Cani: Nuk do të ketë më rritje taksash, vetëm rregullime
Ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani, gjatë disa takimeve pune në Qarkun e Korçës ka pohuar se nuk do të ketë me rritje taksash, por vetëm rregullime ligjore, ndërsa paketa fiskale e vitit 2017 do miratohet më shpejt, në mënyrë që t’u lihet kohë bizneseve të përshtaten.
Takimin e parë z. Cani e ka zhvilluar me Shoqatën e Biznesit të Vogël të Shqipërisë. Në këtë takim, midis të tjerash, z. Cani bëri të ditur angazhimin e ministrisë së Financave për të hartuar, mundësisht brenda muajit korrik 2016, paketën e re fiskale që shoqëron buxhetin e vitit 2017.
“Ne synojmë që, pasi të kemi miratuar paketën fiskale të vitit 2017, gjatë verës (deri diku nga fundi i muajit tetor), të ketë mbaruar e gjitha paketa dhe aktet nënligjore, në mënyrë që biznesi të ketë kohë të mësojë dhe ta dijë se cilat janë ndryshimet që hyjnë në fuqi në 1 janar 2017”, – tha z. Cani.
Ministri shpjegoi se nuk bëhet fjalë për taksat. “Rritja e taksave nuk është më në axhendën e qeverisë, por mund të ketë rregullime, (dhe për këtë kërkojmë ndihmën tuaj), kryesisht do të jenë masa administrative, rregullative, organizative, që do përmirësojnë klimën e biznesit. Ndaj jemi të hapur t’ju dëgjojmë që tani”, – këmbënguli ministri Cani.
Ministri Shkëlqim Cani iu tha anëtarëve të kësaj shoqate se propozimnet e biznesit duhet të marrin në konsideratë edhe ndryshimet që mund të sjellin efekte në buxhet. “Ne kemi detyrim që të ruajmë deficitin, të ulim borxhin, ndaj duhet t’i shikoni në të dy kahet propozimet tuaja”-, tha z. Cani.
Duke folur për ndryshimet e realizuara në paketën aktuale fiskale, ministri u ndal në mbështetjen e realizuar për bujqësinë, duke ndryshuar 20% TVSH-në, në mënyrë që edhe fermeri të përfitojë, por dhe grumbulluesi të ketë interes për ta marrë mallin, për arsye se i rimbursohet TVSH. Më parë i rimbursohej vetëm 6%, 14% duhet ta mbulonte vetë grumbulluesi dhe ishte më me interes ta importoje mallin, sesa ta mblidhje nga vendi”, – sqaroi ministri i Financave. Ai e vlerësoi këtë si një ndryshim pozitiv. Po të tillë ministri vlerësoi edhe lehtësitë e realizuara në sektorin e peshkimit, atë të ndërmarrjeve me material porositësi, etj.
Në vijim të fjalës së tij, ministri Cani u ndal edhe te çështja e informalitetit.
“Antiinformaliteti është një lëvizje e tërë, nuk është se e nisëm në korrik-gusht, bëmë evidentimin dhe kaq. Kjo është një betejë që nuk do ndalet. Ne kërkojmë mirëkuptimin tuaj për këtë çështje, ne jemi të vendosur në luftën ndaj informalitetit, ne nuk mund ta pranojmë atë”, – tha ministri.
Duke folur për strategjinë antiinformalitet, ministri nënvizoi se vetëm para pak ditësh është miratuar plani operacional për vitin 2016 dhe se tani është konturuar një fazë e dytë. Ministri shpjegoi edhe hollësi teknike për këtë fazë të luftës kundër informalitetit.
Duke u ndaluar tek buxheti i vitit 2016, ministri Cani tha në takim se “kemi shumëfishuar buxhetin për ujitjen dhe kullimin. Kemi hequr mënjanë në buxhet një fond që ndahet në dy zëra: 1) për të subvencionuar, pra për të ulur normat e interesit të kredive që do merren për bujqësinë dhe agropërpunimin në 0-2% dhe 2) meqënëse bujqësia kreditohet me vështirësi nga sistemi bankar, bashkë me BERZH, kemi planifikuar një fond, i cili do të jetë garancia, nëse sektorë si bujqësia, blegtoria, pyjet, agropërpunim etj nuk e shlyejnë kredinë në kohë. Ne shpresojmë të shumëfishohet kredia”, – tha z. Cani.
Ministri i Financave, në vijim të takimeve të tij në qarkun e Korçës ka takuar biznese dhe individë në biznes që kanë bërë sukses me sipërmarrjet e tyre si dhe i është përgjigjur interesimit të medias lokale dhe qëndrore, duke i sqaruar gazetarët për çështje të ndryshme.