Borxhet ndaj biznesit, Financat: Kemi shlyer 17.6 miliardë lekë
Ministria e Financave ka alokuar në total rreth 17.6 miliardë lekë detyrime të prapambetura. Gjithsej për vitin 2015 janë planifikuar të shlyhen 20 miliardë lekë detyrime të prapambetura. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në kuadër të strategjisë, deri në 20 tetor 2015, janë alokuar në total rreth 17.6 miliardë lekë detyrime të prapambetura, nga të cilat janë shlyer/paguar 15.8 miliardë lekë, duke arritur një shkallë realizimi 90%..
Sipas të dhënave, për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për investime janë alokuar rreth 6.2 miliardë lekë nga të cilat janë paguar 5.6 miliardë lekë, me një shkallë realizimi prej 91%. Për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për mallra dhe shërbime janë alokuar rreth 374 milionë lekë nga të cilat janë paguar rreth 252 milionë lekë me një realizim në masën 68%. Në këtë kategori, sipas Financave, vlen të theksohet se kemi të bëjmë me një numër shumë të madh faturash (krahasuar me numrin e faturave të klasifikuar sipas kategorive të tjera) dhe që kërkojnë një kohë më të madhe të përpunimit të tyre.
MF bën të ditur se për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për rimbursimin e TVSh, Tatim Fitimit dhe Akcizës janë alokuar rreth 5.7 miliardë lekë nga të cilat janë paguar rreth 5.3 miliardë lekë me një realizim në masën 91%. Në këtë masë realizimi ndikon fakti se subjektet/individët përpara se të përfitojnë vlerën e detyrimit të prapambetur, duhet të shlyejnë detyrimin që ata kanë ndaj administratës tatimore dhe doganore, sipas një nga formave të përcaktura në Udhëzimin e Ministrit të Financave. Ka raste që vlera e këtij detyrimi është shumë më e madhe se sa vlera që ata përfitojnë, duke u vonuar kryerja e pagesës, rrjedhimisht duke ndikuar në masën e realizimit të përmendur më lart.
Për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura në zërat detyrimet e prapambetura për vendimet gjyqësore ndaj subjekteve/individëve për të cilën janë alokuar rreth 3.1 miliardë lekë dhe paguar 2.8 miliardë lekë me një realizim në masën 90%. Peshën kryesore në brenda këtij zëri e zënë vendimet gjyqësore në favor të subjekteve/bizneseve, (nga vlera prej 2.8 miliardë lekë të shlyera 2.4 miliardë lekë kanë shkuar për shlyerjen e vendimeve gjyqësore të fituar nga subjektet/bizneset e ndryshme ndaj organeve tatimore dhe doganore).
Detyrimet e prapambetura për shpronësimet janë alokuar në masën 1 miliard lekë dhe paguar 154 milionë lekë. Realizimi u ulët i këtij zëri lidhet me procedurat dhe problematikat që hasen në plotësimin, nga ana e personave përfitues, të dokumentacionit të kërkuar në fazën e likuidimit. Ndërsa detyrimet e prapambetura për pagesat për emergjencat civile dhe shpërblimet e lindjeve, në total janë alokuar rreth 1.1 miliardë lekë dhe pothuaj janë paguar 99% e tyre.
Një pjesë e këtyre detyrimeve duke shkuar tek kompanitë iu kanë dhënë mundësi atyre për të shlyer edhe detyrimet fiskale që i janë kthyer buxhetit në formën e të ardhurave, për t’u investuar, sipas programit të qeverisë. Shlyerja e borxheve të prapambetura ishte një nga angazhimet më të forta politike të qeverisë. Sipas të dhënave zyrtare, shuma totale e këtyre borxheve që qeveria e kaluar kishte akumuluar në vite ndaj biznesit ishte rreth 72.6 miliardë lekë.
Qeveria programoi që në vitin 2014 të shlyente 35 miliardë lekë detyrime të prapambetura ndaj biznesit. Ndërsa në buxhetin e vitit 2015 ajo llogarit të shlyejë shumën prej 20 miliardë lekë dhe në vitin 2016 po 20 miliardë lekë. Ministria e Financave ka hartuar strategjinë përmes së cilës nuk krijohet hapësirë për detyrime të prapambetura ndaj biznesit në ardhmen.