Braktise këtë vend!
Ilir Muharremi- Arratisu, o artist i sinqertë në vetminë tënde! Në këtë vend i mençuri qelbet, i padituri mban kurorën, shushunjat ta kanë pirë gjakun. Vazhdojnë të ta pinë, o piktor i drejtë, gjak aspirojnë shpirtrat e tyre anemikë, andaj kafshojnë të pafajshmit. Ti je tejet i drejtë , i thellë, vuan këto plagë nga qelbësirat, hienat, plagë mikroskopike, ngaqë helmatimin e krimbit e vëren. Ata përpiqen të asgjësojnë jo vetëm ty, por gjithkënd që del përpara, janë të pangopur, andaj të kesh kujdes se fatale është mbajtja e padrejtësisë helmuese. Zhuzhurijnë rreth të fuqishmit me plot lavdërime, japin komplimente, kanë nevojë për afërsinë e lëkurës, llastojnë e shpallin si Zot, qaraviten, bëhen servilë, japin çdo gjë, për të ardhur në pushtet. Në momentin kur vijnë në pushtet shpirti i tyre ngushtohet edhe më tej, parapëlqejnë t’i përulesh t’i lëpish “prapanicën”, të bëhesh zagarë i tyre, dhe vetëm kështu të shpërblejnë për veprën. Fatmirësisht unë nuk dua shpërblim nga duart e tyre. Ata në shpirt kanë ende baltë, të ishin të paktën absolut si kafshët, sepse thellë tek kafsha është pafajësia. I këshilloj të shpërfaqin pafajësinë e ndjenjave. Në këtë vend të mallkuar jetojnë si hiena pështyjnë mbi atë që e hanë, përbuzin të fortin pinë gjak deri në pangopësi, pickojnë dhe gërryejnë heshturazi çdo ekzistencë njeriu për të arrit famë, ndërsa gjërat e mëdha janë jashtë famës, tregut dhe artistët e mëdhenj rrojtën larg kësaj. U pëlqejnë çmimet dhe i fitojnë, vetëm duhet të jesh nën urdhrat e të zotit, të dëgjosh çdo qejf, të shërbesh si një skllav, të depërtosh me pafytyrësi, kështu shpërblehesh. Artisti i sinqertë parapëlqen ftohtësinë, vepra derdh magmën. “Njeriu është lumë i ndyrë, duhet të jesh det për të pritur një lumë të ndyrë pa u ndotur”, thotë Nietzsche. Vetëm Mbinjeriu duron këtë det të madh ku varroset përçmimi njerëzor. Por, gjëja më e madhe që ai dëshiron ta provojë në këtë botë është ora e përçmimit. Nga vetë lumturia të vjen për të vjellë.
“Të forta” janë ca gra të padenja, ngaqë promovuan epshin, zbutën mendjen e të zotëve për të arritur qëllimet. U graduan dhe vazhdojnë të gradohen me çmime derisa vepra nuk zë vend të duket. Prandaj, ti o piktor zhytu në heshtjen tënde, arratisu në vetminë tënde, atje ku dëgjon ashpërsinë e erës dhe nuk të takon t’i përzësh hienat, qentë të cilët japin çdo gjë për një fije epsh. Bushtra “artistike” vrapon pas shumë qenve, mirëpo zgjedh të dobishmin nga i cili mjelë qëllimin dhe pozicionohet për të ushtruar pozitën me padije. Ç’rëndësi ka për ty o piktor! Qaraman e servilë janë, asgjë më shumë. Nganjëherë edhe ndaj teje shtiren se të duan, kjo gjithmonë ka qenë dinakëria e tyre, të poshtër janë. I dyshimtë je për ta shpirti i tyre ripërtyp unin tënd. Kultura jonë është pengë e këtyre hienave, andaj nëse të ka mbet pak ndërgjegje dhe aftësi, braktise këtë vend të përlyer, në fakt vendi mban bardhësinë, por ata që hanë në të ripërtypin virtytin, shpresën e artistëve të sinqertë. Kërko shpëtim në një vend tjetër. Për ta, çdo gjë është më e vlefshme se kultura, injoranca e tyre karakterizon kulturën si humbje kohe. Ekzistenca e tyre nuk mban faj sepse pak është e rëndësishme për ty o piktor. Janë miza helmuese madhështia jote rritë helmin tek ta, andaj, bëhen edhe më shumë si insekte. Aspak mos e moho thënien e Morrisonit: “ Uroj që kur të vdes të shkoj në parajsë, sepse ferrin e jetova këtu.” Dhimbja ndaj padrejtësive që të bëhet nxjerr nga ti kategorikisht jo-në dhe revoltën. Mjaftë më. Ka ardhur koha e gjërave të peshojnë në vendin e tyre: bushtra të mbetet bushtër, idioti idiot, qaramani qaramanë, komediani komedian, i drejti i drejtë, këto role duhet të interpretohen ashtu si janë në arenë. Është mirë të zbresësh në arenë, por bisha nuk mat drejtësinë siç duhet ta bënte sepse janë kope derrash e duan baltën të lëpihen më mirë aty. Lavdërojnë njëri tjetrin për qejfe dhe interesa përfituese, përfitojnë para në emër të kulturës duke ndrydh publikun. Budallenj, majmunë, maniakë, kacavjerrës janë për piktorin e drejtë, artistin i cili ik në vetmi, por e adhuron fronin e drejtësisë, në fron qëndron drejtësia e baltosur dhe kjo e izolon artistin. I shikoj se si kacavirren këta majmunë, janë të shkathtë, kacavirren prapë mbi njëri tjetrin, përdorin mediat për promovime mashtruese propaganduese, gazetarët besojnë sepse edhe hulumtimi bie preh e injorantëve dhe hapësira pushtohet me gënjeshtra. Është mirë t’i japim pushtet medial sepse çalojnë dhe rrëzohen në gafat e tyre bien në baltë dhe në humnerë. Më lejoni të flasë pak edhe për krijimtarinë e tyre. Vjedhin veprat e krijuesve të famshëm, bëjnë kombinime nga krijimet, thithin thesaret e të urtëve duke e cilësuar si kulturë kusarinë, aq shumë gëlltitin sa që nuk mund ta tretin. Nëse publikon kusarinë, atëherë je gladiator për luanët e qelbur. Janë të zotë të mbrojnë plagjiaturën vetëm sepse janë vetë plagjiator. Fryjnë rrejshëm muskujt. Krijojnë ligje të rreme të përshtatshme për ta ngritur komoditetin e mashtrimit. Hajdutë të kulturës të panevojshme për këtë shtet. O piktor, më mirë të bie të shkosh në mal sesa të jesh në këtë grumbull gomarësh. Ky shtet është i ftohtë madje edhe kur gënjen, gjithnjë gënjen dhe nga goja zvarritet mashtrimi se gjoja “Jam shteti edhe populli”. Idiotët mbuluan këta popuj me besim dhe dashuri. Ku ekziston populli pak kuptohet shteti sepse nuk e duron shkeljen, dhunimin e zakoneve dhe padrejtësinë. Çfarëdo që thotë gënjen, pronësinë që e ka , e ka të vjedhur. Kafshon mbi popullin si mbi kashtën, zemrën e ka të shtirë. Largohu artist nga dora e bishës, nëse nuk e ke këtë mundësi, mbyllu në vetvete dhe në atelien tënde. Ndoshta t’i kërkon të kesh për rreth horrat ngaqë ke guxim dhe guximi tallet me ta. Tashmë je më lartë, tallesh me dramat e tyre që paralajmërojnë stuhinë. Dikur do të kërkojnë, dhe edhe nëse të bien në gjunjë atë e bëjnë për hakmarrje. Mos u beso lajkave të tyre. Nga vuajtja e madhe ulërijë kundër padrejtësisë, e dijë që asnjë shpëtim nuk ka për të përvuajturin veç vdekjes së shpejtë.
Mos apliko në konkurse, aty fitojnë servilët, dashakeqësit, sterilët, të dobëtit, brinjëdalët, laramanët, çmimet i fitojnë këta laramanë që varrosin veprën e mirëfilltë për të ngritur famën e tyre të rrejshme. Të gjithë e dinë meritën, rrejshëm frymojnë në heshtje. Ti piktor mos u zhgënje, të huaj janë, objekte tallje, qeshë dhe vetëm qeshë derisa të dridhet këmba dhe zemra. Nga këta nuk të shtohet pesha e ngarkesës, nuk të shkaktojnë lodhje. Merri lehtë dhe mbaji si gjëra të rënda, por këtu ka respekt sepse ulen si insekte dhe krimba. Mjerë ti artist sepse nuk dite mahnitjen e tyre u dashtë të pije nga kupa nga e cila të erdhi për të vjellë. Kërkojë nga ju o hiena të zhvishni vellot, kostumet e tepërta, bojërat, makijazhin, gjestet, por prapë mbeteni të shëmtuar, më mirë preferoj skllavërinë në ferr pranë hijeve ngaqë banorët e ferrit janë më të plotë se ju. Mos i duro, o artist edhe nëse ç’veshën, por edhe nëse vishen, të helmuar janë, trashëgojnë helmin. Të këshilloj të qëndrosh larg frymës së qelbur sepse për shpirtrat e mëdhenj e lirë është edhe sot toka. Posedon vende bosh akoma për të fortët, pafajshmit zjarr kërkuesit që vrapojnë drejt unit sepse krijimi është dashuri diellore. Gjithësia ngjitet tek lartësia jote, puthet, pihet e etur për diellin, e shohë si shndërrohet në ajër, lartësohet drejt shtegut ngjyror, bëhet dritë për të paditurit. Edhe këtë për fund: në momentin e mbarimit të injorancës, fillon njeriu që nuk është i tepërt. Bëhuni pjesë e ajrit të tij.