Çfarë i mungon SHISH në luftën kundër terrorizmit?
Nga Ferit Metuku
Politika e ndryshimit pas viteve ‘90 pati ndikimin e vet edhe në zhvillimin e Institucionit të Shërbimit Informativ Shtetëror. Një tregues pozitiv dhe mjaft i rëndësishëm për këtë institucion është dhe krijimi i marrëdhënieve me shërbimet partnere perëndimore e në veçanti të SHBA-ve. Në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, krimit ekonomik e korrupsionit, ka patur një produkt informativ cilësor. Drejtoria e Antiterrorit është njësia kryesore dhe materializimi konkret i bashkëpunimit me Shërbimet Sekrete Amerikane, në luftën kundër terrorizmit rajonal e global. Plotësimi i strukturës organike të kësaj Drejtorie me elementë që kanë etikën profesionale dhe cilësi të larta të personalitetit, tregon për një seriozitet e respekt në marrëdhëniet me këtë partner kryesor, për arsye të cilit sot SHISH është pjesë e shërbimit global të informacionit. Formimi, trajnimi dhe rinovimi i metodës së punës të oficerëve, kryhet nga specialistë me përvojë në Institutin e SHISH. Personeli mësimdhënës dhe formimit profesional i këtij institucioni janë me aftësi të kompletuara. Këtij institucioni nuk i kanë munguar profesionistët me kualifikim shkencor në fushën e jurisprudencës, njohjes së marrëdhënieve ekonomike, si dhe të teknikave dhe teknologjisë së zhvillimit të aspekteve të veprimtarisë antiligjore në nivelin e objektit të punës që ka SHISH.
Reformat e kryera, kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë e veprimtarisë informative të këtij Institucioni. Shqipëria nuk është më e lidhur pas korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve, por tashmë, ajo është anëtare e denjë e NATO-s dhe vetëm një hap larg integrimit në BE, duke realizuar e plotësuar kështu edhe ëndrrën si një vullnet të palëkundur të mbarë shqiptarëve kudo ndodhen. SHISH e ushtron veprimtarinë e tij tërësisht në përputhje me ligjin. Dhe, për vetë natyrën e punës që ka ky Institucion, veprimtaria e Tij, kurrsesi nuk mund të bëhet publike, por informon vetëm Institucionet dhe organet përkatëse, pasi kjo garantohet me ligj. Ngjarjet e fundit në Francë kanë vënë në lëvizje, si në mbarë shtetet e botës, edhe Shqipërinë. Disa ditë më parë Kreu i shtetit z.Bujar Nishani, u mblodhën në një takim kreu i Qeverisë dhe Drejtues të Institucioneve të sigurisë kombëtare, ku u diskutua për analizimin e situatës në vend dhe marrjen e masave për luftën kundër terrorizmit si dhe për parandalimin e çdo akti që lidhet me këtë dukuri. Në këtë takim doli si domosdoshmëri bashkëpunimi dhe koordinimi i punëve i të gjithë Agjencive dhe Institucioneve ligjëzbatuese në vend por dhe të Institucioneve të tjera partnere, për të vlerësuar dhe marrë masa në lidhje me rrezikun e sulmeve terroriste nën shqetësimin se Shqipëria është një vend i ekspozuar ndaj këtyre sulmeve. Alarmi mbarëbotëror për rrezikun nga ekstremistët islamikë, të cilët mund të kryejnë sulme terroriste, pas kthimit nga luftimet në Siri dhe Irak, ka bërë që SHISH, institucioni më i rëndësishëm në vend, të përforcojë masat për të mbajtur nën kontroll çdo situatë të pakëndshme që mund të krijohet nga elementë që i përkasin këtij kontingjenti. SHISH, si institucioni më me eksperiencë dhe i specializuar në luftën kundër çdo fenomeni apo dukurie që cenon sigurinë kombëtare, nisur dhe nga ngjarjet e fundit në vend, ka intensifikuar marrjen e masave të menjëhershme për rritjen e gatishmërisë në zbulimin dhe parandalimin e akteve që cenojnë sado pak sigurinë në vend.
Gjendja e sigurisë në Shqipëri, kërcënimi nga terrorizmi dhe krimi i organizuar, xhihadizmi ekstremizmi dhe terrorizmi ndërkombëtarë, rreziqet dhe kërcënimet që paraqiten nga armatimi, municionet dhe eksplozivat e shumta që posedojnë elementët kriminal, kontrolli më i detajuar i pasagjerë nëpër porte dhe aeroporte, kontrolli i kufirit, largimi nga interneti i postimit me përmbajtje terroriste, evidentimi dhe mbajtja nën kontroll i elementëve me precedent penal, vendosja e kamerave të sigurisë nëpër ambientet apo mjediset e nevojshme etj., janë disa nga masat që duhet të marrin strukturat shtetërore për sigurinë kombëtare përballë terrorizmit. Eksperienca e SHISH, për sa i përket parandalimit të fenomenit të dërgimit të xhihadistëve, padyshim që do të shërbejë si motiv për rritjen e bashkëpunimit mes të gjitha strukturave, që me ligj garantojnë mbrojtjen e interesave të shtetit dhe shtetasve të saj, duke përfshirë këtu edhe strukturën e re të Antiterrorist në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Bashkëpunimi ngushtësisht i të gjitha strukturave të shtetit në një front të përbashkët, në luftën kundër terrorizmit, do të bëjë të mundur që situata në vend të jetë nën kontroll të plotë, si dhe mundësia e riaktivizimit të shtetasve shqiptarë që janë kthyer nga luftimet në Siri, të jetë e pa mundur. Veçanërisht ky bashkëpunim do të ishte i domosdoshëm në trinomin e Institucioneve më të rëndësishme në vend si SHISH, Prokuroria dhe Policia e Shtetit. Terrorizmi dhe ekstremizmi nuk kanë ngjyrë dhe nuk njohin kufij, ata duhet të luftohen në çdo qelizë. Shqipëria do të vazhdojë të jetë anëtare aktive në luftën kundër terrorizmit ku dhe bashkëpunimi në arritjen e sukseseve në luftën kundër këtij fenomeni që ka prekur botën, është i domosdoshëm. Përballja dhe qasja më e mirë e këtij fenomeni barbar në kohët moderne, kërkon jo vetëm një përgjigje adekuate, por një përballje dhe angazhim të përbashkët. Sa më të bashkuar, të koordinuar dhe motivuar të jenë Institucionet dhe Agjencitë ligjëzbatuese, aq më shpejt do të jetë edhe suksesi. Ky përballim nuk mund të bëhet përveçse përmes angazhimit të këtyre Strukturave. Kur vjen puna për të luftuar terrorizmin dhe krimin e organizuar, si dhe tek nevoja për të bashkëpunuar sa më mirë, si në aksesin në informacion, apo në punën e përbashkët që mund të bëjnë forcat policore, shërbimet inteligjente apo forcat dhe institucionet e zbatimit të ligjit në përgjithësi, është shumë e rëndësishme të konkludohet me një qëndrim të përbashkët. Në luftën kundër terrorizmit, si sfidë e përbashkët, kërkohet angazhim i plotë, aksione, veprime dhe përgjigje të përbashkëta, duke forcuar kështu edhe bashkëpunimin, nëpërmjet mekanizmave së bashku me partnerët. Lufta kundër terrorizmit nuk është thjesht një çështje e sigurisë kombëtare por është një çështje shumëdimensionale. Dhe, lufta ndaj këtij fenomeni, në mbrojtje të sigurisë kombëtare, na përket të gjithëve.