Celibashi: Mazhoranca dhe opozita të dakordësohen sa më shpejt për Kodin e ri Zgjedhor
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, u shpreh ditën e sotme se mazhoranca dhe opozita duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të pasur ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
“Mendoj që mazhoranca mbi të gjitha dhe opozita duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të pasur ndryshimet që duhet të dakordësohen sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse Reforma Zgjedhore do të vijojë të shtyhet dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor do datojnë vetëm disa muaj para zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, pasi atyre po i referohem, mendoj që do të jemi në të njëjtën situatë. Dikush do fitojë zgjedhjet, ai që do humbasë do kontestojë dhe do thotë që i humbëm për këtë ose për këtë arsye”, tha Celibashi.
Sipas Celibashit, nëse Kodi i ri Zgjedhor miratohet brenda një viti, ka premisa të mira për standardin e zgjedhjeve të ardhshme. Gjatë konferencës që u mbajt ditën e sotme për 30-vjetorin e partneritetit të Shqipërisë me Komisionin e Venecias, Celibashi foli dhe për përbërjen e komisioneve zgjedhore dhe tha se ka ardhur koha për të larguar përbërjen vetëm politike dhe partiake të këtyre komisioneve.
KOHA JONË SONDAZH

