Cani, letër bizneseve të rregullta: Faleminderit që paguani!
Ministri i Financave Shkëlqim Cani u ka dërguar ditët e fundit letra falenderimi bizneseve që janë identifikuar si taksapagues të rregullt dhe kanë qenë korrekt me legjislacionin.
“Përmes kësaj letre, dëshiroj që t’ju shpreh mirënjohjen e sinqertë në promovimin që po i bëni modelit të ndershëm dhe të rregullt të sipërmarrjes në Shqipëri.
Lufta që qeveria jonë i ka shpallur informalitetit, nuk synon vetëm mbledhjen e sa më shumë kontributeve dhe të ardhurave, por në radhë të parë, kërkon që të krijojë kushtet e konkurrencës së ndershme, ku te gjithë sipërmarrësit trajtohen në mënyrë të barabartë, përpara rregullave dhe ligjit.
Unë dëshiroj, jo vetëm t’ju falenderoj për kontributin që keni dhënë dhe vazhdoni të jepni përmes taksave që paguani, por edhe t’ju inkurajoj që të vazhdoni të respektoni institucionet shtetërore.
Unë jam besimplotë se vetëm duke luftuar informalitetin pa kompromis, ne do të arrijmë të nxisim edhe më shumë zhvillimin ekonomik dhe të krijojmë së bashku një mjedis sa më të përshtatshëm për të bërë biznes”, thuhet në letrën që ministri i financave u ka dërguar bizneseve.
Sipërmarrësit, të vlerësuar, por kërkojnë që taksat t’u kthehen mbrapsht me shërbime.
Sipërmarrësit, që kanë marrë letrën e falenderimit pohojnë se ndihen të vlerësuar, pasi është hera e parë që kontaktohen direkt nga institucionet shtetërore. Ata shpresojnë gjithsesi që ky vlerësim të mos mbetet vetëm në letër, por t’u kthehet mbrapsht si në formën e shërbimeve ashtu dhe më pak kontrolleve në dogana e tatime.
“Ministria mund të krijojë një bazë të dhënash me taksapaguesit e rregullt, apo ata që deklarojnë paga të larta dhe ata të pajisen me karta, që u mundësojnë të marrin shërbime edhe në spitale private, apo të marrin kompensim për arsimimin e fëmijëve”, propozon një nga sipërmarrësit, që ka marrë letër falenderimi nga ministri i financave.