Bosnja, 3 presidentë, 13 kryeministra dhe asnjë qeveri
Marrëveshja e paqes e ndërmjetësuar nga SHBA-ja 20 vjet më parë, ka krijuar një tollovi të jashtëzakonshme në Bosnjë-Hercegovinë.
Nga Franco Galdini
Këtë muaj shënohet 20 vjetori i Marrëveshjes së Dejtonit, e cila solli paqen në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ajo i dha fund një lufte që kishte zgjatur më shumë se 3 vjet e gjysmë, duke vrarë 100.000 njerëz dhe shpërngulur nga shtëpitë e tyre mbi 2 milionë të tjerë . Por sipas të ndjerit Riçard Hollbruk, diplomatit amerikan që cilësohet si arkitekti kryesor i paktit, Dejtoni “u ndërmjetësua nga një administratë e amerikane që kishte padurimin për t’i dhënë sa më parë fund luftës …se sa për të krijuar bazën e një shteti funksional dhe të qëndrueshëm”. Për 20 vjet me radhë, deklarata e Hollbrukut u provua të ishte mëse e vërtetë. Dejtoni krijoi një sistem bizantin qeverisjeje, që më shumë i fiksonte në kushtetutë, sesa u jepte fund ndarjeve që dolën nga lufta. Bosnja u nda në dy entitete, Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Republika Srpska. Vendi u nda më tej në 10 kantone, dhe qytetit të kontestuar të Bërçkos iu dha statusi i veçantë i qarkut, ndërsa presidenca e shtetit u përcaktua me rotacion ndërmjet përfaqësuesve të tre popujve përbërës:boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve. Me një popullsi prej 3.8 milionë banorësh, Bosnja ka tre presidentë, 13 kryeministra dhe po aq qeveri, më shumë se 180 ministra, dhe mbi 700 anëtarë të parlamentit. Rezultati është një rrëmujë e pamenaxhueshme. Dy vjet pas regjistrimit të popullsisë në vitin 2013, nuk janë shpallur ende rezultatet, sepse Bosnja dhe Republika Srpska e kryen secila më vete këtë process, dhe duke përdorur metodologji të ndryshme. Ndarjet ekzisojnë në të gjitha aspektet e jetës. Në qytetin e Mostarit, “çdo gjë është e dyfishtë, çdo aktivitet, çdo kompani”:Ne kemi dy kompani të ndryshme të pastrimit të qytetit, Komos në lindjen boshnjake, dhe Parkov në perëndimin me shumicë kroate”- thotë aktivisti Đenan Jelin. “Sistemi arsimor në qytet është i ndarë:në lindje përdoret plani mësimor të Sarajevës, në perëndim i Zagrebit”. Një shkollë e mesme në Mostar, që ofron trajnim profesional në studimet e transportit “mëson me dy turne, paradite për boshnjakët, dhe në orët e pasdites për kroatët”- shtoi Jelin. Studentët boshnjakë e quajnë rrugën para shkollës, me emrin e paraluftës ‘Santiçeva’, në vend të ‘Mile Budak’ siç njihet aktualisht zyrtarisht. Edhe shkolla mban dy emra – mašinsko-saobraćajna škola në gjuhën boshnjake dhe “prometna škola” në gjuhën kroate- dhe 2 faqe interneti krejt të ndryshme.
Dublimi i gjithçkaje duket diçka qesharake. Por sistemi i kalçifikuar nga Dejtoni, i ka shkaktuar dëme serioze zhvillimit të Bosnjës. “Kasta politike po e përdor Dejtonin për të qëndruar në pushtet”-shprehet Nermina Mujagiç, profesore e shkencave politike në Universitetin e Sarajevës. “Dejtoni është një “kokë turku” e përshtatshme për t’u justifikuar pse asgjë nuk po bëhet, për të ndalur vjedhjen e aseteve shtetërore dhe korrupsionin e shumë përhapur”. Procesi i privatizimit pas luftës, përbën një rast tipik abuzimi. Perspektivat në fillim dukeshin premtuese:Në një raport të vitit 1997, Komisioni Evropian dhe Banka Botërore konstatonin se “vetëm një pjesë e vogël e kapacitetit të përgjithshëm industrial ishte dëmtuar nga lufta”. Ekspertët e huaj përshkruan një “rregullim të plotë” të tyre, në formën e privatizimeve masive dhe të reformave të tjera ekonomike, shkruante Instituti ‘EastWest’ në një raport të të njëjtit vit. Natyrisht, Bosnja dhe Republika Srpska, krijuan secila agjencinë e vet të privatizimit, por të paktën këtë hetë rezultati ishte identik:transferimi sistematik i pasurive shtetërore në duart e përfituesve të luftës dhe politikanëve, si dhe familjeve, miqve dhe klientëve të tyre. Shumë shpesh, pronarët e rinj nuk kishin interes në rifillimin e prodhimit industrial. Përkundrazi, ata shisnin makineritë, kur kjo ishte e mundur, e shisnin pjesën tjetër për skrap, ndërsa e lëshonin tokën me qera apo e nxirrnin në shitje. Industri të tëra u shndërruan në komplekse banimi, aktivitete tregtare apo hotele. De-industrializimi shkaktoi një papunësi masive. Damir Miljeviç, këshilltar për privatizimet i kryeministrit të Republika Srpska në vitin 2001, llogarit se nga 1200 industri të privatizuara, vetëm 10 kanë mbijetuar si të tilla. Pabarazia është e shfrenuar: Sipas disa vlerësimeve, 300 njerëz në Bosnje zotërojnë 7 miliardë euro pasuri në asete, ndërsa 40 përqind e popullsisë është e papunë, mes të rinjve është mbi 60 përqind, norma më e lartë në botë. Të rinjtë dhe të arsimuarit, largohen nga Bosnja për një perspektivë më të mirë në vendet e BE-së. Deri më sot, me përjashtime të rralla, askush nuk është vënë para drejtësisë për abuzimet me privatizimet. Dhe ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar mban shtetin në këmbë me “injeksione” parash, elitat politike e blejnë paqen sociale, përmes dhënies së vendeve të punës në këmbim të votave në zgjedhje. Ish-këshilltari Miljeviç e quan këtë “të votosh për punësimin”.
“Në qoftë se Ministria e Financave në Republikën Srpska ka patur 78 të punësuar në vitin 2005, sot ajo ka 280, dhe kjo edhe pas heqjes dorë nga disa prej kompetencave të saj. … Kjo është një praktikë që ndodh në të gjitha institucionet qeveritare”- thotë ai. Në sipërfaqe, stabiliteti duket se është rrikthyer, por ky është një iluzion, që demaskohet nga grevat dhe demonstratat e shumta. Sesa i brishtë është rendi i krijuar, kjo u bë e qartë në shkurt të vitit 2014, kur trazirat e punëtorëve u përhapën në të gjithë Bosnjen. Udhëheqja e Republikës Serbe i cilësoi protestat si një përpjekje për të shkatërruar entitetin e tyre, dhe pati sukses në shmangien e përhapjes së mëtejshme të tyre. Ndërkohë, në Bosnje, politikanët e të gjitha ngjyrave filluan një fushate diskreditimi kundër punëtorëve, duke i quajtur ata huliganëve dhe të varur nga droga, si dhe duke përdorur retorikën nacionaliste dhe spektrin e luftës civile për të përçarë protestuesit. Duke shpresuar të anëtarësohet në BE, Bosnja po ndërmerr disa reformat të reja të mbështetura ekonomikisht nga BE-ja, duke përfshirë edhe më shumë privatizime. Por ecuria e tyre po kritikohet ashpër nga Bashkimi Evropian, që i quan ato “të konceptuara turbullt” dhe “në rastin me të mirë, disa prej tyre nuk janë shumë të ndryshme nga reformat e dështuara të së shkuarës”. Mbi të gjitha, lidershipi politik nuk po bën asgjë për të adresuar krizën kronike të qeverisjes së vendit.
“The Atlantic” – Bota.al