Çfarë fushate i shkon Halim Kosovës?
Nga Alfred Lela
Pengesën e parë që i nxjerrin doktor Halim Kosovës për fitoren në Tiranë janë një numër votash. Nëntëdhjetë mijë të tilla. Kaq është ndryshimi në votë popullore mes koalicionit të majtë dhe të djathtit në zgjedhjet e qershorit 2013.
Zbritja e parë që i bëhet ‘rezultatit në letër’ është lloji i zgjedhjeve: parlamentare ato e vendore këto. E dyta, erozioni elektoral i mazhorancës që qeveris vendin prej dy vitesh. E treta zbritje vjen prej vetë profilit të kandidatit, ajo çka është Halim Kosova si njeri e si profesionist. E katërta, duhet bazuar te një dilemë për t’u zgjidhur, nga stafet e komunikimit politik: si do të konturohet ligjërimi i këtyre zgjedhjeve vendore: si administrative apo politike?
PD e PS kanë yshtur një paradoks me kandidaturat e Tiranës. Halim Kosova nuk është kandidat partiak, edhe pse vjen si ofertë e opozitës, së cilës thuhet se i intereson që zgjedhjet e fundqershorit të jenë politike. M’anë tjetër Erion Veliaj është kandidati politik i mazhorancës së cilës, me gjasë, i intereson natyra administrative e zgjedhjeve.
Përpjekjet për ta paraqitur z. Kosova si ‘politik’ dhe z. Veliaj si ‘administrativ’ vetëm sa do i bjerrin profilet e secilit. Si zgjidhet atëherë kjo kontradiktë?
Vetëm duke mos e ushqyer. Duke e lënë secilin në natyrën e vet.
Kosovës i shërben ta paraqesë Tiranën si ‘qytet të parasë’ dhe të flasë vazhdimisht mbi atë se si do ta kthejë në ‘qytet të jetës’. Është një humanist në fund të fundit dhe i shkon ky ligjërim.
Çfarë të kuptojmë me ‘qytet të parasë’? Asgjë më shumë se atë që na shohin sytë përditë: betonin që ka zënë parqet dhe që zgjatet drejt qiejve; mizërinë e makinave dhe mungesën klithëse të parkingjeve; transportin e varfër publik; qytetërimin e humbur të së gjelbrës; kaosin e rrugicave dhe lagjeve; pluhurin që nuk u ndahet flegrave dhe mushkërive; biçikletat që janë edhe më të pakta se Apollot e nisura nga amerikanët për në orbitë. E shumë derte të tjera urbane që ofshajnë përditë banorët e Tiranës.
‘Qyteti i jetës’ është kur i merr e i përmbys të gjitha ato që u shënuan më lart.
Duhet pra një frenim i babëzisë, një pakt kundër ‘Aleancës së Betonit’, një qytet i banorëve dhe jo i atyre që e zotërojnë, e dhjesin dhe shkojnë e blejnë vila për veten në periferi ose jashtë Shqipërisë.
Halim Kosova mund ta prezantojë ofertën e kësaj ideje. Nuk është se të tjerë para tij, majtas e djathtas, nuk e kanë paketuar këtë dëshirim të qytetit. Ndoshta z. Kosova ka më pak interesa dhe më pak grupe interesi që i rrinë mbrapa për ta mbajtur Tiranën ‘qytet të parasë’.
I duhet t’i thërrasë fëmijës brenda vetes. Gjithë fushatës së tij do t’i shkonte emblema e Tiranës si ‘qytet i jetës’, pra si ‘qytet i fëmijëve’.
Halim Kosova di diçka për fëmijët dhe jetën.
Gazeta "Mapo"