Borxhi i jashtëm i Shqipërisë shkon 6.6 mld euro, shlyerja “me kismet”
Shqiptarët mund ta pyesin veten shpesh se përse ekonomia shqiptare nuk njeh rritje reale, që vendi të ketë prodhim, punësim, zhvillim, mirëqenie, përveç se njerëzit dëgjojnë të njëjtat fjalë nga politika: Shqipëria është në “krizë” (opozita), dhe “mirëqenie” (qeveria). Kur qeveritë ndërrohen, automatikisht ndërrohen edhe këto dy koncepte krejt të kundërta mes tyre. Por mjafton të njihesh me shifrat e borxhit të jashtëm, për të kuptuar në ç’gjendje katastrofale jemi. Borxhi i jashtëm i ekonomisë sonë u rrit me 588 milionë euro në tremujorin e tretë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se gati gjysma e rritjes ka ardhur nga borxhi i marrë nga qeveria, ndërsa pjesa tjetër është borxh i bankave, por edhe sektorëve të tjerë të ekonomisë. Aktualisht borxhi që Shqipëria i detyrohet botës është 6.6 miliardë euro. Sipas Bankës së Shqipërisë nga këto 2.6 miliardë euro janë borxhi i qeverisë, në formën e huave nga donatorët, por edhe kredive tregtare, ndërsa pjesa tjetër është marrë nga kompanitë private, por edhe bankat kryesisht në formën e depozitave nga shtetasit e huaj dhe linjave të kredisë nga ato “mëmë”.
Edhe pse Shqipëria, ka një nivel të ulët borxhi me jashtë krahasuar me vendet e tjera, të dhënat tregojnë se ky tregues po rritet me ritme të shpejta. Sipas Bankës së Shqipërisë krahasuar me fundin e vitit 2007, borxhi i jashtëm është trefishuar në vlerë nga 2.2 në 6.6 miliardë euro dhe është aktualisht sa 66 për qind e Prodhimit Kombëtar. Vitet e fundit huamarrja nga jashtë ka qenë në jo pak raste një zgjidhje e detyruar për të ruajtur ekuilibrat e ekonomisë, në pamundësi për të siguruar valutë të mjaftueshme nga eksportet dhe investimet e huaja.
Defiçiti aktual, ndryshe diferenca në vlerë mes valutës që Shqipëria shpenzon për mallra dhe shërbime nga jashtë me atë që siguron duke i shitur botës është mbi 10 përqind e Prodhimit Kombëtar. Ndonëse pjesa kryesore e këtij hendeku është financuar përmes investimeve të huaja, defiçiti i lartë në llogarinë korrente është një nga shkaqet e rritjes së shpejtë të borxhit dhe në thelb reflekton konkurrueshmërinë e ulët të ekonomisë shqiptare.