Civici: 1.2 miliardë euro në vit nuk arrijnë të mblidhen si pasojë e informalitetit

A është e mundur kjo dhe a mund të besohet vërtet se lufta ndaj evazionit jep efekte kaq thelbësore? Adrian Civici mendon që po, nëse do të ketë vullnet. Dhe për këtë mund të shërbejnë disa shifra.

“Shqipëria hyn në grupin e vendeve me shkallë shumë të lartë informaliteti e për pasojë dhe evazioni fiskal. Shifrat e informalitetit shkojnë deri në 35- 45%, çka dëshmon se përpjekjet për reduktimin e këtij evazioni mund të japin efekte e rezultate të dukshme, qoftë dhe në periudha afatshkurtra.

Duke bërë një llogaritje të thjeshtë, me një nivel informaliteti 40%, rezulton se afërsisht 4 miliardë euro PBB nuk i nënshtrohet sistemit fiskal; dhe në kushtet kur ne pretendojmë të mbledhim rreth 27-28% të PBB-së nga sistemi fiskal, atëherë rezulton se rezervat, apo pjesa e pambledhur e taksave dhe tatimeve nga sektori informal është gati 1.2 miliard euro në vit.

Mendoj se vlerësimi dhe objektivi i qeverisë që të rrisë të ardhurat duke zvogëluar evazionin fiskal është plotësisht i realizueshëm dhe me efekte pozitive, nëse vullneti politik do të mbetet deri në fund i tillë.

Është një luftë që duhet fituar patjetër, n.q.s duam të flasim për një ekonomi serioze me themele të shëndosha zhvillimi”, thotë ai, raporton Respublica.

SHKARKO APP