BQE: Sukses për “Alpha Bank”
Publikimi i rezultateve të “Stress Test”-it nga ana e Autoritetit Bankar Europian ka rindërtuar panoramën e sistemit në të gjithë eurozonën. Ky test qëndrueshmërie, apo sprove qëndrueshmërie, është realizuar për herë të parë në Bashkimin Europian në vitin 2009 si një ndër masat për të zbuluar dhe nxitur më tej aftësinë e bankave për përballimin e zhvillimeve negative ekonomike e financiare të vendeve ku ato operojnë por edhe të zhvillimeve negative ndërkombëtare. Brukseli zyrtar ka mandatuar Komitetin e Mbikqyrësve të Bankave Europiane si organ ekzekutiv të Këshillit të Bashkimit Europian për realizimin e kësaj sprove qëndrueshmërie financiare të “institucioneve” të kreditit në të gjithë eurozonën. Objektivi parësor është përcaktimi i aftësisë së bankave për të përballuar zhvillime negative ekonomike. Gjithashtu, sprovat e qëndrueshmerisë nxjerrin në pah dobësitë e pakorigjuara të zbuluara në sprovat e mëparshme, ndihmojnë në përfundimin më të shpejtë të rregullimeve në sektoret bankare si dhe ndihmojnë në rritjen e besimin të publikut të gjerë në këtë industri.
Në kontrollin e fundit, janë analizuar 130 grupe bankare, ndër to banka tregtare dhe banka investimesh, duke mbuluar mbi 85% të sistemit bankar europian. Përfundimet e procesit të sprovimit të qëndrueshmërisë financiare tregojnë se sa të afta janë bankat për të përballuar situata dhe goditje të skajshme, të cilat mbeten të hamendësuara dhe me shumë pak probabilitet për tu materializuar ose e thënë më thjesht nëse kapitali i bankave është i mjaftueshëm për të përthithur humbjet në rastin e ketyre goditjeve të hamendësuara të skajshme pa prekur vazhdimin normal të veprimtarisë bankare. Analiza gjithëpërfshirëse ku përveç sprovës së qëndrueshmërisë përfshihet edhe rishikimi i cilësisë së aktiveve përqëndrohet në matjen e treguesit të mjaftueshmërisë me shkurtesën CET-1 i cili shpreh raportin ndërmjet kapitalit të zakonshëm të shkallës së parë dhe aktiveve të ponderuara me risk. Sprova e qëndrueshmërisë quhet e suksesshme po qe se matjet nga qendra “EuroTower” në Frankfurt, tregojne se CET-1 është mbi normën-prag e vendosur 8.0% për skenarin statik dhe 5.5% për skenarin dinamik.
Ndër grupet e suksesshme bankare të eurozonës rezulton dukshëm grupi i “Alpha Bank” i cili ka kapërcyer me sukses “Stress Test”-in në të dy skenarët si në atë statik ashtu edhe ne atë dinamik. Për sa i përket skenarit statik zhvillimet negative të hamendësuara e çojnë CET-1 për “Alpha Bank” në 8.07% i cili i përkthyer në shifra absolute tregon se edhe në një situatë të tillë Alpha Bank do të këtë 1.3 miliardë euro më tepër kapital se sa norma-prag e vendosur prej 8.0%. Por në rastin e skenarit dinamik me zhvillime të hamendësuara negativisht të skajshme, “Alpha Bank” rezulton me nje CET-1 edhe më të lartë prej 8.45% apo me 1.8 miliardë euro mbi normën-prag të vendosur prej 5,5%. Për pasojë banka me origjinë në Greqi e ka përfunduar sprovimin e qëndrueshmërisë financiare me një marzh sigurie ndërmjet 1.3 dhe 3.1 miliardë euro.
Ndër aksionet e ardhshme të të gjithë grupeve bankare të analizuara do të jetë dhe prezantimi i masave që do të marrin në 9 muajt në vazhdim për të përmirësuar gjendjen e tyre të kapitalit. Në këtë drejtim vlen të përmenden paraprirja që disa grupe financiare i kanë bërë kësaj kërkese që skadon në muajin Korrik të vitit të ardhshëm. Edhe në këtë rast “Alpha Bank”, me vlerësime të njohura edhe nga Autoriteti Bankar Europian, ka regjistruar masa të qarta dhe të kujdesshme të politikës së provigjonimit. Për më tepër në përshkrimin e analizës së kryer duhet thënë se pozicioni i “Alpha Bank” është përmirësuar më tej nga injektimi i 1.2 miliardë euro kapital, veprim të cilin banka e ka bërë të mundur që të riblejë aksionet e preferuara të shtetit grek me një vlerë prej 940 milionë euro. Gjithashtu pozicioni i Alpha Bank është permirësuar shumë edhe nga kthimi i aktiveve në tatime të shtyra në tatim të kreditueshëm nga shteti grek duke krijuar në këtë mënyrë nje amortizator kapitali prej 1,060 milion euro.
Janë pikërisht këto vlera dhe këto rezultate pozitive që kanë rritur besimin në grupin bankar grek i cili operon në Europën Juglindore, në Britaninë e Madhe dhe në Qipro. Duke konsideruar faktin se “Stress Test”-i shërben si vlerë e shtuar dhe garanci për qendrueshmërinë, rezultatet e tij merren vazhdimisht në konsideratë si pasaportë nga ana e bankave.
Ky sprovim, i realizuar në Bashkimin Europian, mbi banka të këtij sistemi, një pjesë e vogël e të cilave operon dhe në Shqipëri, kishte një qëllim kryesor: sigurimin e tregjeve se sistemi bankar në përgjithësi, dhe grupe të caktuara bankare në veçanti, kanë aftësinë e duhur për të furnizuar ekonominë reale me financime të mjaftueshme edhe në situata negative. Për pasojë rezultatet pozitive për operacionet në të gjithë Europën, përfshirë Shqipërinë, i japin “Alpha Bank” pozicionin e duhur për tu konsideruar promotor i zhvillimit në vend si dhe partner për të gjithë ato familje dhe biznese që të besojnë depozitat si dhe të kërkojnë financime.
Për sa i përket Alpha Bank Albania, ajo operon nga viti 1998 në Shqipëri dhe sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në mesin e vitit 2014, ajo ishte banka e gjashtë më e madhe në sistemin bankar shqiptar, me 6.4% të vlerës totale të aktiveve. Nëse do ti referohemi disa statistikave të Alpha Bank Albania Sh.A mund të themi se deri në Qershor 2014 zotëronte një portofol kredie prej 35 miliardë lekë dhe depozita të klientëve në vlerën e 68 miliardë lekëve.