Cilësia e karburanteve, Konfindustria: Dëmet në buxhet, mbi 140 milionë dollarë në vit
Konfindustria mbështet Qeverinë në lidhje me dhënien fund të abuzimeve me cilësinë e karburanteve në tregun shqiptar.
Përmes një deklarate, Administratori i Përgjithshëm i Konfindustria Gjergj Buxhuku theksoi se strategjia për ti dhënë fund abuzimeve duhet të zbatohet sa më shpejt në terren.
“Konfindustria ka shprehur publikisht, se cilësia e dobët e karburanteve të tregëtuara shkakton humbje të mëdha financiare jo vetëm për konsumatorët qytetare dhe biznese, por edhe drejtpëdrejtë për vetë buxhetin e shtetit deri në 140 milion dollarë/vit si fshehje fiskale. Konsumatorët fundore, qytetarë dhe biznese, paguajnë për përzierësit të njëjtën shumë sikurse për karburantet e pastërta përfshirë detyrimet fiskale, që shkojnë deri në 60% të cmimeve fundore.
Konfindustria ka vlerësuar gjithashtu, se dëmi tërësor financiar, që i shkaktohet qytetarëve, bizneseve, buxhetit të shtetit dhe ekonomisë kombëtare në tërësi është mjaft më i madh sesa vlera e sipërpermendur, nëse merren parasysh edhe kostot nga abuzimet me volumet e shitura, dëmet në makineri, teknologji, mjedis dhe shëndetin e qytetarëve nga cilësia e dobët e karburanteve, që qarkullojnë në tregun shqiptar”, theksoi Buxhuku.