Buxheti 2015/ Cani: Synohet rritje e qëndrueshme ekonomike

Ai foli në forumin për paketën fiskale të 2015-ës që u mbajt këtë mbrëmje nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri.

Sipas Canit, veçori e buxhetit është se synon uljen e rreziqeve makrofiskale që trajtohet sidomos me uljen e borxhit, i cili nis nga viti 2015.

Ndër veçoritë e tjera të buxhetit, Cani renditi reformat në pensione dhe energji, të cilat ministri i konsideroi si thelbësore, por edhe të anashkaluara prej vitesh nga të gjitha qeveritë.

Ministri tha se në periudhën afatmesme planifikohet edhe shlyerja e të gjitha detyrimeve të prapambetura, ndërsa theksoi angazhimin e qeverisë për të mos krijuar të reja. Po ashtu, tha ai, në buxhetin e vitit që vjen është reflektuar edhe reforma administrativo-territoriale.

Duke u ndalur në shifra, ministri Cani vuri në dukje se të ardhurat për vitin 2015 llogariten 412 miliard lekë, shpenzimet 470 miliard lekë, ndërsa defiçiti 60 miliard lekë. Po ashtu, Cani bëri të ditur se investimet publike llogariten sa 5 % e PBB-së.

Por, ministri tha se në paketën legjislative për vitin 2015 janë parashikuar disa lehtësi për nxitjen e sektorit privat, përmirësimin e procedurave tatimore dhe konsolidimin e financave publike. Ministri paraqiti 10 pika të ndërhyrjes në paketën fiskale të vitit 2015. Së pari, tha ai, hiqet TVSH për sigurimet dhe zëvendësohet nga taksa prej 3 % për primin bruto.

Me këtë lëvizje, tha ai, shkohet drejt standardeve europiane.

“Së dyti rritet renta minerare për pushtetin vendor, e përkthyer në gjuhë shifrash 4-fishi i asaj që ka përfituar deri tani pushteti vendor.

Gjithashtu, ulet taksa për rafineritë vendase dhe reduktohet renta minerare me qëllim nxitjen e sektorit minerar. Po ashtu, ulet taksa doganore për gomat e automjeteve nga 15-10 % dhe përjashtohet nga taksa për të ardhurat personale kontributi për pensionet vullnetare”, tha kreu i Financave Publike.

Cani tha se merret parasysh edhe kërkesa e biznesit për të njohur firot dhe amortizimet.

“Vendoset kontrolli mbi bazë risku për rimbursimin e TVSH-së. Për agropërpunimin dhe biznesin në bujqësi rimbursimi i TVSH-së shkon në masën 20 % nga 6 % që është.

Bëhet zero tarifa doganore për lëndët e para dhe mallrat masivë në bujqësi si gruri, mielli etj. Dhe së fundmi, sektori i peshkimit përjashtohet nga taksa e qarkullimit dhe karburantit”, tha ai

SHKARKO APP