BSH: Rritet besimi i individëve në ekonomi, por për biznesin jo

Teksa për individët shqiptarë rezulton se është rritur paksa së fundmi besimi tek ekonomia dhe pritshmëritë e saj, duket se një gjë e tillë nuk ka ndodhur me kategorinë e biznesit, besimi i së cilës paraqitet i pandryshuar. Kjo dukuri reflektohet nga Vrojtimi i Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit për tremujorin e katërt, 2015, publikuar nga Banka e Shqipërisë. Konkretisht sipas tij, referohet se treguesi i besimit të konsumatorëve u rrit me rreth +0.9% në tremujorin e katërt të vitit 2015, duke u pozicionuar lehtësisht mbi mesataren e tij afatgjatë. Kushtëzuar kjo sipas ekspertëve nga balanca e blerjeve të mëdha që u rrit me rreth +4.6%. Sikundër, zhvillime pozitive thuhet se u shënuan gjithashtu në pritjet e konsumatorëve për situatën e përgjithshme ekonomike në vend +1.2%. “Nga ana tjetër, kontribut negativ në ndryshimin e nivelit të treguesit të besimit në ekonomi për konsumatorin dha përkeqësimi i pritjeve për situatën financiare në tremujorin e ardhshëm, -1.2 %, si edhe rënia me -0.9% e balancës së situatës së të ardhura/shpenzime”, argumentojnë më tej ekspertët e BSH-së. Kurse duke iu referuar situatës në të cilën gjendet kategoria e biznesit sa i përket pritshmërisë në ekonomi, ata raportojnë se treguesi i ndjesisë ekonomike si i tillë, mbeti pothuajse i pandryshuar në tremujorin e katërt të vitit 2015, duke shënuar një rritje të lehtë me vetëm +0.1% në krahasim me tremujorin e tretë. Aktualisht sipas tyre, niveli aktual i TNE-së shënon vlerën 102, duke qenë 2 pikë mbi mesataren afatgjatë. “Ecuria e TNE-së gjatë tremujorit të katërt u ndikua nga zhvillime me kahe të kundërta të sektorëve që e formojnë atë. Nga njëra anë, në rritjen e TNE-së kontribuuan përmirësimi i besimit në sektorin e industrisë dhe të ndërtimit dhe disi më pak rritja e besimit konsumator dhe të sektorit të tregtisë. Nga ana tjetër, rënia e besimit të shërbimeve dha kontribut negativ”, sqarojnë mes të tjerash ekspertët e Bankës së Shqipërisë.

VLERËSIMI

“Ecuria e treguesit të besimit të konsumatorëve gjatë tremujorit të katërt u ndikua nga zhvillime me kahe të kundërta të sektorëve që e formojnë atë. Nga njëra anë, në rritjen e TNE-së kontribuuan përmirësimi i besimit në sektorin e industrisë dhe të ndërtimit dhe disi më pak rritja e besimit konsumator dhe të sektorit të tregtisë. Nga ana tjetër, rënia e besimit të shërbimeve dha kontribut negativ”, sqarojnë mes të tjerash ekspertët e Bankës së Shqipërisë.

SHKARKO APP