Maqedonia ka mbrojtjen amerikane si një "shtet guzhinetë" në pikën ku përplasen interesat shqiptare, bullgare, serbë dhe greke. Por kjo nuk i fal tolerancën që ka ndaj shtypjes së të drejtave të tyre. Dhe kjo fillon që nga ambasadorët, ku krahas përfaqësimit të interesave të Shqipërisë, nuk duhet të harrojnë që janë edhe mbrojtës të interesave të shqiptarëve aty më shumë se BDI dhe PDSH.
Maqedonia është në prag të shpërthimit. PDSH dhe BDI, e kanë humbur instiktin politik për të cilin erdhën në jetë. Lëvizje të reja si "Besa", po kërkojnë të nxjerrin përfaqësimin politik shqiptar nga bataku ku ka rënë, dhe të mbajë dufin shqiptar brenda institicioneve. Shkrimtarë si Kim Mehmeti, kanë kohë që paralajmërojnë se vendi është kthyer në partitokraci të pandjeshme ndaj nevojave të qytetarëve. Ndërkohë Tirana zyrtare mendon se i ka kryer qokat e saj patriotike, me fotot që bën me Thaçin e Ahmetin. Por në vazhdoftë gjatë kjo indiferencë dhe qeveria e Tiranës vazhdon e dëgjon "ekspertët" e importuar nga ish Jugosllavia , atëhere sulmi mbi stacionin policor të Goshnicës nga butaforik, nuk do vonojë të kthehet në përpjekje të dhunshme e përgjakshme. Atëhere nuk do të kenë më rëndësi fjalët.