Cilat janë qëndrimet e politikanëve shqiptarë?

 

Nga Agustin Palokaj*

Situata në Ballkan është përsëri e brishtë dhe mjaft serioze. Ka shumë gjëra shqetësuese dhe kapacitete për shpërthime të reja, për të cilat kemi menduar se i kemi lënë prapa. Përkundër të gjitha përparimeve të cilat janë bërë në vitet e fundit, me gjithë rritjen ekonomike të shprehur në shifra, me gjithë rrugët e ndërtuara dhe marrëveshjet ndërkombëtare, ky rajon ka mbetur i varfër, më i varfri në Evropë, dhe njerëzit e lodhur pa shpresë dhe pa ndonjë mundësi për të parashikuar të ardhmen e tyre. Ajo që i rëndon edhe më shumë është se e kanë vështirë edhe të kuptojnë se çfarë është duke ndodhur dhe si të veprojnë. Në një situatë të tillë ndodhen edhe shqiptarët, edhe pse shpesh dëgjojmë se “shqiptarët asnjëherë në histori nuk i kanë pasur punët më mirë sesa sot”. Vërtet nëse krahasohet situata e sotme me historinë e popullit shqiptar, atëherë mund të thuhet se punët janë mirë. Kur bëhen konstatime të tilla mendohet në realizimin e aspiratave, siç janë pavarësia e Kosovës, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe statusi i kandidatit për BE, rritja e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Por realizimi i këtyre synimeve kurrsesi nuk duhet të jetë arsye për një gjumë të gjatë kombëtar, për vetëkënaqësi, çfarë dëshirojnë të servojnë politikanët shqiptarë.

Kosova është e pavarur, por nuk është projekt i përfunduar, sepse Serbia ka aspirata territoriale ndaj saj, mban nën kontroll një pjesë të territorit dhe ka rritur rolin e saj në zhvillimet e brendshme politike të Kosovës. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ka statusin e kandidatit në BE, por përparimet e saja në procesin e integrimeve janë të ngadalshme që ka njohur ndonjë shtet ish-komunist. Shqiptarët në Maqedoni me Marrëveshjen e Ohrit kanë fituar më shumë të drejta, por jeta e tyre nuk ka ndryshuar shumë.

Në përgjithësi liderët shqiptarë kanë një vizion deklarativ për të cilin ka edhe konsensus kombëtar. Të gjithë duan deklarativisht integrime në BE dhe në NATO, duan prosperitet dhe zhvillim ekonomik, sundim të ligjit, paqe dhe stabilitet. Por shpesh me sjelljen e tyre lënë përshtypjen se ose nuk kanë ide se çfarë thonë, ose me sjelljet e tyre bëjnë të kundërtën e asaj që thonë, ose nuk kanë fare qëndrim.

Nga liderët pritet t’ua tregojnë rrugën qytetarëve, t’u japin atyre llogari e nganjëherë edhe sqarime. Sidomos kur ndodh ndonjë krizë, ndonjë sfidë dhe diçka që qytetarët i lënë të hutuar. Në këso rrethanash shqiptarët shpesh mbesin pa liderë. Shpesh ata nuk dëgjohen disa ditë, nuk thonë se çfarë duhet bërë. Situata në Maqedoni dëshmon se liderët shqiptarë qëllimisht apo rastësisht e lënë popullin të hutuar. Kemi dëgjuar politikanë shqiptarë, sidomos të Kosovës, të kenë komentuar shkëmbimin e zjarrit në Kumanovë nga “dhuna maqedonase” deri tek “destabilizimi i Maqedonisë që shkon në kundërshtim të Kosovës”. Së fundi dëgjuam edhe ministrin e Jashtëm, Hashim Thaçi, (nëse e kanë cituar saktë mediet) ta ketë quajtur “regjim represiv” qeverinë e Gruevskit. Por nga ai nuk dëgjuam se çfarë mendon për nëntë vjet qëndrim të Partisë më të madhe të shqiptarëve të Maqedonisë në po atë qeveri të Gruevskit.

Liderët e Shqipërisë pikërisht në kohën e krizës në Maqedoni ishin të zënë me vizitën e presidentit të Turqisë, Erdogan. Dhe edhe kjo vizitë dëshmon se sa pak përgjegjësi, lidership dhe integritet kombëtar apo personal kanë politikanët shqiptarë. Nëse është e vërtetë ajo që kanë nxjerrë mediet, vetë presidenti i shtetit, Bujar Nishani, ka pranuar të heqë nga salla hiç më pak se statujën e Skënderbeut, për t’ia bërë qejfin presidentit të një vendi, pa dyshim mik dhe aleat në NATO. Në një vend normal nëse presidenti gënjen ai menjëherë duhet të japë dorëheqje, ose duhet të saktësohet se është akuzuar pa bazë. Por Nishani, siç thonë edhe shumë zyrtarë të lartë evropianë, nuk është person apo politikan me integritet. Njëri prej zyrtarëve evropianë kujton se si në kohën kur Sali Berisha ishte në pushtet dhe Edi Rama në opozitë, në kohën e ngërçit politik, nga Brukseli ishte propozuar një “koalicion për Evropën”. “Presidenti Nishani menjëherë tha se mirëpret idenë dhe ai do të marrë pjesë. Pastaj edhe Berisha, edhe Rama refuzuan. Menjëherë nga zyra e Nishanit na lajmëruan se as ai më nuk e mbështet këtë ide”.

Liderët e shqiptarëve të Maqedonisë nuk i kanë thënë ende popullit se çfarë ka ndodhur në Kumanovë, çfarë ka ndodhur në Qeverinë e Maqedonisë, ku ata janë faktor i rëndësishëm. Nuk kanë thënë se çfarë mendojnë për protestat për shkarkimin e Qeverisë. Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi kur takohen me ambasadorë të huaj thonë se “tema të bisedimeve kanë qenë integrimet euro atlantike”.

Në fakt, pas “integrimeve euroatlantike” fshihen shumë liderë shqiptarë, edhe pse me punën e tyre deri tash nuk kanë bërë shumë që të lëvizin në realizimin e këtyre aspiratave (me përjashtim të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, që ishte falë një vullneti të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më shumë sesa për përmbushjen e vërtetë të kushteve të nevojshme). Mund ta marrim me mend se si “integrimet euroatlantike” kanë mundur të jenë temat kryesore të takimeve të diplomatëve të huaj me liderët e partive politike të shqiptarëve të Maqedonisë, në kohën kur situata në këtë shtet është shpërthyese.

Edhe liderët kosovarë thonë se vizitat e tyre në Bruksel janë në kuadër të “realizimit të aspiratave për integrime euroatlantike”, edhe pse më së shpeshti ato janë për të biseduar me Serbinë. Edhe kur bisedojnë për Serbinë thonë se “kjo është për hir të së ardhmes evropiane të Kosovës”, e në fakt bisedohet për rregullimin e brendshëm të Kosovës, krijimin e institucioneve parashtetërore për serbët e Kosovës, sipas agjendës së Beogradit.

Politikanët shqiptarë në Tiranë, Prishtinë, Shkup apo diku tjetër më shumë sillen sikur analistë sesa si liderë. Kur ndodhin probleme serioze dhe kriza, e kur populli dëshiron të dëgjojë qëndrimet e tyre si liderë, ata ose heshtin, ose presin reagime ndërkombëtare për të vendosur se çfarë linje do të ndjekin.

Prandaj sot nuk e dimë se cilat janë në fakt qëndrimet dhe vizionet e tyre të vërteta. Nuk e dimë se çfarë mendojnë ata për Qeverinë e Maqedonisë, largimin e së cilës e kërkojnë opozita dhe shoqëria civile në këtë shtet, përfshirë edhe një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve atje. Nuk e dimë se çfarë mendojnë për Skënderbeun, për Kumanovën, për ata që humbën jetën në atë shkëmbim zjarri, ku duket se nga të dyja anët kanë pësuar njerëzit, të cilët janë vënë në kurthe për interesa politike apo tjetër fare të dikujt tjetër. Nuk e dimë se çfarë mendojnë për integrimet evropiane, çfarë mendojnë për Gjykatën Speciale, e cila do të gjykonte, jashtë territorit të Kosovës, disa luftëtarë dhe ish-liderë të UÇK-së. E dimë se kanë premtuar krijimin e saj, por nuk e dimë se a dëshirojnë që këto premtime të mos realizohen dhe një gjykatë e tillë të mos formohet. Nuk e dimë se çfarë mendojnë për bashkimin kombëtar. Prandaj, mund të themi se populli shqiptar nuk ka sot liderë të cilët do t’ua tregojnë rrugën pa hile, pa interes personal, partiak, pa inat ndaj kundërshtarit, pa qëllim manipulimi.

*Koha Ditore

SHKARKO APP