Cani: Eurobondi duhej marrë, tregon se na vlerësojnë

 

Eurobondi i emetuar pak ditë nga qeveria shqiptare për 450 milionë euro është pjesë e një strategjie të gjerë që synon lehtësimin e financimit të borxhit publik.

Kështu u shpreh sot ministri i Financave, Shkëlqim Cani, në një konferencë për shtyp, duke e vlerësuar këtë si një ngjarje të rëndësishme, ku sipas tij, marrja e eurobondit bëhet për 2 qëllime. Së pari, të zëvendësojë eurobondin e vjetër të vitit 2010 prej 300 milionë euro. Së dyti, shuma e mbetur prej 150 milionë eurosh është e mjaftueshme, që ne të tërhiqemi nga tregu i brendshëm.

Cani tha gjithashtu se kjo bëhet në mënyrë që të lihet hapësirë për biznesin, që të mund të marrë huanë e nevojshme. Kjo shumë prej 150 milionë eurosh do përdoret për shpenzime kapitale, ose operative, pra për nevojat e buxhetit.

Ministri i Financave sqaroi se pavarësisht se nga ç‘thuhet ka 24 vjet rresht që Shqipëria kur bën buxhetin e vitit të radhës del me deficit, ashtu si do jetë dhe buxheti i vitit 2015 dhe ai i 2016.

“Kjo nënkupton që të ardhurat që realizojmë nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet, ndaj na duhet doemos borxh. Nuk kemi arritur asnjëherë që të dalim me sufiçit dhe kjo ndodh dhe me shumë vende, edhe me ato të zhvilluara”.

"E rëndësishme është që niveli i rritjes ekonomike të jetë më i lartë se niveli i borxhit që marrim", përfundoi ministri.

 

SHKARKO APP