BSH-ja, ndryshon rregullat për licencimin e bankave

Këto ndryshime parashikojnë forcimin e kritereve për licencimin e bankave e degëve të bankave të huaja, ku është shtuar dukshëm kontrolli mbi situatën financiare të vendit të origjinës së bankës. Sipas ndryshimeve, Banka e Shqipërisë, përveç përcaktimeve të mëparshme me ligj shqyrton dhe bën një analizë të:

a) kushteve ekonomike dhe politike të vendit ku do të ushtrojë veprimtarinë dega, agjencia ose filiali;

b) tipareve të sistemit bankar dhe/ose financiar të vendit ku do të ushtrojë veprimtarinë dega, agjencia ose filiali;

c) skemës së mbikëqyrjes bankare në vendin ku do të ushtrojë veprimtarinë dega, agjencia ose filiali, si dhe aftësisë së autoritetit të mbikëqyrjes bankare në këtë vend, për përmbushjen e këtij funksioni;

d) legjislacionit dhe praktikave të kontabilitetit që zbatohen në vendin ku do të ushtrojë veprimtarinë dega, agjencia ose filiali.”

Ndryshimet parashikojnë që Banka mund të investojë mbi 15 për qind të kapitalit të saj rregullator në kapitalin e një personi juridik që nuk ushtron veprimtari bankare, vetëm me miratimin paraprak të Bankës së Shqipërisë. Në këtë rast, banka paraqet në Bankën e Shqipërisë kërkesën përkatëse të shoqëruar me dokumentacionin e mëposhtëm:

a)vendimin e asamblesë së aksionerëve të bankës për investim në kapitalin e institucionit financiar; b) relacionin shoqërues me përmbajtjen e investimit që synohet, si edhe strategjinë e bankës; c)mënyrën e realizimit, masën e tij, si dhe arsyet e kësaj pjesëmarrjeje;d)marrëveshjen e lidhur midis bankës dhe institucionit financiar për pjesëmarrjen në kapital; e)parashikimin mbi treguesit mbikëqyrës si rrjedhojë e investimit (mjaftueshmëria e kapitalit, kapitali rregullator, ekspozimi), si dhe efektet financiare.

Banka e Shqipërisë ndërpret procedurat e shqyrtimit të kërkesës për miratim në rast se të dhënat dhe/ose dokumentacioni i kërkuar për miratim nuk plotësohet nga subjekti brenda 6 (gjashtë) muajve pas datës së aplikimit fillestar për marrjen e miratimit. Në rast të ndërprerjes së procedurës së shqyrtimit të kërkesës për miratim, Banka e Shqipërisë njofton me shkrim subjektin. Subjekti ka të drejtë të kërkojë rifillimin e procedurës së miratimit paraprak duke paraqitur dokumentacionin e ri”. Banka e Shqipërisë mund të refuzojë ofrimin e shërbimeve bankare dhe/ose financiare ndërkufitare jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të njoftuara nga banka, në rastet kur vlerëson se:

a) nuk janë krijuar sistemet e përshtatshme për administrimin në vazhdimësi të rrezikut që rrjedh nga këto shërbime, të cilat përfshijnë, por nuk kufizohen në faktorë të tillë si:

i) rreziku i vendit ku do të ofrohet ky lloj shërbimi; ii) rreziku i përputhshmërisë (rreziku ligjor); iii)kuadri ligjor dhe rregullativ i vendit ku do të ofrohet ky lloj shërbimi;

iv)standardet e kontabilitetit në vendin ku do të ofrohet ky lloj shërbimi; v)  përfitueshmëria dhe sfidat në ofrimin e këtij lloj shërbimi.

b) nuk janë zbatuar kërkesat për publikimin e informacionit të nevojshëm për këtë lloj shërbimi për klientët, sipas kategorive të mëposhtme:

i)emri i bankës dhe vendndodhja e zyrës qendrore të saj (ose zyrave lokale nëse është e aplikueshme);

ii)autoriteti mbikëqyrës i vendit të origjinës;

iii)mjetet e kontaktit të klientëve me qendrën e shërbimit të klientëve lidhur me problemet mbi shërbimin ndaj klientelës për ankesat, etj.;

iv)mundësia e aksesit në skemat e zgjidhjes së ankesave të klientëve në rrugë jashtë gjyqësore;

v)çdo lloj informacioni që mund të nevojitet ose kërkohet sipas juridiksionit të vendit ku do të ofrohet ky lloj shërbimi; si dhe c)në çdo rast:

i)kapitali bazë i bankës, si rezultat i ofrimit të këtij shërbimi bie nën nivelin e shumës së kapitalit fillestar minimal të kërkuar nga Banka e Shqipërisë;

ii)gjendja financiare e bankës, që ushtron veprimtari bankare dhe financiare në Shqipëri, është vlerësuar nën nivelin mesatar sipas klasifikimit “CAMELS” ose “CAELS” më të fundit;

iii)raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të bankës, me ofrimin e këtij shërbimi bie nën nivelin minimal të kërkuar;

iv)ofrimi i këtij shërbimi vë në rrezik pozitën financiare, mbikëqyrëse apo vazhdimësinë operacionale të bankës, mbështetur në para-shikimet për tre vitet e para për këtë lloj shërbimi.”.

SHKARKO APP