Çfarë ndodh me 15 bashkitë që shkrihen? Mazniku jep përgjigje për 3 shqetësimet kryesore të qytetarëve
Reforma Territoriale ku PS kërkon 46 bashki nga 61 që janë aktualisht, po vijon me debate në seancën plenare në Kuvend. Arbjan Mazniku, i cili ka hartuar draftin e PS-së iu përgjigj tri shqetësimeve kryesore të qytetarëve për reformën territoriale: largimit të shërbimeve, humbjes së identitetit të qyteteve dhe përfaqësimit në këshillat bashkiakë. Ai garantoi se bashkimi i bashkive nuk do të largojë asnjë shërbim dhe se projektligji për Reformën Territoriale parashikon se do të ketë një përfaqësim proporcional në parlamentet vendore për 77 qytetet që marrin këtë status.
Tre argumentet e Maznikut
1. Shërbimet nuk do të largohen. I kemi pyetur të gjithë kryetarët e bashkive që kanë qenë pro dhe kundër. U kemi thënë: Na jepni emrin e një shërbimi që prej këtij bashkimi largohet. Asnjë kryetar bashkie nuk ka thënë emrin e një shërbimi që largohet. Sot mund të propozojmë një sistem që i fuqizon bashkitë, por nuk largon asnjë shërbim. Kushdo që ju thotë diçka tjetër, ju gënjen.
2. Identiteti i qyteteve do të ruhet: Ne ishim të qartë për nevojën e rritjes së efikasitetit. Njerëzit na thanë: Duam të ndihemi të përfaqësuar. Ndaj propozimi i qytetarëve është mekanizmi që garanton përfaqësimin proporcional në këshilla, ruajtjen e identitetit të qytetit, emrin e qytetit, historinë e qytetit. Identiteti i qytetarëve nuk preket nga ky element.
3. Përfaqësimi në këshillat bashkiakë sipas popullsisë. Këshillat bashkiakë ruajnë proporcionalitetin e përfaqësimit sipas numrit të popullsisë. Kjo nuk shtrihet vetëm në bashkitë që bashkohen. Nuk kemi 46 bashki, por kemi 46 bashki dhe 77 qytete. Përfaqësimi në këshillat bashkiakë do të jetë i strukturuar sipas numrit të popullsisë së 77 qyteteve përbërëse, ku ruhet logjika, historia dhe mundësia që të kemi demokraci të mirëfilltë vendore, ku zëri i njerëzve dëgjohet sa herë investohet në një rrugë, një kanal.

