Çështja çame si pazar Rrogozhine
Nga Gëzim Zilja
Ditë më parë kryetarët e PDIU-së Tahir Muhedini, kryetar nderi dhe Shpëtim Idrizi kryetar, u shprehën veç e veç për zgjedhjet lokale dhe pretendimet e kësaj partie për ato zgjedhje. Të dy duke hiperbolizuar forcën e PDIU-së, që sipas Idrizit është katërfishuar kërkuan pesë bashki: Rrogozhinën, Peqinin, Patosin, Shijakun dhe Konispolin. Të vetëdijshëm për forcën e tyre ata u shprehën hapur që janë duke pritur ofertat e partive të mëdha për të bërë një koalicion parazgjedhor të mundshëm. Nëse Muhedini është i drejtpërdrejtë dhe është duke pritur ofertat nisur nga përputhshmëria e programeve me partitë e tjera, duhet të pohojmë se PDIU-ja nuk ka paraqitur ende një program të detajuar për zgjedhjet lokale të muajit qershor. Përgjithësisht programet e partive në zgjedhjet vendore kanë të bëjnë me qeverisjet lokale në të gjithë territorin shqiptar, mbi zhvillimin e tyre ekonomik, kulturor, shoqëror, turistik, urbanistik etj. mbi një program të mirëmenduar. Programi i PDIU-së të paktën ai i deklararuari dhe i shkruari është i pesë viteve më parë dhe nuk ka të bëjë fare me zgjedhjet vendore. Nuk ka aty një plan zhvillimi dhe menaxhimi p.sh të Shijakut, Patosit, Peqinit, Rrogozhinës apo Konispolit.
Sa i përket deklaratave të Idrizit ato shquhen për një frazeologji të ngarkuar dhe temp revolucionar. Ai kërkon me ton të prerë të mos i pyesin fare se më kë janë në koalicion sepse ata e kanë koalicionin me sovranitetin dhe dinjitetin e partisë së tyre, me kauzën e të gjithë shqiptarëve dhe me aspiratën kombëtare.!? Vështirë të kuptohet një shqipe e tillë edhe pse kauza e tij ndryshon nga ajo që shpreh kryetari i Nderit. Unë nuk kuptoj se çdo të thotë Kryetari i PDIU-së se partia e tij “është parti e nxitësve të shpresës dhe janë duke shikuar (vrojtuar apo hulumtuar shën.im) sesi t’i bashkojnë shqiptarët’’. Punë të mëdha paska marrë PDIU-ja këtë rradhë në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar në këtë pragzgjedhjesh vendore. Nëse kjo parti po shikon mundësitë për të bashkuar shqiptarët le të sqarojë përse e ka fjalën, për shqiptarët brenda Shqipërisë që kanë 25 vjet që bëjnë gër e ham me njeri tjetrin, apo me ata të Kosovës, Maqedonisë e Malit të zi, pra janë për Shqipërinë e Madhe. Por kjo aspiratë fillon (realizohet) me zgjedhjet politike, duke siguruar të paktën 71 vota në parlament.
Sidoqoftë në programin e deklaruar të PDIU-së nuk flitet as për gjëra të tilla. Thënie të tilla të përgjithshme si: aspiratë kombëtare, koalicion me vetveten, refuzim i të qenit vegjeterian në aleancat paszgjedhore, është mirë të sqarohen në të ardhmen. Kjo me qëllim që elektorati i PDIU-së të jetë i qartë për këto nisma kombëtare e ndërkombëtare për zgjimin e bashkimin e shqiptarëve e për nxitjen e shpresës. Kontributit i PDIU-së në reformën zgjedhore ishte krijimi i një Çamërie të Vogël, Konispol+Xarrë+Markat me qendër në Konispol dhe qasja me PS-në në kundërshtim me aleatin e madh PD-në, që i dha pesë mandate PDIU-së, Shpëtim Idrizin direkt në Fier (vendi i tretë në listë) dhe katër të tjerë si rezultat i zbatimit të formulës së koalicionit parazgjedhor. Por ajo që të bën përshtypje dhe të vret në këtë tollovi fjalësh e deklaratash të dy krerëve çam është se togfjalëshi “Çamëri’’, “Çështja çame’’ apo thjesht fjala “çam’’ mungon plotësisht. Nuk mendoj se është harresë. PDIU-ja me të pesë deputetët e saj qysh pas zgjedhjeve të 2013 është inegzistente në parlament dhe nuk ka ndërmarrë asnjë nisiativë ligjore për këtë çështje madhore. Gjithë kohën janë konstatuar pirueta apo akrobacia të lidershipit çam, rreth kryeministrit aktual për të përfituar apo marrë pjesë në qeverisje. Deri tani nuk ka dalë gjë, por po doli si thotë dhe Muhedin Tahiri ata gati janë. A e ka më në rend të ditës PDIU-ja çështjen çame? Nëse kërkon pesë apo më shumë bashki, cili është përfitimi i elektoratit çam për zgjidhjen e problemit të tyre? Do të ketë më shumë vende pune dhe të emëruar çamë në ato bashki? E ku janë pikat e takimit këtu me zgjidhjen e problemit çam?