Bursa, “dritare” për investitorët – Crawford: Qeveria të listojë shoqëritë aksionere
Hapja e bursës së parë private në Shqipëri do të jetë një dritare për gjithë investitorët e huaj. Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, u shpreh në një intervistë për TV SCAN, se efektet e hapjes se bursës do të jenë pozitive për biznesin, por do të ndryshojnë edhe mentalitetin e publikut. Sipas tij, edhe qeveria mund të kontribuojë në ngritjen e bursës, duke listuar së pari shoqëritë aksionere.
“Ne ishim duke luajtur futboll në një fushë, nuk ishim duke përdorur të gjitha opsionet që janë normale për një ekonomi kapitaliste. Nëse ke para, ke likuiditet, duhen disa mjete për ta mobilizuar këtë. Ndërsa mjetet në Shqipëri janë të kufizuara vetëm tek bankat, atëherë ekonomia nuk do të lulëzojë. Besoj që qeveria mund të ndihmojë duke listuar një pakicë të disa kompanive”, u shpreh Crawford për SCAN.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare licencoi bursën e parë private ALSE, në muajin korrik, ndërsa hapja e saj pritet të jetë në muajt në vijim. Ajo shihet si një zhvillim shumë i rëndësishëm për tregun financiar shqiptar, pasi iu mundëson bizneseve të rrisin kapitalin duke tërhequr aksionerë të rinj. Nga ana tjetër, investitorët do të kenë mundësinë të investojnë në një treg të rregulluar, që ofron besim dhe transparencë të plotë.