Bylykbashi: Reforma zgjedhore është detyrim kombëtar, BE e kërkon që të jetë transparente
Nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi thotë se për reformën zgjedhore opozita është e gatshme të kontribuojë seriozisht në këtë proces, por mungon vullneti politik nga ana e mazhorancës. Bylykbashi theksoi se në çdo rast të mëparshëm, me përjashtim të vitit 2021, komisioni i reformës zgjedhore është miratuar me unanimitet, dhe e cilësoi hipokrizi çdo qëndrim që do ta bllokonte këtë proces nga opozita.
”Nëse opozita nuk do ta votonte, do ishte hipokrizi e madhe, sepse kemi gjysmën dhe të drejtën e vetos. Raporti i fundit i ODIHR është shumë i detajuar dhe flet hapur për përdorimin e shtetit në zgjedhje, administrata si patronazhim, përdorimi i fondeve publike e bonuseve për qëllime elektorale. Kjo është një detyrë e madhe që duhet adresuar”,-tha në ”News 24”.
Ai shton edhe se sistemi aktual zgjedhor, i miratuar në vitin 2020, është “sistemi Gjiknuri”, që sipas tij vret demokracinë parlamentare dhe pluralizmin politik. ”Ne nuk kemi përgjegjësi për një sistem që u imponua pa konsensus. Ky sistem duhet ndryshuar, përndryshe Shqipëria do të mbetet me një demokraci të deformuar”.
Ai përmendi se Bashkimi Europian dhe opinioni publik po ushtrojnë presion të lartë për të pasur një reformë zgjedhore funksionale, transparente dhe përfshirëse. ”Ne do të bëjmë maksimumin tonë. Tani mbetet për t’u parë nëse Partia Socialiste do të ketë vullnet të vërtetë politik. Fryma është e rënduar dhe në këtë klimë, edhe përjashtimi i opozitës nga komisionet nuk përjashtohet”.
KOHA JONË SONDAZH

