Brutti, sporchi e cattivi

 

Nga Virgjil Muçi

Teksa shihja në televizor pamjet rrëqethëse të eksodit më të fundit të këtyre kohëve në brigjet e Italisë e të Rodit: gra, fëmijë, të rinj, qenie pamoshë e paseks, m’u kujtua titulli i një filmi të hershëm të Ettore Scola-s, i cili, për hir të së vërtetës, bënte fjalë për italianët e varfër të jugut që dyndeshin drejt veriut të pasur, ndaj dhe, siç i thonë një fjale, i vjen pas kresë këtij shkrimi. “Çfarë këqyr në sytë e tyre?” thashë me vete. Frikë e uri! Frikë për atë çka lënë pas – luftë, dhunë, vdekje – dhe uri – mallkimi që i ka (për)ndjekur qysh nga dita kur kanë lindur dhe ardhur në këtë botë. Dhe kronistët me zërin asnjanës vijojnë me statistikat që të kallin datën e të lemerisin me saktësinë dhe ftohtësinë e tyre, nëntëqind këtu e shtatëqind atje. Të gjithë qenie pa emër. Pa llogaritur këtu ata që lënë kockat, herë pas here, pa u rënë në sy mediave. E gjithë këto pamje vijnë e shfaqen para syve tanë si një déjà vu që përsëritet deriad nauseam; nga krupa, nga dhimbja, nga indiferenca, nga tmerri.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ç’është e vërteta, as që kisha menduar të ulesha e të shkruaja këto radhë, jo thjesht e vetëm ngase kam diçka tjetër nëpër duar, diçka, thënë mes nesh, që i shkon më për shtat dhe që e kam më për zemër në rubrikën time, por edhe ngaqë tragjeditë e kohëve postmoderne seç kanë diçka hollivudiane që, nga njëra anë të trishtojnë, por, nga ana tjetër të lënë disi dyshues kur i sheh në ekran. Ndonëse të kapërthyer në meskinitetin e politikës e të parvenyve mediatikë në shërbim të saj, por edhe të brengave dhe halleve të prekshme të njerëzve, ne shqiptarët s’mund të heshtim shpërfilltazi për këtë tragjedi njerëzore. Sidomos ne: Ne që shastisëm botën mbarë me eksodet tona të fillimviteve nëntëdhjetë; Ne që përjetuam një prej tragjedive më të mëdha në historinë tonë të re, atë të mbytjes së të Katërtit të Radës tok me gjynahqarët që ndodheshin në të; Ne që për vite me radhë kemi qenë bregu nga niseshin emigrantët, shqiptarë e të huaj, drejt ëndrrës e zhgjëndrrës; Ne që jemi aq pranë, fizikisht e shpirtërisht dhimbjes së atyre që kanë humbur të afërmit në hekatombat e Mesdheut; Viktima të pafajshme të iluzionit për një jetë më të mirë sull’ altra sponda. (Në parantezë: Ende nuk kemi ngritur një shtatore në kujtim të shpirtrave të njerëzve të humbur, çka, me hidhërim për veten, vura re që e kishin bërë fqinjët tanë italianë.); Ne që edhe sot e gjithë ditën braktisim plëng e katandi për të marrë rrugët e botës, edhe pse jemi të lirë të udhëtojmë e gjezdisim kryq e tërthor Europës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Mos vallë ndodhemi përballë një dyndjeje të re barbarësh, si ajo që shkatërroi Perandorinë Romake? Zor se mund ta thuash, me siguri. Veç një gjë është afërmendsh: Lindja e Mesme është në zjarr e flakë dhe Europa nuk mund të kthejë kryet mënjanë duke thënë, unë nuk kam gisht në këtë gjë. Siç thoshte me të drejtë Erri de Luca, një shkrimtar italian: “S’mund ta ndalosh një njeri që po i digjet shtëpia të hidhet nga dritarja për të shpëtuar kryet”. Ndërkohë që ua hapim dyert kanat më kanat sheikëve të petrodollarëve, shprehej Emma Bonino, se na vijnë për hosh paratë e tyre për investime, veçmasi në kohë krize, ndërkohë që zmbrapsim me neveri si të gërbulosur të varfrit e po asaj bote. Kështu që problemi nuk janë vetëm luftërat dhe mungesa e stabilitetit politik në vendet e origjinës, por edhe skamja e varfëria, zgjebja e përjetshme e mjerimit të këtyre njerëzve dhe e vendeve nga vijnë.

Gazeta "Mapo"

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?