
Një grup hakerësh ka vjedhur të dhëna të klientëve të Visa, Mastercard dhe JPMorgan Chase nga një furnizues i palës së tretë. Të dhënat u publikuan në dark web, pasi grupi u dha kompanive 48 orë afat për të paguar një shpërblim. Kompanitë konfirmuan të enjten se sulmi kibernetik ka ndodhur, por u garantuan klientëve se nuk janë vjedhur të dhëna financiare.
Sipas tyre, bëhet fjalë për të dhëna për rreth 16 mijë klientë, që përfshijnë vetëm informacion marketingu dhe jopagese. Publikimi në dark web u bë pas skadimit të afatit 48-orësh që grupi kishte vendosur për pagesën e shpërblimit, raportoi AFP, duke cituar kompaninë e sigurisë kibernetike SOCRadar.
Sipas SOCRadar, grupi lëshoi afatin përpara se të publikonte skedarët e marketingut të vjedhur. Kompania e sigurisë kibernetike bëri të ditur se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur autenticitetin e këtyre pretendimeve. Sipas SOCRadar, grupi ka origjinë nga Rusia dhe u shfaq në shtator, ndërsa pretendon se ka hakuar pothuajse 200 kompani në mbarë botën.
Sulmi vjen pas një jave në të cilën JPMorgan Chase, United Airlines dhe madje Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Shteteve të Bashkuara (NSA) përjetuan ndërprerje të sistemeve kompjuterike.
