Busti u rrëzua 25 vjet më parë, por Enveri akoma jo

Nga Mentor Kikia- 25 vjet me parë shqiptarët bënë atë që as në ëndërr nuk e kishin menduar, rrëzuan dhe i hipën përsipër bustit të Enver Hoxhës, para të cilit, me dëshirë apo pa dëshirë, ishin përulur, përlotur e ngazëllyer me radhë.

Kanë kaluar 25 vjet nga ajo ditë.

Një cerek shekulli!

Cfarë mund të ndodhë në 25 vjet?

Vetë Enver Hoxha, kur i referohej mizerjes së vendit që drejtonte, thoshte: Vetëm 40 vjet kemi që jemi çliruar, por armiqve tanë 40 vjet u duken 40 shekuj. Si është komunizmi?- pyesnin shqiptarët.

Të ndërtojmë njëherë socializmin, pasi komunzimi është faza e fundit, ajo është parajsa.

Por kur përfundon ndërtimi i socializmit? Prisni, se vetëm 40 vjet kemi që e kemi nisur.

25 vjet pas rrëzimit të komunizmit, ne themi se jemi akoma në tranzicion. Po kur do të përfundojë tranzicioni? Prisni, vetëm 25 vjet kemi që rrëzuam komunizmin.

Dhe ne presim, numërojmë qeveritë, numërojmë parlamentet…
Për 25 vjet Gjermania e pas Luftës së Dytë Botërore, ku u shkatërruan edhe kanalet e ujerave të zeza, ishte bërë sërish superfuqi.

Cerek shekulli është një gjeneratë. Bien dhe mëkëmben sisteme e shoqëri. Por ne jemi akoma në tranzicion…

25 vjet pas rrëzimit të diktaturës ne merremi ende me Enverin.

Sa e sa seanca plenare në parlament janë shndërruar në beteja idojte duke u zënë për Enverin. Kush e ka adhuruar më shumë, kush e ka urryer më shumë, kush i ka shërbyer më shumë e kush ka përfituar më shumë nga Enveri dhe komunizmi.

Diktaturën e rrëzuam, por duket se Enverin e kemi ruajtur si mjet të sherrnajës politike, si justifikim se përse nuk kemi bërë përpara.

Çerek shekulli pasi Enveri u tërhoq zvarrë, në të gjithë kuptimet, ai sërish eshtë mes nesh, për të na justifikuar tranzicionin qe s’po e përfundojmë dot kurrë.

Cdo qeveri që vjen thotë: Historia nis këtu. Por Enveri mbetet, ai trashëgohet nga njëra palë politike tek tjetra.

Nuk tha kot Ramiz Alia në fjalimin përurues të bustit që u rrëzua sot e 25 vjet më parë.

”Enveri nuk ka vdekur, ai rron e do të rrojë në jetë të jetëve, në mendjet dhe zemrat tona”.

SHKARKO APP