Cani: Më 1 shtator nis aksioni i madh kundër informalitetit
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka zhvilluar të shtunën një bashkëbisedim me gazetarët, ku ka patur në fokus luftën kundër informalitetit, si dhe zbardhi strategjinë e kësaj nisme që përfshin dimensione të ndryshme refomative. Më 1 shtator do të nisë aksioni i madh kundër informalitetit, tha ministri i Financave, Shkëlqim Cani, duke theksuar se në qendër të këtij aksioni do te jete biznesi i madh. Ministri Cani u shpreh se ”Në Shqipëri ka aktualisht 100 mijë biznese aktive. Rreth 33% e biznesit është e pafiskalizuar dhe niveli i informaliteti është tek 50%. Ky aksion synon rritjen e të ardhurave që do të ndihmojë qeverinë në disa drejtime”.Në vijim të fjalës se tij, Cani theksoi se “1/3 e biznesit është e pa kristalizuar. Ky është një aksion si ai me energjinë, por ka specifikat e veta, që fillon me vetëdeklarimin, pasi fushata ka filluar herët në komunikim me biznesin, por vetëdeklarimi është baza. Kjo reformë ka filluar në nëntor me hartimin dhe miratimin e draftit, pasi është marrë mendimi i biznesit, por janë edhe faktorët ndërkombetarë si, FMN dhe Havardi, por si bazë ka ministrinë e Financave dhe institucionet e varësisë, si dhe ministrine e Ekonomisë dhe ate te Brendshme”.
“Në qendër të këtij aksioni është biznesi i madh, por dhe bizneset e mesme dhe bizneset e vogla, duke filluar nga karburantet, duhani, por dhe biznesi i vogël me kuponin tatimor. Verifikimi do të nisë me konstatimin e kasës, kush lëshon kupon tatimor dhe verifikon nëse është apo jo me akcizë. Në këtë aksion do të jenë shumë njerëz të specializuar dhe rezultati i pritshmërisë parashikohet tek 430 milionë dollare. Kjo do të krijojë mundësi edhe për rritjen e pagave dhe pensioneve”, tha Cani.