Borxhi dhe investimet publike‏

 

Nga Eduard Zaloshnja

Në 15 vjetët e fundit, investimet publike në Shqipëri kanë kapur shifrën mesatare 54 miliardë lekë në vit (rreth 383 milion euro në vit, me kursin e sotëm të këmbimit). Viti me shifrën më të lartë të investimeve publike ishte 2009-ta, kur investimet publike arritën në 97 miliardë lekë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nga ana tjetër, stoku i borxhit publik u rrit nga 320 miliard lekë në fillim të vitit 2001, në 977 miliardë lekë në fund të vitit 2014. Pra, mesatarisht në vit, është shtuar 47 miliard lekë borxh i ri (rreth 335 milion euro në vit, me kursin e sotëm të këmbimit).

Swiss Digital Mobile Reklama

Duke krahasuar shifrat e mësipërme, konstatohet se rreth 87% e investimeve publike në 15 vjetët e fundit janë financuar me borxh, dhe vetëm 13% me të ardhurat e buxhetit.

Ky raport i financimit të investimeve publike, sipas programit buxhetor afatmesëm 2015 – 2017 (negociuar me FMN-në), është parashikuar të ndryshojë. Kështu, investimet publike do të kapin shifrën mesatare 82 miliardë lekë në vit, ndërsa borxhi i ri që do të shtohet kap shifrën mesatare 50 miliardë lekë në vit (rreth 357 milionë euro borxh i ri në vit, me kursin aktual të këmbimit).

Pra, ndryshe nga 15 vitet e shkuara, vetëm 60% e investimeve do të mbulohen me borxh të ri, ndërsa 40% do të financohen nga të ardhurat e buxhetit.

Se sa efektive dhe të miradministruara kanë qenë e do të jenë investimet publike në Shqipëri, kjo është një histori më vete, e cila do shumë faqe e shumë të dhëna për t’u analizuar. Sidoqoftë, çdo ekonomist e kupton se ato kanë qenë dhe do të jenë një stimul i fortë ekonomik, sidomos pas rënies së investimeve private në sektorin e ndërtimit (sipas Censusit, rreth 1/3 e banesave private në Shqipëri janë të pabanuara, veçanërisht në zonat rurale).

E ndodhur mes nevojës për t’i vazhduar investimet publike, nga njëra anë, dhe kërkesës së FMN-së që ato të financohen me sa më pak borxh të ri, nga ana tjetër, qeverisë aktuale i ka rënë barra që të shtojë të ardhurat e buxhetit, si dhe të tregohet e shtrënguar me shpenzimet korrente. Pikërisht mbajtja e një ekulibri mes këtyre objektivave kontradiktore është sfida më e madhe makroekonomike e qeverisë.

Sepse investimet publike vërtet e stimulojnë biznesin, por rritja e të ardhurave buxhetore nëpërmjet rritjes së taksave e dëmton atë. Nga ana tjetër, shtrëngimi i rripit për shpenzimet korrente buxhetore ndikon në uljen e kërkesës konsumatore, gjë që ndikon negativisht tek të gjitha bizneset, si të vogla edhe të mëdha…

Shënim: Kërkesa e FMN-së ndaj qeverisë shqiptare për të shtuar sa më pak borxh të ri në vitet në vazhdim lidhet me faktin se shpenzimet për intresat e borxhit të vjetër po bëheshin të papërballueshme për buxhetin. Deri në 2010-ën, Shqipëria kishte një sufiçit primar buxhetor (të ardhurat mbulonin shpenzimet operative vjetore dhe mbetej diçka për të paguar interesat e borxhit të akumuluar ndër vite). Ndërsa duke filluar nga 2011-ta, filloi të regjistrohet deficit primar në Shqipëri. Për krahasim, Greqia vetëm para disa muajsh shënoi për herë të parë një deficit primar buxhetor.respublica.al

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?