Çfarë duhet bërë që të shmangen përmbytjet?

Nga Hazis Porja

 

Përmbytjet e dekadës se fundit dhe në veçanti të këtyre ditëve janë një mësim i pashmangshëm për shoqërinë dhe politikën. Sot jemi në pikën me kritike, por duhet të llogarisim se një katastrofë e pashmangshme na pret të nesërmen dhe në vazhdimësi.

Këto të dy dekada, të nxitur nga etja dhe dëshira për të jetuar sa më mire dhe tek disa njerëz për tu pasuruar sa më shumë, çuan në atë që më shumë për arsye mentaliteti por dhe nga keq qeverisja pati abuzime dhe shkatërrime kolosale dhe të pariparueshme të natyrës. Që nga viti 1994, por në veçanti pas vitit 1997 abuzimi me natyrën ka qenë monstruoz dhe katastrofike, veprim që sot natyra shqiptare po na e servir në mënyrë të pamëshirshme dhe dhimbjen më të madhe. Janë dëmtuar dhe djegur qindra mijëra hektarë me pyje, janë shkatërruar kullotat, tokat bujqësore janë lënë djerrë dhe pa asnjë masë sistemimi e kanalizimi, janë tjetërsuar dhe shkatërruar shtretërit e lumenjve dhe të përrenjve, janë zënë me ndërtime dhe nuk është bërë asnjë investim ne kanalet kulluese dhe pak në ato vaditëse, janë shkatërruar brezat mbrojtës pyjore dhe argjinaturat detare, të lumenjve dhe të rezervuarëve, ka një kaos të veprimeve dhe ndërtimeve pa asnjë lloj kriteri, garancie dhe perspektive.

Dhe ja natyrës tani i sosi durimi dhe kërkon domosdoshmërisht t`i njihet roli dhe funksioni i saj ose në të kundërt ajo po dorëzohet, dorëzimi i natyrës sot, sjell nesër zhdukjen e jetës se gjallë, vetëkuptohet dhe të shoqërisë njerëzore.

Shkatërrimi i pyjeve e kullotave, mos punimi dhe sistemimi i tokave bujqësore, solli rritjen e intensitetit dhe të shpejtësisë së rënies së reshjeve mbi sipërfaqen tokës dhe për pasojë dhe gërryerjen maksimale të dherave, ku këto të fundit me ndihmën e reshjeve shumëfishojnë nga 50 deri në 100 fish prurjet e ndryshme në shtretërit e përrenjve e lumenjve. Dëmtimi dhe shkatërrimi i shtretërve të përrenjve e lumenjve solli ndryshimin e drejtimit të rrjedhjeve tradicionale, krijimin e vorbullave dhe të saltrove rrymore duke rritur forcën dhe shpejtësinë e rrjedhjes dhe të gërryerjeve, aluvionet mbushën shtretërit e tyre dhe për pasojë ujërat do të dilnin nga shtrati i tyre tradicional. Ndërtimet pa kriter, mospastrimi dhe shërbimet në kanalet kulluese, vaditëse, diga dhe argjinatura solli shkatërrimin dhe mos funksionimin e tyre, dëmtimi i brezave mbrojtës pyjor bregdetar dhe ato në anë të rrugëve e të qendrave urbane solli përpirjen dhe kripëzimin e tokave bregdetare, moçalizimin e kënetave, dëmtimin e akseve rrugore dhe të disa qendrave urbane.

Këto pasoja janë paralajmëruar shpesh dhe me zë të lartë nga specialistët e mirëfilltë të këtyre fushave, por zëri i tyre nuk u dëgjua kurrë nga politika e shurdhët dhe dritëshkurtër e qeverisjeve. Më e tmerrshmja politikëbëresve ju çirrte veshin mendimi i specialistëve të mirëfilltë dhe me përvojë të këtyre fushave, për pasojë jo vetëm nuk e dëgjuan zërin e tyre por bënë krimin më të madh duke i larguar ato nga puna, profesioni dhe pasioni i tyre dhe duke i zëvendësuar me militantë. Politika e gabuar me burimet natyrore dhe me specialistët e mirëfilltë të këtyre fushave në veçanti me ato të pyjeve, ujërave dhe bujqësisë ka çuar në gjendjen e sotme katastrofale.

Për të parandaluar katastrofa të tilla për të sotmen, por domosdoshmërish për të ardhmen e jetës njerëzore pazgjidhmërisht të kushtëzuar nga mjedisi natyror në të cilin do të jetojmë ne ofrojmë zgjidhjet, mendimin, kontributin dhe përvojën profesionale për shmangien në të ardhmen të këtyre fenomeneve. Duhet të fillojë menjëherë pyllëzimi i sipërfaqeve pyjore të dëmtuara, të djegura, të eroduara dhe të rrëshqitshme kryesisht me farë por dhe me fidane të llojeve ekzigjente drunore dhe me shkurre e bimë të ndryshme pioniere që kanë vetinë kryesore frenimin në mënyrën më të shpejtë të erozionit dhe të rrëshqitjeve siç janë llojet gjethembajtës halore e fletore, si pishat, mimozat, ilqet, akacia; shkurret e ndryshme të përherë të gjelbërua, mareja,dafina, hipofaja, gjineshtra, fermana, trëndafili i egër, murrizat, dëllinjat, bimët barishtore shumëvjeçare si tërfili, loliumi, rozmarina etj. Duhet të nisë me emergjence sistemimi i përroskave e përrenjve duke ndërtuar prita malore me mure të thate e brez betoni, me gardhë tek e çifte, me pragje me shkurre dhe mbushja e gjithë brazdave të vogla e vatrave të reja e të cekëta të erozionit me shkurre e bimësi barishtore shumëvjeçare. Ky veprim të kombinohet dhe me metodën biologjike duke mbjellë gjatë prroskave e përrenjve kalema shelgu, plepi, fermane, trëndafili e lloje të tjera llastarizuese. Të fillojë menjëherë riparimi i dëmtimeve të shtretërve të lumenjve, disiplinimi i tyre në shtretërit tradicional, riparimi dhe ndërtimi i argjinaturave dhe pyllëzimi i brigjeve dhe pjesërisht të shtratit të tyre me shelg, plep, verri, eukalipt e të tjera bimë të përshtatshme të këtij ekosistemi. Të fillojë vendosja nën kulturë e tokave bujqësore, sidomos atyre të abandonuara, ndoshta dhe me kultura foragjere por ama toka të punohet për të rritur efektin thithës të reshjeve dhe të sistemohet me kanalet kulluese dhe veprat për mbrojtjen e tyre nga erozioni siç janë gardhet, muret dhe pragjet mbrojtës me plisa bari. 

Këto janë masat e domosdoshme dhe të provuara si shumë efikase nga përvoja jonë për disa dekada dhe kemi bindjen e plotë që do të jenë tepër efikase për një periudhe afatshkurtër e afatmesme me ndërhyrje të mëtejshme dhe afatgjata jo vetëm për frenimin dhe parandalimin e këtij fenomeni por dhe me efikasitet ekonomik, biodiversiv, ekologjik dhe mjedisor. Këto metoda dhe mënyra të rekomonduara përveç efikasitetit të qëndrueshëm ekologjik dhe mjedisor sipas përvojës tonë kanë një kosto 2 deri 3 herë më të ulët se metodat e përdorura në mënyrë sporadike dhe pa asnjë lloj efikasiteti deri më sot.

*Inxhiner, ekspert në fushën e pyjeve  dhe mjedisit

SHKARKO APP