Brisida Shehaj: Rama, njeri i surprizave. Dorëhiqem nga Tatimet për detyrë më të mirë

Kryeministri Edi Rama ua besoi për të disatën herë mbledhjen e parave për buxhetin e shtetit dy zonjave. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe ajo e Doganave do të drejtohen nga Vasilika Vjero dhe Bejla Ikonomi, pas largimit të Briseida Shehajt dhe Pranvera Fagut. Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve ka dhënë dorëheqjen dy ditë më parë, pasi i është propozuar një post më i lartë. Në një prononcim për “Gazetën Shqiptare”, Shehaj shpjegon faktin se pse vendosi të largohet nga Drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve pasi e mbajti për më shumë se tre vjet këtë detyrë. “Kryeministri ynë është njeri i surprizave. Mora propozimin për një detyrë më të mirë dhe dhashë dorëheqjen nga Drejtoria e Tatimeve. Akoma nuk e kam marrë me shkrimin vendimin për emërim në detyrën e re. Motivi i largimit nga Tatimet është sigurisht detyra e re, që është më e mirë”, – tha Shehaj.

TATIMET E DOGANAT

Pas disa periudhave të vështira për realizimin e planit në Tatime e Dogana, 8- mujori i fundit ishte më afër pritshmërive të qeverisë. Të ardhurat në buxhetin e shtetit janë rritur me 7.2% gjatë periudhës janar-gusht, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të ardhurat buxhetore për periudhën 8-mujore arritën në 265.7 miliardë lekë më shumë krahasuar me 8-mujorin e vitit 2015. Të ardhurat nga TVSH-ja kanë shënuar rritje në masën 6.8% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Akciza u zgjerua me 6.2%, si rrjedhojë e rritjes së importeve të mallrave të akcizës, dhe tatimi mbi të ardhurat personale me 12.1%. /Gazeta Shqiptare/

SHKARKO APP