Çmimi i banesave drejt rritjes

A është momenti i duhur për të blerë një shtëpi? Dhe a do të rritet çmimi i banesave në janar?

Ekspertja imobilare, Estela Ziu tha në emisionin Ekopolitikë në “Ora News” se çmimi i banesave ka pësuar rritje edhe në zonat periferike si në Unazën e Re apo në Zonën e Freskut.

Ndërkohë, Arben Dervishi, nënkryetar i shoqatës së ndërtuesve, tha se çmimet më të shtrenjta të banesave deri në 3 mijë euro m2 është zonën e Bllokut dhe pranë zonës së RTSh-së.

Eksperti bankara Ervin Libohova thotë se kreditë për banesa janë kreditë më të sigurta.

Pjesë nga intervista:

Ziu: Çmimet janë të lartë. Thuhet se ka rënie, por nuk ka. Ka një rritje sidomos në ndërtime të reja. Absolutisht në të gjitha zonat. Duke marrë Unazën e Re dhe në zonën e Freskut ka një rritje më të ndjeshme. Janë kryesisht familjet e reja ato që kërkojnë të blejnë në periferi dhe shumica janë me kredi. Në zonën e RTSH-së dhe Liqenit çmimet janë deri në 3 mijë euro m2.

Dervishi: Problemi i rritjes së çmimeve ka ardhur për shkak të mungesës së ndërtimeve në treg. Në zonën e Bllokut apo Tv Publik ka shumë pak leje. Godinat janë të vogla. Kjo rritje çmimi ka ardhur si shkak edhe i cilësisë së ndërtimeve. Kërkesat e njerëzve janë drejt blloqeve të mëdha në formë rezidencash. Në zonat periferike si në Unazën e Madhe, Dajti apo Farkës çmimet kanë lëvizur shumë pak. Në qendër nuk mund të blejë çdo njeri.

Libohova: Për bankat, dhënia e kredive për banesa është konsideruar historikisht një nga bizneset më të sigurta. Në radhë të parë është e lidhur me një gjë jetësore dhe e dyta është objekti kolateral dhe që përditë i ngrihet vlera. I vetmi problem që ndodh është ai social.

SHKARKO APP