Bonot e thesarit, rregulla të reja për ankandet
Banka e Shqipërisë ndryshon procedurat e deritanishme për ankandet e bonove të thesarit. Kështu, ajo i largon individët nga sportelet e saj dhe i drejton tek bankat e nivelit të dytë për të tërhequr kuotat e interesave nga të tilla ankande. Një fakt i tillë është bërë me dije nga vetë drejtuesit aktualë të institucionit qendror bankar në vend, përmes një njoftimi të posaçëm, i cili detajon sesi ata do të veprojnë tani e tutje. “Duke filluar nga data 19 janar 2015, Banka e Shqipërisë ka aplikuar dy ndryshime në rolin e saj si ndërmjetësuese e investimeve të individëve në bono thesari, duke eliminuar veprimet në cash të individëve”, citon ky njoftim. Duke shtuar më tej se gjithsesi, kërkesa për pjesëmarrje në ankand përsëri do të vazhdojë të dorëzohet pranë Bankës së Shqipërisë. E gjitha kjo, përkthehet ndryshe në praktikë se nuk do të ketë më veprime në cash të individëve në Bankën e Shqipërisë, porse ata duhet që të hapin llogari të posaçme në bankat tregtare, ku të tërheqin kostot e transferimit të parave nga bankat e nivelit të dytë drejt saj. Konkretisht, sipas BSH-së, tashmë fondet që individët duan të investojnë në bonot e thesarit derdhen pranë bankave tregtare në një llogari të veçantë, duke shmangur kështu transferimin e tyre për në Bankën e Shqipërisë. Pra, të gjithë ato që duan të investojnë në bono duhet të kenë një llogari të posaçme në një nga bankat e nivelit të dytë dhe nuk do të bëjnë transferta nga llogaritë e tyre të kursimit. Në këtë mënyrë, ulen kostot e transaksionit të parave nga llogaria bankare drejt asaj të bonove në bankën e Shqipërisë dhe kosto e vetme mbetet mirëmbajtja e llogarisë, rreth 150 lekë në muaj në llogarinë e posaçme në bankë. Gjithashtu, deri vonë interesat(yeildi) i fituar nga investimi në bono tërhiqej në Bankën e Shqipërisë rreth 7 ditë pas daljes së rezultatit të ankandit ndërsa tashmë rezultati i investimit(të ardhurat nga interesi-yieldi) pas mbylljes së ankandit do të merret në bankën tregtare, ku individi ka llogarinë dhe jo më në sportelet e Bankës së Shqipërisë. Dhe në fund, ky institucion informon se sporteli i saj në Tiranë për kryerjen e veprimeve me bonot e thesarit është zhvendosur në adresën: Rruga e Dibrës, Kompleksi “Halili”, Kulla A, Kati II.
NDRYSHIMET
a)Fondet që individët duan të investojnë në bonot e thesarit derdhen pranë bankave tregtare në një llogari të veçantë, duke shmangur kështu transferimin e tyre për në Bankën e Shqipërisë.
b) Rezultati i investimit pas mbylljes së ankandit do të merret në bankën tregtare, ku individi ka llogarinë dhe jo më në sportelet e Bankës së Shqipërisë.
ANKANDI
Tkurren bonot,
nuk plotësohet
shuma e kërkuar
Tregu i bonove të thesarit po shfaq vështirësi në rritje të qeverisë për të siguruar borxhin e planifikuar në tregun e brendshëm. Konkretisht, në ankandet e të martës nuk u arrit të sigurohej e plotë shuma e shpallur, si për bonot 12-mujore, ashtu edhe për ato 3-mujore. Nga 15.9 miliardë lekë gjithsej të shpallura për financim, u siguruan vetëm 13.3 miliardë lekë. Kjo tregon se sistemi financiar dhe sidomos bankat nuk kanë më të njëjtën predispozitë për të rritur investimet në titujt e qeverisë. Huamarrja e lartë e viteve të fundit ka thithur shumë prej fondeve të lira sistemit bankar. Sot bankat kanë më pak teprica likuditeti, edhe për shkak të frenimit në rritjen e depozitave. Përmirësimi i ngadaltë i kredisë dëshmon gjithashtu se bankat po marrin më shumë rreziqe në investime me kthim më të lartë, përmes huadhënies për sektorin privat. Pothuajse e gjithë rritja e kredisë për ekonominë ka ardhur në monedhën vendase, fakt që dëshmon se bankat po gjejnë më shumë alternativë në huadhënie. Ndryshimi i raporteve mes kërkesës dhe ofertës gjatë muajve të fundit sidoqoftë ende nuk ka sjellë rritje drastike të interesave. Në ankandet e të martës, bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 3.54%, në rritje të lehtë nga niveli 3.51% i ankandit paraardhës. E papërfillshme ishte edhe rritja e interesave në ankandin e bonove 3 mujore, në 3.23%, nga 3.22% në ankandin e mëparshëm.