Cila është çështja e vërtetë që mban pezull reformën për drejtësi

Nga Albana Bano/Reforma në drejtësi do të votohet me konsensus. Këtë e tha vetë Ndihmës Sekretarja e Shtetit Viktoria Njuland në fund të vizitës në Tiranë, që ka mbetur “vetëm një çështje për t`u zgjidhur, ajo e moscenimit të sovranitetit, dhe ne do ta zgjidhim dhe këtë pikë”.

Nga ana tjetër, takimi tresh dje në Kuvendin e Shqipërisë midis Kryeministrit Rama, kreut të opozitës Basha dhe kryeparlamentarit Meta, së pari përmbysi përkohësisht shpresat dhe propozimet për qeveri teknike apo zgjedhje të parakohshme. Së dyti, riktheu fokusin e palëve politike tek reforma në drejtësi. Në fund të takimit zoti Basha foli vetëm për rinisjen e bisedimeve dhe për besnikërinë ndaj propozimit hibrid të zonjës Njuland dhe rekomandimeve të Venecias. Zoti Meta nga ana e tij, konfirmoi se nuk do të ketë qeveri teknike.

Dhe gjatë ditës së sotme, nuk u përmend fare se çfarë mund të ndodhë në rast se votimi i reformës dështon. Megjithatë, fakti se Kryeministri Rama organizoi takim të posaçëm me krerët e PS në rrethe, dëshmon se PS po përgatitet për t`u përballur me çdo skenar të mundshëm të pas 21 korrikut.

Ndërkohë, zoti Basha sqaroi opinionin publik si kurrë më parë nga ndonjë palë e përfshirë në bisedime, për dy çështjet që mbajnë peng konsensusin për reformën. E para ka të bëjë me të drejtën e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) për të fshirë emra nga lista e kandidatëve për komisionerë. Kreu i opozitës nuk u shpreh kundër një të drejte të tillë për ndërkombëtarët, por ai argumentoi se ONM-ja nuk mund të përjashtojë në mënyrë arbitrare, pa dhënë asnjë sqarim mbi arsyet e përjashtimit të një qytetari të RSH-së nga gara për komisioner. Jam plotësisht e bindur se SHBA dhe BE e mirëkuptojnë këtë kërkesë logjike të Partisë Demokratike.

Pika e dytë, në të cilën zoti Basha ishte më pak transparent, ka të bëjë me bazën ligjore që legjitimon veprimtarinë e Operacionit Ndërkombëtar Monitorues në Republikën e Shqipërisë. Dhe për këtë mjafton neni 123 i Kushtetutës së Shqipërisë i cili flet për marrëveshjet me anë të cilave  Shqipëria u delegon organizatave ndërkombëtare disa kompetenca shtetërore në një fushë të caktuar.

Për hir të së vërtetës, personalisht dyshoj se çështje të tilla minore dhe lehtësisht të zgjidhshme, të jenë shkaku i vërtetë i mosdakordësisë midis palëve.  Këtë dyshim e bazoj dhe tek fakti se deri më tani publiku është bombarduar me informacione sipërfaqësore, të tejkaluara nga negociatat, apo të stisura për të fshehur problemin e vërtetë në këtë proces.

Pa pretenduar të jem eksperte në fushën e drejtësisë, nga një hulumtim personal e shtyrë nga kurioziteti, më ra në sy pjesa I e Opinionit Final të Komisionit të Venecias mbi reformën në drejtësi ku flitet për statusin dhe fuqitë e vëzhguesve ndërkombëtarë. Në rekomandimin Nr. 69 thuhet se “vëzhguesit ndërkombëtarë emërohen dhe shkarkohen nga Kryeministri…. Kryeministri ka mandatin dhe detyrimin që të konsultohet me partnerët ndërkombëtarë në zgjedhjen apo shkarkimin e vëzhguesve”. Në një rast të tillë, opozita nuk do të kishte asnjë ndikim në zgjedhjen e këtyre vëzhguesve që  më pas do të skanonin komisionerët.

Por, fakti se në projekt-ligjin për ndryshimet kushtetuese përcaktohet se vëzhguesit ndërkombëtarë emërohen e shkarkohen nga ONM-ja dhe jo nga kryeministri, tregon se dhe  kjo çështje nuk është më aktuale. Palët duket se kanë pranuar një pjesëmarrje të kufizuar të ONM-së në vendimmarrje, si dhe zgjedhjen e vëzhguesve nga vetë Operacioni.

Atëherë, cila është e vërteta? Këtë e di vetëm rrethi i ngushtë i negociatorëve dhe ekspertëve. E rëndësishme është që së shpejti do të kemi reformë të re. Akoma më të rëndësishme janë respektimi dhe zbatimi rigoroz i saj. Dhe për këtë na duhen partnerët tanë më shumë se kurrë.

 

SHKARKO APP