Braktisja e Veriut nga banorët

 Letër e dërguar në redaksi nga Artur Zeneli    

Ritmet e emigracionit sa vjen e po shtohen. Familjet e larguara po ndihmojnë të afërmit duke iu treguar rrugët se si mund të mbërrijnë e të kenë sukses në emigracion. Janë të shumta familjet që muajt e fundit janë larguar në kërkim të një jete më të mirë, kryesisht në Gjermani dhe  në Angli. Veçanërisht në zonën e Gorës ritmet e largimit gjatë muajve të fundit janë rritur. Mjafton të përmendim faktin se nga fshati Borje janë larguar rreth 30 familje, nga fshati Cernelevë rreth 20 familje, nga fshati Oreshkë 12 familje etj. Ndërkohë, në fshatin Shishtavec thuajse kanë mbetur vetëm pleqtë. Thuajse e njëjta situatë është edhe në fshatin Novosej. Të rinjtë e këtyre dy fshatrave prej vitesh janë larguar drejt Anglisë ku kanë ngritur edhe familjet e tyre.

Akoma më e rënduar është situata në zonën e Hasit. Një zonë që po shpopullohet me shpejtësi. “Është bërë e zakonshme sa herë që kthehemi me pushime shumë të rinj të afërm që nuk kanë mbaruar ende shkollën e mesme na luten t’I ndihmojmë në udhëtimin drejt Anglisë. Janë të shumtë të rinjtë që na kanë kërkuar ndihmë për t’u larguar nga vendlindja.Sa here vijmë me pushime ndihmojmë 3 -4 të rinj të nisin rrugën e emigracionit”,- tregon  Zamir Brati nga fshati Golaj, prej 14 vitesh emigrant në Angli.

Për hasjanët nuk është dukuri e re tendenca e largimit drejt emigracionit. “Një dukuri e tillë prej vitesh është bërë e zakonshme këtu te ne, të rinjtë gjithnjë e më tepër kanë tendencën për t’u larguar drejt emigracionit. Problemi është se nuk po mundësohet për të ulur ritmet e largimit, përkundrazi sa vjen e po shtohen si rrjedhojë e vështirësive ekonomike që sa vjen e po shtohen për banorët e këtij rajoni të harruar”,- thotë Hyrmet Poga, inspektor në zyrën arsimore të rrethit. Ai tregon, se, “kjo është ndër arsyet e rënies së ndjeshme të popullsisë, gjë që ka sjellë që klasat kolektive të jenë të pranishme në cdo shkollë të këtij rrethi me përjashtim të shkollave të qytetit të Krumës.

Karakteristikë është se vetë banorët e këtij rajoni i nxisin të rinjtë për t’u larguar drejt emigracionit. “Këtu të rinjtë s’kanë çfarë të bëjnë. Ndërsa nga emigrimi mund të na ndihmojnë edhe ne këtu. Ndaj i jemi nënshtruar fatit. Se kurrkush nuk do t’i largohet fëmija”,- thotë 64 vjecari Hyrmet Dida nga qyteti i Krumës. Pavarësisht se nuk ka një statistikë të saktë, nga rrethi I Hasit mendohet se  janë larguar në emigracion kryesisht në Angli, por edhe në vende të tjera si në Greqi e Itali rreth 7000 persona. Nga rrethi i Tropojës, rreth 5000 persona dhe nga rrethi I Kukësit rreth 6000 persona. Tendenca e largimit të popullsisë drejt emigracionit ka sjellë shpopullimin me ritme të shpejta të rajonit verilindor të vendit. Kështu nga 52 mijë banorë që ishte popullsia e rrethit të Tropojës në fillim të viteve ’90 ka arritur në 26 mijë banorë, e rrethit të Kukësit nga afro 80 mijë banorë në rreth 50 mijë banorë, e rrethit të Hasit nga 20 mijë banorë në rreth 15 mijë banorë. Në përshpejtimin e ritmeve të largimit ndikim ka dhënë edhe niveli në rritje I korrupsionit. “Tashmë emërimi në një vend pune bëhet vetëm nëse je i afërm i ndonjë militanti socialist, apo I ndonjë drejtuesi të lartë. përndryshe edhe pse mund të kesh mbaruar shkëlqyeshëm arsimin e lartë askush nuk të përfill. Ndërsa testet që po kryhen, apo konkurset janë vetëm sa për t’i hedhur hi syve komunitetit”,- thotë kandidati për mësues Remzi Sefa. Remziu tregon se niveli I koprrupsionit sa vjen dhe ëhstë rritur, aq sa sot ai është bërë mbytës. Në këto kushte, vetëm largimi drejt emigracionit të shpëton familjen.                                           

 

SHKARKO APP