Çfarë domethënë të lexosh me përgjegjësi?

 

Nga Ndue Ukaj

Letërsia gjithmonë shtron pyetje, dilema, sepse natyra e saj shpirtërore është e tillë, e papërcaktuar, dhe kalon përtej dogmave, doktrinave, sistemeve të ngurta, dhe në mënyrë konstante vazhdon të bëjë jetën autonome brenda shoqërisë njerëzore. Fuqia e saj është e pamatshme, ndaj s’ka arritur asnjë diktaturë, ideologji a pushtet që ta kontrollojë plotësisht, përkundër tendencave të tilla që ka pasur përgjatë historisë. Me fuqinë e epërme, shpirtërore, letërsia ka triumfuar përballë diktaturave më mizore, sepse është produkt i shpirtit, do të pohonte Georg Vilhelm Friedrich Hegeli. Pa dyshim, letërsia mbetet një nga format më të larta të komunikimit njerëzor dhe si veprimtari shpirtërore, vazhdon të ushtrojë ndikim të përhershëm në formimin e identiteteve të caktuara të individëve dhe bashkësive dhe gjatë historisë ka luajtur rol ta pamatshëm në emancipimin e njerëzimit. Ajo, me të drejt, vlerësohet të jetë ndërgjegjja më e emancipuar e njerëzimit, ndaj të shkruarit me përgjegjësi të lartë artistike, etike e intelektuale, është një kërkesë e përhershme që shoqëria ia vë shkrimtarit, që nga antika e këndej. Në këtë aspekt, është proverbial mendimi i Platonit për shkrimtarët. E shkrimtar i jashtëzakonshëm, Franc Kafka në përkim me këtë,  thoshte se nuk ka letërsi të madhe pa të vërtetën dhe moralin. Në këtë kontekst, mund të pohojmë se letërsia e mirë, gjithmonë i kërkon të vërtetat e vjetra; të vërtetat e amshueshme, të përhershme e të tejkohshme, ato të vërteta që priren nga universalja. Në këtë sens, shkrimtari William Faulkner, këshillon për një letërsi të bazuar te dashuria, nderi, dhembshuria, krenaria, mëshira, sakrifica, te vuajta, te dramat jetësore, etj.

Sa rrekemi të përsiasim për këto tema – gjithsesi komplekse – futemi nëpër labirinte të komplikuara dhe na dalin përpara një sërë dilemash e pyetjesh: Ç’është ajo që i jep vlerën specifike një poezi apo romani? Pse përjetimi i një vepre, është më i mirë se i një tjetre? Ç’ është vlera? Pse parapëlqejmë të lexojmë për njerëz e gjera që s’i njohim, për ndodhi e tregime që paraprakisht e dimë se objektivisht janë të pavërteta? E në fakt, kjo është ajo çfarë e diferencon letërsinë nga komunikime tjera dhe mu këtu qëndron fuqia e magjia e saj.

Dihet, letërsia, s’ka ndonjë funksion praktik në jetën e njeriut, e kërkon gjithmonë të pamundshëm, shpeshherë anën e errët të qenies njerëzore, realitetin e transfiguron në iluzion dhe iluzionin në realitet letrar; me një gjuhë joshëse, tërheqëse, magjepsëse, tunduese. Duke shtruar gjithmonë pyetje të tilla, përherë ka kërkuar e provuar të jep përgjigje për relacionin që krijon ajo me shoqërinë, individin dhe politikën; me të cilën zakonisht është gjendur në konflikt. Në këtë mes, një rol ndërmjetësi, siç e kishte parapa qysh në antikë Aristoteli – luan kritiku – lexuesi i letërsisë, ai që e riprodhon veprën letrare ne një formë tjetër, kur përsiat apo shkruan për të.

Çfarë domethënë të lexosh me përgjegjësi?

Viteve të fundit diskutohet mjaft për kërkesat etike ndaj letërsisë. Shkrimtarët, vihen para përgjegjësisë publike, për prodhimin e tyre shpirtëror -veprën letrare, por e njëjta gjë s’ndodh për lexuesin, gazetarin e kulturës, atë që jep gjykime dhe vlerësime të caktuara për vepra letrare. Ndaj, sot, një gazetë apo televizion i madh, mund ta nxisë famën e një autori minor dhe mund ta pengojë famën e një autori të mirëfilltë, që bën jetë murgu.

Duke u nisur nga kjo premisë, studiues të ndryshëm, si Derek Attridges, gjithnjë e më shumë pyesin për përgjegjësinë që ka lexuesi karshi veprës letrare, për faktin e thjeshtë, se, asnjë vepër s’mund të kuptohet pa marrëdhënien që ajo e krijon me lexuesin, sidomos me lexuesit që i përkasin dijes së letërsisë; të tillët që me tekstet e tyre për shkrimtarë a vepra të caktuar, marrin qëndrime publike; pra i riartikulojnë mesazhet e autorit dhe veprës.

Cili është roli i lexuesit dhe kritikut në marrëdhënien mes shkrimtarit dhe publikut? Cili është ai lexues që e shkruan gjysmën e veprës: është lexuesi i rëndomtë, lexuesi që lexon për kënaqësi apo ai lexuesi model e i kultivuar, që kalitet me kryevepra letrare, lexon e rilexon dhe letërsinë e ka profesion? Nëse ka përgjegjësi lexuesi, atëherë natyrshëm shtrohet pyetja: E ç’nivelit është ajo përgjegjësi? Është përgjegjësi etike apo profesionale? Apo te dyja bashkë? Pa e përvijuar asnjëherë përgjegjësinë e shkrimtarit për tekstin që e shkruan, ka kritikë bashkëkohorë që pyesin: A duhet shtruar dhe shtuar kërkesat për lexuesin dhe nëse po, cilat duhet të jenë kërkesat etike dhe kulturore për një lexues? Për lexuesin profesional, për kritikun letrar, për një lexues që e përzgjedh një libër vetëm për dëshirë të veten. Këto përsiatje, të çojnë te pyetja thelbësore: Çfarë domethënë të lexosh me përgjegjësi? Përkitazi me këto që thamë më sipër dhe në funksion te temës që kam parashtruar, po sjell dy mendime që i vlerësoj të rëndësishme për këtë debat: I pari vjen nga shkrimtari suedez, Torgny Lindgren, i cili thotë: “Shkrimtari shkruan vetëm gjysmën e librit, do të mund të thuhej, ndërsa për pjesën tjetër kujdeset lexuesi. Në të vërtetë, janë lexuesit ata që i japin cilësi një libri. Një lexues i mirë, bën të dëgjohet çdo libër. Një lexues i keq mund ta pengojë çdo libër.” Ndërsa mendimi tjetër vjen nga studiuesi Michail Bachtin, i cili pohon: “Shkrimtari është i burgosur në epokën e tij, në kohën e tij. E ardhmja e liron atë nga kjo robëri, ndërsa shkenca e letërsisë, është thirrur ta ndihmojë që të lirohet.” Në përkim me këto dy referenca, lexuesi duhet të kujdeset për pjesën tjetër të veprës, së cilës mund t’i japë cilësi dhe po ashtu mund ta pengojë. Lexuesi, gjithashtu duhet ta ndihmojë shkrimtarin të lirohet nga “burgu” në të cilin e vendos epoka e tij.

Nga kjo rezulton se përgjegjësia e lexuesit të kultivuar; e atij që e lexon një libër me synimin që të shkruajë për të, është e barasvlershme me atë të shkrimtarit. Lexuesi i kultivuar, nëpërmjet mendimeve për një libër apo për një autor, krijon një realitet të ri për librin e autorin dhe kësisoj ndërhyn drejtpërdrejtë në marrëdhëniet letrare e kulturore të një letërsie. Kjo pastaj ndikon në hierarkinë letrare të një kulture dhe në identitetin e saj. Ndaj, ky lexues, duhet të lexojë me përgjegjësi, etikë të lartë dhe përgatitje profesionale, sepse, me mendimet dhe qëndrimet e tij, ai formëson një realitet të ri kulturor. Të jemi të qartë: Jo domosdoshmërisht, ky realitet ndikon në rritjen apo ndëshkimin e një libri të caktuar në shoqëri, por, gjithsesi vlerësimi që i bëhet një vepre specifike, mund ta shtytë apo ta pengojë lexuesin e kënaqësive, atë të rëndomtin që t’i qaset apo jo një libri a autori. Në fakt, përvoja e letërsisë njeh shembuj të gjithfarshëm, që kalojnë përtej këtyre evidencave; njeh shembuj sesi kryevepra dhe shkrimtarë të caktuar janë anatemuar në një kohë dhe vepra e autorë të dobëta janë lartësuar. Sa për rikujtesë, mjafton të shtegtojmë në Shqipërinë komuniste, ku fabrikoheshin shkrimtarët dhe lartësoheshin deri në qiell dhe në anën tjetër mënjanoheshin shkrimtarët e mirëfilltë. Mirëpo ç’ngjet kur sistemet përmbysen dhe lexuesi është i lirë? Ata e gjejnë letërsinë e mirë, ashtu siç ndodhi në Shqipëri. Lexuesi sapo u “çlirua” nga mendimi institucional për letërsinë, ai gjeti një letërsi tjetër nga rendi i parapërcaktuar. Kështu ndodhi me rikthimin e bujshëm të shumë shkrimtarëve të anatemuar, të cilët, mendimi për letërsinë tentoi t’i zhbënte. Pra, mendimi për letërsinë ka fuqinë e një lloj navigatori që e çon lexuesin te letërsia dhe libri. Mirëpo, nëse e çon te vepra e gabuar, ç’ngjet atëherë? A ndodh refuzim për veprën, letërsinë dhe si gjykohet në këtë rast puna e kritikut?

Lexuesi i kënaqësive dhe ai i specializuari

Përveç leximit me qëllim të caktuara, që bëjnë kritikët dhe studiuesit e letërsisë, ekziston edhe kategoria tjetër e lexuesve, e atyre që lexojnë për kënaqësi dhe sipas mendimit tim, ky lexim gjithandej në botë, është më i popullarizuar. Janë mijëra lexues që kalojnë net të tëra në vetmi dhe udhëtojnë në imagjinatën e “Komedisë Hyjnore”, “Faustit”, “Hamletit”, “Krimit dhe ndëshkimit”, “Ana Kareninës”, “Procesit”, “Pallatit të ëndrrave” dhe të dhjetëra kryeveprave të mëdha të letërsisë së përbotshme, me të cilat vepra argëtohen, kënaqen dhe prej të cilave përvetësojnë kënaqësi estetike, dije e kulturë. Kjo kategori lexuesish lexon për t’u argëtuar, për të marrë informacion e dituri. Njësoj nuk vepron kategoria e tjetër e atyre që lexojnë me një qëllim të përtejmë: për të shkruar; lexues këta të cilët gjithashtu përfitojnë nga vepra letrare të njëjtat frute, por që synojnë të krijojnë edhe realitete kulturore në një mjedis të caktuar.

Po e përsërisim: përgjegjësia e shkrimtari, në raport me veprën e tij, është e vetëkuptueshme. Ai është nën observim të vazhdueshëm të opsionit kulturor e letrar. Mirëpo, një gjë e tillë, nuk shtrohet kaq ashpër, ndaj atyre që krijojnë mendime për shkrimtarët, sepse ata kanë një liri të pakufishme me të cilën e gjykojnë një vepër letrare; lirinë e interpretimeve, siç thotë Umberto Eco. Dijetarë të letërsisë, thonë se mendimi për tekstin mund të ndryshojë, madje edhe nga vetë autori (E. D. Hirsch). Nga pikëpamja historike, ndryshimi ndodh nga epoka në epokë, mirëpo ai ndodh edhe nga perspektiva e leximeve psikologjike; nga leximi në lexim, mendim të cilin e pohonte edhe Borgesi kur fliste për përvojat e tij të leximit. Kjo të çon ka mendimi se letërsia është e amshueshme, ndërkaq  mendimi për të- kritika- mund të jenë e gabuara, ndaj kërkohet vazhdimisht korrigjime, nëpërmjet leximeve dhe rilexime të reja.

Kritika e mirë dhe letërsia shqipe

Tash, shtrohet pyetja tjetër, mjaft sfiduese: cilat janë kërkesat për një kritik të mirë dhe a ka të tillë letërsia shqipe, për letërsinë e trashëgimisë dhe për bashkëkohoren?

Dhe për fund, po e zbresim debatin në rrafshin tonë letrar dhe të përsiasim për këto tema, në të cilat s’jemi sa duhet të rryer. Dihet, mendimi letrar shqiptar është relativisht i vonshëm dhe si i tillë, s’ka ndonjë traditë të pasur. Ndaj, letërsisë shqipe, të shumtën e herëve i kanë munguar lexuesit e kultivuar, ata të cilët është dashur ta shkruajnë pjesën që u takon. Për pasojë, rendi i vlerave letrare është ngritur e përmbysur më shumë sipas kërkesave të kohës sesa nga përvoje letrare. Njëherë, duhej afirmuar letërsia me prirje misionarike e programore, ndaj edhe fokusi i mendimit kulturor ishte në këtë drejtim, mirëpo, në shumësinë e vlerësimeve të tilla, ka munguar përqasja artistike për veprën dhe kontekstin e saj. Kështu, kemi përjetuar dhe lexuar vlerësime skematike me nuanca të dominuara ideologjike, glorifikuese ose mohuese dhe pak vlerësime mbi premisa të qarta teorike e kritike. Për pasojë, në taborin e shkrimtarëve të pavlerësuar estetikisht, janë burgosur shumë autorë, vetëm pse predimensionimi i kritikës letrare ka shkuar në disfavor të tyre.

E njeh apo s’e njeh letërsia shqipe leximin me përgjegjësi, çështja kërkon analiza e stërhollime. Gjer më tani, përgjegjësia zakonisht iu është kërkuar më shumë shkrimtarëve, mirëpo kritiku, lexuesi, është privuar nga kjo përgjegjësi. Është koha që edhe ai të lexojë me përgjegjësi, të ndihmojë që të shkruhet pjesa që i takon.

Ka kohë që theksohet nevoja për rivlerësimin e tërësishëm të korpusit të letërsisë shqipe. Një gjë e tillë mund të bëhet, vetëm atëherë kur të mbërrijmë të lexojmë me përgjegjësi etike dhe profesionale. Deri atëherë, lexuesit e kënaqësive, duhet të hulumtojnë letërsinë pa ndjekur instruksionet navigatorëve që mund t’i shpien te libri i gabuar.

Gazeta "Mapo"

SHKARKO APP