Bomba mes shalëve
Nga Ilir Levonja – Duke u sjellur në ngjarjet e Kosovës. Ashtu vëzhgues. Ashtu përciptas…, pasi më tërhoqi vëmëndjen që një grua deputete kishte kyçur shtegun magjik me një bombë gazi lotësjellës. Bash aty në Kuvendin e burave, jo burrave, të Kosovës. Ndërsa një tjetër, një grua idealiste… shkonte deri në Kavajën e blertë. Nga një pranverë e parakohëshme. Një poete me emrin Flora Brovina.Thjesht për instiktin e idealit të saj. Thjesht të nderojë një komandant që ra në luftën e Kosovës. Komandant Carën ose Komandant Kavaja…
Ashtu e vetme, pasi shqiptarët qeveritarë janë shumë të zënë në zgjedhje partie. Në të njëjtën kohë, dëshmorët i nderojnë me grusht, jo me lule. Pastaj sikur nuk ia vlen, që një i vetëm, nga Kavaja. Shkon e lë Londrën për tu vrarë në Kosovë.
Në kokë vlon një pyetje e ashpër.
Çfarë i ofron Shqipëria mëmë, pjesës së epërme të saj, Kosovës. Këtyre ditëve plot dhunë, plot gaz lotësjellës.?
Dhe rezultatet ishin… (Edhe pse në webet e Kosovës) brohoritjet e 750 studentëve që përmbysën diktaturën komuniste. Debatet e ndërsjella se çfarë ishte greva. Çfarë solli? Ku ndodhet sot në të vërtetë Shqipëria etj. Fryma e interpretimit është po njësoj, e kohës kur ishin 250 petrita. Çfarë tjetër? Se si një topseksi a show girl, një amerikane me origjinë armene, flet shqip. Dhe se si një shqiptar kënaqet duke i thënë marshallah.
Çfarë tjetër? Analistët e Shqipërisë mëmë që, dominojnë editorialet me luftën e ashpër të Blushit me klanin Rama në Ps. Bashkim Finon që tund një postulat ideollogjik, Blushi bën luftën e armikut.
Çfarë tjetër…, i ofronte Shqipëria mëmë Kosovës, pjesës së saj të epërme? Grishjen e lodhur të kryeopozitarit që i kujtonte qeveriut se do ta tërhiqnin atë zvarrë. Njësoj si sot e njëzetë e pesë vite më parë, diktatorin Enver Hoxha. Ndërkohë që ka në kabinetin e tij disa djem nga soji i nomeklaturës. Dhe çuditërisht ata e shajnë më shumë bllokun. Atë e shpikën luftën e shenjtë me bijtë bllokmenë.
E bën me zë të ngjirur. Madje i kujton prejardhjen, si bir i bllokut.
Në fakt çfarë tjetër mund të ofrojë Shqipëria, për Kosovën?
Ndofta i duhet sërish një gjëndje e amullt në pjesën e epërme të saj. Për ndonjë përfitim nga fushatat e shpërnguljeve masive.
Ka gjithmonë miell. Sidomos kur e ofron bota.
Ndofta politikën paqtuese të atdheut mëmë, po e kryn më së miri Komuniteti Europian. Se Shqipëria e ka punën e saj, rreh gjoksin dhe vetëm përkujton data me lëvdata dhe brohori.
Çfarë t’i afrojë Shqipëria, Kosovës?.
Ajo vjen nga një e kaluar e tillë. Aleancash me mikun e armikut. Nga një radhitje kampesh për të bërë botën socialiste. Nga lufta e klasave.
Ndërkohë sot është e gjitha një rrëfenjë. Një përmbledhje e së shkuarës së saj. Se si qyteteve provinciale, dikur …, mbrëmjeve baballarët shkëmbeheshin në bulevard duke nderuar me grusht. Sot bijtë janë shpërndarë. Ose kanë shëmbur diktaturën, ka rrëzuar Enverin, madje vazhdojnë të pushtetojnë duke sharë, vrarë e tërhequr zvarrë Enverin. Duke ndërtuar minidiktaturat e tyre. Duke shpërndarë dekorata. Ata që sot hiqen si armiq të përbetuar të diktaturës.
Çfarë i ofron Shqipëria Kosovos verdhë e blu…, kurrgjë. Ose ca kontrabandë bombash gazi lotësjellës. Ca shtresa njerëzish që nderojnë vetëm me grusht.