Cani: Ja pse mungojnë 15.5 miliardë lekë nga të ardhurat
Në takimin e posaçëm të organizuar mes strukturave qeveritare që do të përfshihen në aksionin kundër informalitetit, ministri i Financave, Shkëlqim Cani gjeti rastin t’u japë përgjigje edhe akuzave të opozitës mbi mungesën e 160 milionë eurove në mbledhjen e taksave në dogana dhe tatime.
Cani tha se mungesa e këtyre të ardhurave lidhet me faktorë që nuk varen as nga administrata doganore e tatimore dhe as nga qeveria shqiptare.
Ministri i Financave mori zë për zë duke argumentuar se kryesisht kjo shumë mungon në buxhet për shkak të uljes së çmimit të naftës dhe mineraleve në tregjet ndërkombëtare, ndërsa pjesa tjetër lidhej me uljen e importit të energjisë dhe prodhimeve bujqësore, të cilat kanë dhënë efekt në uljen e të ardhurave në buxhet, por kanë efekt pozitiv në ekonomi.
“Me përgjegjësinë qeverisë dhe transparencën e publikut nuk është e vërtetë se mungojnë 15.5 miliardë lekë në buxhet. Do t’i marr sot zë për zë. Pas një analize të plotë të gjendjes, 15.5 mld lekë që mungojnë, janë për shkak të uljes së çmimit të naftës dhe mineraleve në tregjet ndërkombëtare dhe çmimet në këto tregje nuk varen nga qeveria shqiptare. Mbi 2 mld lekë mungojnë nga ulja e importit të energjisë. 1.2 mld lekë mungojnë nga ulja e interesit bankar, që ndikojnë në zhvillimin ekonomik për mirë, edhe pse na japin më pak të ardhura. 730 mln lekë mungojnë për shkak të lehtësirave fiskale në importin e makinerive dhe lëndëve të para për të prodhuar sa më shumë në vend. Humbën diçka nga të ardhurat, por fituam më shumë prodhim në ekonomi. 500 mln lekë mungojnë nga importi i ushqimeve sepse bujqësia po prodhon më shumë. 44 përqind është rritur eksporti i mallrave bujqësore. Humbëm gjysmë miliardi, por fitojmë shumë nga prodhimi vendas. 2.2 mld lekë i mungojnë buxhetit për arsye se TVSH e rimbursuar me sistemin automatik kemi rimbursuar më shumë ndaj biznesit duke i dhënë atë që i takon, ndryshe nga ç’ishte bërë nga qeveritë e shkuara. Hoqëm dorë nga mbajtja e asaj që i takon biznesit. 2 mld lekë mungojnë nga taksa e qarkullimit, karbonit dhe ambalazhit”, tha Cani.
Ministri Cani tha se ashtu si reformat e tjera të qeverisë, edhe beteja kundër evazionit fiskal dhe informalitetit synon të vendosë në një stabilitet afatgjatë zhvillimin makroekonomik të vendit.