Çfarë mësimesh nxori Ballkani Perëndimor nga raport progresi i BE-së?

 

 

Nga Lavdrim Lita 

Është bërë e zakonshme në vitet e fundit që java ku prezantohet progres-raporti i Komisionit Europian për ecurinë e reformave të vendeve kandidate dhe atyre potenciale të jetë i mbushur me deklarata, analiza dhe premtime. Veçanërisht, është një liturgji europiane për politikanët, gazetarët dhe qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Me të mbaruar java e tetorit e dedikuar për ish-progres-raportit të BE-së gjithçka kthehet si më parë dhe procesi i integrimit europian del nga skena e interesit publik për tu marrë në dorë nga burokratët e zyrave të integrimit.

Për Shqipërinë ky raport i KE-së ishte i dyti pas marrjes së statusit të vendit kandidat. Çelja e negociatave është shtyrë për 2016, gjithmonë nëse realizohen reformat e gjithëpranuara si të domosdoshme, veçanërisht ajo në sistemin e drejtësisë që është kthyer në një nyje gordiane që do të mbysë ose qytetarët ose politikanët. Pesë prioritet e Bashkimit Europian për të çelur negociatat e kapitujve të parë të anëtarësimit nuk janë realizuar përderisa nuk ka hapje të negociatave dhe ka kritika për administratën publike, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për mosrespektimin e të drejtave të njeriut nga ana e administratës shtetërore. Politika shqiptare i përdor raportet e KE si armë për të luftuar ndërmjet tyre dhe jo si dokumente bazë për të themeluar reformat apo strategjitë. Presidenti i Bashkimit Europian Donald Tusk deklaroi në Tiranë se vendi do të duhet të adresojë sfida të jashtëzakonshme. Uji nuk është vënë në zjarr. Për Serbinë ky raport i KE është i dyti pas çeljes së negociatave me BE në 2013. Serbia ka mbaruar fazën e “ekzaminimit” të 30 kapitujve nga 35 gjithsej dhe ka përqindjen më të madhe të harmonizimit të legjislacionit të saj me standardet e BE-së, ndonëse defekte të këtyre kapitujve janë masat e “implementimit dhe monitorimit”. Një problem i rëndësishëm për Serbinë në marrëdhënie me Bashkimin Europian është politika e saj e jashtme, si për Kosovën ashtu për marrëdhëniet e saj të afërta me Rusinë. Nota që BE-ja i dha Serbisë në raport për politikën e jashtme ishte një 6 me hatër dhe jo dhjeta si në fusha të tjera. Pra, dy hapa përpara një hap prapa. Për Maqedoninë ky raport i KE-së ishte i dhjeti pas marrjes së statusit të vendit kandidat në 2005.

Këtë vit Maqedonia kaloi nëpër krizën më të madhe politike pas asaj të 2001-shit, ku bojkotimi i parlamentit nga ana e opozitës u shoqërua me protesta të mëdha dhe ngjarje tragjike si ajo e Kumanovës, për të cilën raporti i KE-së kërkon një hetim të gjithanshëm. Arritjet në reformat nga dekada e kaluar janë dëmtuar nga përzierja reale e politikës në punën e gjyqësorit siç dëshmohet qartë nga përgjimet e ish-shefi të shërbimit sekret dhe kreut të gjyqtarëve. Në raport u theksua se “sfidat serioze të cilat kanë qenë dhe në vitet e mëparshme, tani janë më të theksuara dhe atë që nga kriza më e rëndë politike në vend e vitit 2001, me komunikimet e përgjuara të cilat siç shihet janë të përfshirë funksionarë të lartë shtetërorë, që tregon shkelje e të drejtave themelore të njeriut, përzierje në pavarësimin e gjyqësorit, lirinë e mediave, në zgjedhjet dhe partizimin dhe korrupsionin”. Politika maqedonase dhe ajo shqiptare i përdor raportet e KE për të nxjerrë në pah sesa zi janë ata në qeveri përkundrejt atyre në opozitë. Presidenti i Bashkimit Europian Donald Tusk deklaroi në Shkup se do të mbështesë Maqedoni për integrimin europian. Çuditërisht, Maqedonia ishte më mirë në 2005 sesa sot. Për Malin e Zi ky raport i KE është i treti pas çeljes së negociatave me BE-në në 2012. Mali i Zi ka hapur deri më sot 18 kapituj (2 të përfunduar) nga 35 gjithsej, çka do të thotë se është në rrugë të mbarë në procesin e përafrimit të legjislacionin me Acquis Communuataire. Ndonëse i konsideruar si model për vendet e tjera të rajonit, Mali i Zi nuk është më pak problematik sesa fqinjët e tij në fusha të ndjeshme, si korrupsioni i lartë, krimi i organizuar, abuzim me fondet publike për synime partiake, akuza mbi parregullsi dhe manipulime të pjesshme të zgjedhjeve lokale, dhunë dhe kërcënime qeveritare ndaj gazetarëve, etj. Me një popullsi prej 680 mijë banorë dhe afërsisht 14 mijë metra katrorë shtet, Mali i Zi ka realizuar 93% të detyrave të lëna nga raporti i mëparshëm i Bashkimit Europian.

Për Kosovën ky raport i KE është i dyti për hapjes së negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Dialogu dhe marrëveshjet e Kosovës me Serbinë i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës nënshkrimin e MSA-së. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit erdhi në kohën kur puna e Kuvendit të Kosovës është bllokuar për gati dy muaj nga partitë opozitare. Kosova është i vendi vend në Europë që ka një perspektivë anëtarësime dhe nuk ka liberalizim të vizave. Për shembull edhe Moldavia që nuk ka një perspektivë europiane ka arritur përmes reformave të fitojë liberalizimin e vizave me BE-në. Kosova akoma nuk e ka zjarrin, edhe pse temperaturat janë minus zero. Për Bosnje-Hercegovinën ky raport i KE është i teti pas nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe brenda dhjetorit të këtij viti pritet të dorëzojë kërkesën për aderimin në BE.

Sipas Komisionit Evropian, Bosnja – Hercegovina janë prapa në rrugën e reformave dhe shënoi vendnumëro në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Njëzet vje pas marrëveshjes së Dejtonit, Bosnje-Hercegovina e gjen veten të humbur në errësirën e politikanëve të saj të verbër. Një gjë është sigurt, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mësuar pak nga mësimet e nxjerra të raportit të progresit të Bashkimit Europian. E vërteta është se vendet më me peshë në Bruksel nuk kanë asnjë dëshirë të pranojnë në klubin e tyre shtete të varfra, gjysmë të dështuara dhe që ulin standardet demokratike. Po ashtu, e vërtetë është se asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk e bën veten të dobishëm për Bashkimin Europian. *Autori është gazetar nga Tirana dhe njohës i mirë i rrethanave politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. MA në Kolegjin Europës.

SHKARKO APP