Çfarë mësuam nga vera e stuhishme për ekonominë greke
Nga Wolfgang Fengler
Ka qenë një verë e trazuar këtë vit për Greqinë: bisedimet maratonë me kreditorët në qershor; një referendum për refuzimin e masave të tjera shtrënguese në korrik; pranimi i mëvonshëm i këtyre masave, gjë që çoi kryeministrin Cipras të japë dorëheqjen në gusht; dhe më në fund zgjedhjet e reja parlamentare në shtator, të katërtat qëkur nisi kriza në eurozonë në vitin 2011.
Pjesa më e madhe e kësaj trazire, mbetet e padukshme për vizitorët, që vazhdojnë të dynden në bregdetin grek për pushime. Këtë verë, unë u ktheva në Greqi me familjen time, për herë të parë që prej shpërthimit të krizës së euros. Në pamje të parë, nuk kishte shumë ndryshime në zonat që vareshin nga turizmi.
Kafenetë dhe restorantet ishin aq të këndshme si kurrë më parë. Vendasit vazhdonin të mblidheshin me njëri-tjetrin pasditeve, për fjalosjet e detyrueshme mes tyre. Interneti është i dobët, por gjithësesi njerëzit nuk është se e përdorin shumë. Ka pak vizitorë nga Evropa Qendrore, por ka një ngritje nga vendet më pranë, sidomos nga Serbia dhe Bullgaria.
Por këto përshtypje të çastit nga bregdeti, janë shumë të ndryshme nga peisazhi që sheh, duke shqyrtuar nga afër rezultatet ekonomike të katastrofike Greqisë në shkallë kombëtare. Në vitin 2015, Prodhimi i Brendshëm Bruto, pritet të ngecë në vend ose zvogëlohet sërish (sikurse ka ndodhur çdo vit prej vitit 2008).
Kjo do të thotë se ekonomia e Greqisë në fillim të vitit 2016, do të jetë 25 përqind më e vogël, sesa ishte 8 vite më parë. Kjo është tkurrja më e madh ekonomike e përjetuar nga çdo vend i zhvilluar në botë, që nga Depresioni i Madh në Shtetet e Bashkuara.
Edhe pse për shumë vetë erdhi si një surprizë, tragjedia e re greke ka ekspozuar problemet e rrënjosura thellë prej kohësh. Analizuar përmes bazave themelore ekonomike, Greqia duket në fakt më shumë si një vend në zhvillim sesa një ekonomi i avancuar. Për shembull, vetëm 17 për qind e pronave dhe 6 për qind e tokës në Greqi, është e identifikuar si duhet nëpërmjet hartave dixhitale.
Pavarësisht nga disa përmirësime, veçanërisht në procesin e regjistrimit të biznesit – mjedisi i të bërit biznes mbetet i zymtë:zgjidhja e një mosmarrëveshje tregtare në një gjykatë greke, ende merr 1580 ditë. Kohë kjo e barabartë me vende si Afganistani dhe Bangladeshi, dhe më shumë se tre vjet më tepër sesa duhet në Francë apo Austri.
Portet janë të mbingarkuara:Produkteve greke u duhet mesatarisht 15 ditë për t’u eksportuar – 9 ditë më shumë sesa vendet fqinje, madje edhe ato pa dalje në det si ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Korrupsioni i përhapur dhe evazioni fiskal, mbeten ndërkaq shumë të përhapura.
Kriza greke ka patur jehonë nëpër Europë, duke përfshirë edhe vendin tim, Gjermaninë, e cila ka qenë në qendër të debatit. Laureatë të çmimit Nobel dhe shumë të tjerë, kanë kritikuar qasjen “kontabiliste”’ të negociatorëve gjermane dhe politikave e ndrojtura fiskale të Gjermanisë, në një kohë kur investimet e guximshme në infrastrukturë janë të nevojshme, për të nxitur rritjen ekonomike në të gjithë kontinentin.
Inflacioni thuajse afër zeros në Gjermani, zhyti Europën Jugore në deflacion, teksa ata morën masa për të rregulluar ekonomitë e tyre, dhe kërkuan ndërkohë një mori masash jokonvencionale nga Banka Qëndrore Evropiane për të shmangur rënien e çmimeve në të gjithë eurozonën. Shumë libra do të shkruhen për krizën e euros dhe gabimet e bëra nga të gjithë aktorët. Duke parë përvojën ndërkombëtare me krizën dhe të zhvillimit, dalin në pah 3 çështje:
Mungesa e përqëndrimit tek rritja ekonomike
Ka pasur një keqkuptim të madh mbi burimet dhe simptomat e krizës. Politika fiskale e Greqisë kishte qenë problematike, por mungesa e konkurrencës, “qeverisjes së mirë” dhe institucionet e dobëta janë sfidat themelore. Me fjalë të tjera, nxitësi i defiçitit të llogarisë korrente të Greqisë (më i madhi si përqindje e PBB-së në botën perëndimore) nuk është kryesisht disiplina e shkujdesur fiskale. Përkundrazi, ai buron nga një bazë shumë të dobët e eksporteve (kryesisht produkte bujqësore dhe të turizmit, që varet në një sezon i shkurtër 3-mujor). Thembra e Akilit për Greqinë, mbetet paaftësia për të tërhequr investitorët në fusha të tjera të ekonomisë.
Roli i bankave
Sektorët financiarë funksionues janë jetikë në çdo ekonomi, ashtu si gjaku në trupin tonë. Vendet me një sektor financiar të pazhvilluar vuajnë, dhe kjo është edhe arsyeja pse nuk ka një nxitje të madhe globale në drejtim të axhendës së “qasjes tek financat”.
Drejtuesit e bankave bëjnë me siguri shumë gabime, por është dritëshkurtësi të fajësosh lakminë e bankave si përgjegjëse për krizën. Njerëzit u përgjigjen stimujve. Dhe kjo ishte një përgjigje racionale për shumë pronarë depozitash individuale, të cilët lëvizën paratë e tyre nga Greqia, pasi humbën besimin në rimëkëmbjen ekonomike të vendit, dhe tek sistemet e saj financiare.
Pronësia e reformave
Nuk është i rëndësishëm vetëm lloji i reformave që janë duke u kryer, por edhe se si dhe nga kush po ndërmerren ato. Reformat që imponohen nga jashtë, janë pothuajse gjithmonë më pak të suksesshme sesa ato të kryera nga vetë institucionet vendore.
Në vitet ‘80 dhe ‘90, FMN-ja dhe Banka Botërore përkrahën programet e reformave strukturore në shumë vende në zhvillim. Reformat e propozuara kishim shumë kuptim në aspektin ekonomik, por shpesh ato nuk u zbatuan, për shkak se qeveritë nuk kishin “vulen e vet” në to. Në një vëzhgim më të përgjithshëm, është e lehtë të harrojmë arritjet e mëdha të Evropës.
Unë u rrita në një Evropë të ndarë me kufij. Pushimet e mia familjare në Greqi nga shtëpia jonë në Gjermaninë jugore, përfshinin një udhëtim të pandërprerë prej 40 orësh me makinë, vonesa të gjata në kufi, dhe marrëveshje komplekse për të shkëmbyer monedhën gjatë rrugës. Sot udhëtimi është relativisht i lirë dhe me vetëm 90 minuta fluturim me avion, dhe pa probleme kufijsh.
“Brookings Institute” – Bota.al