Erion Braçe thotë se do votoj kundër, sfidon Ballën: S’më përjashtojnë ata që më gjetën në PS!
Reforma e re Territoriale ka hapur debat brenda Partisë Socialiste, me deputetin Erion Braçe që ka konfirmuar votën kundër saj, pasi partia e tij kërkon të bëhen 46 bashki. Braçe kritikoi mënyrën sesi është zhvilluar procesi, duke thënë se deputetët janë informuar vetëm pak ditë para votimit në Kuvend.
”Është shumë vonë, pra 3 ditë para se të votohet. Hera e parë që bëhet një diskutim me grupin e PS. Jemi mbledhur disa herë dhe s’kemi marrë asnjë rresht informacion për këtë reformë”, tha Braçe. Sipas tij, projektligji nuk është trajtuar siç duhet nga Komisioni i Ekonomisë dhe nuk ka pasur transparencë të mjaftueshme me deputetët. Braçe kundërshton gjithashtu mënyrën e përcaktimit të kufijve të disa bashkive, duke argumentuar se reforma duhet të mbështetet te parimet dhe jo te nevojat politike. ”Reformën e mbajnë në këmbë parimet, jo votat. Nëse reforma është e drejtë dhe u qëndron parimeve, i ka votat aty”, u shpreh ai për ”Report TV”.
Nga ana tjetër Braçe ka një përgjigje të drejtpërdrejtë për Taulant Ballën, pasi ky i fundit u shpreh se deputetët që nuk e mbështesin reformën duhet t’i referohen rregullores së PS-së.
”Mua nuk më përjashton dot nga PS ky djali (Taulanti) apo cilido tjetër që më ka gjetur në PS! Kam qenë atje kur këta kanë ardhur në PS! I kam mbështetur sa s’ka ku të shkojë më, janë bërë ministra kurse tani më tregojnë mua rregulloren!”- u shpreh me ironi deputeti i PS.
Për ta miratuar duhen 84 vota, çka PS me PSD i kanë votat, porse nëse ndonjë deputet tjetër i PS voton kundër, projektligji nuk kalon.

