Çfarë ka në kasafortën e parlamentit nga SPAK për zv/kryeministren? USB-ja do hapet para Komisionit të Mandatëve…

I vetmi dokument i bërë publik deri më tani me firmën e kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, është kërkesa për autorizimin e arrestimit të numrit dy të qeverisë, zv/kryeministres Belinda Balluku.

Por krahas këtij dokumenti, SPAK i ka dërguar Kryesisë së Kuvendit edhe një relacion shoqëruar me prova, si dhe një USB, të cilat mbajnë mbishkrimin “sekret hetimor”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke folur për këto materiale, ngriti pretendimin se provat nuk po u vihen në dispozicion anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, i cili pritet të mblidhet të premten.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Niko Peleshi i ka futur provat në kasafortë dhe nuk ua jep deputetëve të opozitës, anëtarëve të komisionit të verifikimit të mandateve,” deklaroi Berisha.

Swiss Digital Mobile Reklama

Nëpërmjet një reagimi zyrtar, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, sqaroi se materialet me karakter sekret hetimor të SPAK-ut nuk do t’u vihen në dispozicion deputetëve përpara mbledhjes së së premtes.

“Administrata e Kuvendit (Sekretaria e Këshillit) u vuri në dispozicion anëtarëve të këtij Këshilli aktet procedurale përkatëse, si dhe kërkesën dhe urdhrin e prokurorit për ruajtjen e sekretit hetimor, me detyrimin e shprehur që këto dokumente të mos bëhen publike. Materiali me karakter ‘sekret hetimor’ ndodhet në kasafortën e specialistit të protokollit për dokumentacionin e klasifikuar. Kjo çështje dhe mënyra e njohjes me këtë informacion do të diskutohen në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në prani të prokurorit të SPAK-ut,” thuhet në reagim.

Gazment Bardhi, anëtar i Partisë Demokratike në Këshillin për Mandatet dhe Rregulloren, reagoi në distancë ndaj qëndrimit të kryetarit të Kuvendit: “Niko, e ke gabim! Nuk e mbyll dot më në kasafortë korrupsionin e Edi Ramës. Është sheshit, në çdo punë publike. Për të zbatuar ligjin nuk ka nevojë të pyesësh as SPAK-un, as Edi Ramën. Vendosi në dispozicion deputetëve materialin e plotë, përfshirë provat shoqëruese të relacionit dhe urdhrin e prokurorit të datës 16.12.2025,” deklaroi Bardhi.

Ndërkohë, burime nga Kuvendi bëjnë me dije se ekziston edhe një provë tjetër e mbërritur nga SPAK, konkretisht një USB me disa materiale shtesë, për të cilën SPAK kërkon që anëtarët e Këshillit për Mandatet të njihen, pa praninë në sallë të vetë Belinda Ballukut.

Sa i përket qëndrimit të shumicës socialiste, burime nga Partia Socialiste thanë se fillimisht do të dëgjohen palët në Këshill, përfshirë SPAK-un dhe zonjën Balluku. Më pas, çështja do të kalojë në një fazë diskutimi të brendshëm brenda PS-së, për të përcaktuar qëndrimin final, i cili do të paraqitet në Këshill dhe më pas do të votohet në seancë plenare të Kuvendit

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?