“Charlie Hebdo”, parathënia e një 11 shtatori europian?
Nga Alida Beqiraj
Sulmi terrorist në revistën franceze satirike “Charlie Hebdo” ku mbetën të vrarë 12 persona, nuk është thjesht një dhunim i fjalës së lirë, as vetëm një sulm esktremist mbi Francën dhe “Liberté, Égalité, Fraternité”-në e saj, por një goditje e paralajmëruar radikale islamike mbi kontinentin europian jo vetëm gjeografikisht, por edhe politikisht. A duhet ta shohë Bashkimi Europian këtë ngjarje si parathënie të një 11 shtatori europian?
Federica Mogherini, Përfaqësuesja më e lartë e Bashkimit Europian për politikën e jashtme dhe sigurinë, si dhe zëvendës-presidente e Komisionit Europian, pas deklaratave standard se lufta kundër terrorizmit, në të gjitha format e tij, është në qendër të politikës së jashtme të BE, specifikoi se ngjarja do të jetë pjesë kryesore e axhendës së mbledhjes së ardhshme të Këshillit për Cështjet e poltikës së jashtme më 19 janar. Po përse kjo ngjarje duhet të zgjojë Europën nga një gjumë letargjik disa vjecar dhe reagim joptimal sa I përket luftës kundër terrorizmit? Mjafton të themi, vetëm për faktin që nuk arriti të parandalohej një sulm i lajmëruar këtu e 10 vjet më parë, apo të zvogëloheshin në minimum ethet planetare të një radikalizmi islamik në rritje.
Kjo ngjarje e ka zanafillën në 30 shtator 2005 pas publikimit nga e përditshmja daneze “Jyllands-Posten” të një karrikature të profetit Muhamed me një callmë në kokë në formë bombe, gjë që provokoi indinjatë në komunitetin musliman në vend. Dezinjuesi I saj u akuzua për blasfemi dhe u kërcënua me vdekje nga grupe islamike. Për disa kohë, si pasojë e këtyre kërcënimeve, kjo gazetë u mbajt në survejim dhe mbrojte speciale nga policia. Në vazhdim, në shenjë solidariteti, një numër I madh gazetash europiane publikuan në shkurt të 2006-ës, karikaturën e “Jyllands-Posten”. Gazeta franceze satirike “Charlie Hebdo”” ishte një prej atyre mediave që e mbrojti me forcë dhe u angazhua për të mbrojtur lirinë e të shprehurit, edhe pse nën kërcënime të vazhdueshme.
Në këtë kuadër, ajo që ndodhi tek “Charlie Hebdo”, mund të kishte ndodhur në secilën prej gazetave që publikuan këtë karikaturë apo më pas, të tjera të ngjashme me të. Fati i gjithësecilit pjesëtar të stafit të këtyre redaksive, mund të ishte (uroj të mos jetë) I njëjtë me atë të 12 të vrarëve në Paris. Mbetet për t’u parë nëse do të arrihen të parandalohen sulme të tilla barbare, pavarësisht kush i kryen ato, dy vëllezër franko-algjerianë të lindur në Paris, xhihadistë, isistë, apo kushdoqoftë. Europa duhet të tregojë aftësi në menaxhimin e situatave të tilla duke fuqizuar pozitën e saj, fillimisht duke minimizuar krijimin e armiqësive mes nacioneve dhe zbehur ndasitë fetare. Edhe solidarizimi ndërkombëtar në forma të ndryshme pas ngjarjes së “Charlie Hebdo”, tregon dicka.
Jo se nuk ka të njëjtën vlerë jeta e qindra fëmijëve të vrarë në Siri e palestinë, apo mijëra civilëve të pafajshëm të vrarë si pasojë e sulmeve të organizatave terroriste, por ngjarja e Parisit është e një përmase tjetër, për nga simbolika, por edhe nga fakti që sulmi është I paralajmëruar dhe bëhet ndaj një institucioni dhe pushteti të pavarur sic është media. Diversiteti I reagimeve është i natyrshëm, në sintoni me bindjet fetare, formimin kulturor, shkollimin apo qasjen me realitetin të secilit prej nesh dhe I padëmshëm deri në momentin që dënohet cdo akt dhune në cfarëdolloj forme që vjen ai.
Edhe pse për shkak të natyrës njerëzore kërkojmë konspiracion për [do ngjarje, na duhet një Europë e fortë, sidomos Ballkanit Perëndimor që aspiron të bëhet pjesë e saj, së paku për të shuar konflikte etnike apo orekse të mundshme ekspansioniste.
Më 17 nëntor në Sidney në një fjalim në “Lowy Institute for International Policy” kancelarja gjermane Merkel, duke iu referuar Rusisë, ngriti shqetësimin se nuk ishte e sigurtë që Putini do të ndalonte me Ukrainën dhe se BE-së do t’i duhej ndoshta të përballej direkt me Rusinë. “Kjo nuk merr fund me Ukrainën. Mund të bëhet fjalë për Moldavinë, Gjeorgjinë. Nëse kjo situatë vazhdon, mund të bëhet fjalë për Serbinë, për vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Përballë kësaj deklarate, duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk mjafton të themi “je suis Charlie…”