Çmimi i energjisë nuk ndryshon për 2016­-ën

 

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë (OSSHE) për herë të parë pas pesë vitesh nuk do të kërkojë rritjen e çmimeve të energjisë për vitin 2016.

Burimet nga OSHEE bënë me dijë se është plotësuar detyrimi ligjor për rishikimin e tarifave në ERE, por nuk është kërkuar ndryshim çmimi për 2016

Sipas tyre, shpenzimet për vitin që vjen do të vijojnë të përballohen me rritjen e arkëtimeve nga faturimet dhe duke eliminuar humbjet në rrjet.

OSHEE njofton se në fund të muajit gusht humbjet ulen në nivel rekord ndërsa vazhdon ritmi pozitiv i arkëtimeve. Arkëtimet këtë muaj arritën në 5,12 miliardë lekë. Për efekt krahasimor me të njëjtin muaj të vitit 2014 janë 1,69 miliard lekë më shumë ndërsa krahasuar me Gushtin e vitit 2013 rezulton të jenë arkëtuar 1,81 miliard lekë më shumë.

Në total, si 8­-mujor, arkëtimet arritën në vlerën e 44,4 miliardë lekë, thënë ndryshe 14,6 miliardë më tepër se periudha Janar­-Gusht 2014 (49% rritje), dhe 19 miliardë më shumë se 2013­a (75% rritje).

Nga ana tjetër, humbjet në rrjet vijojnë reduktimin në sajë të vendosmërisë së kompanisë për të rikthyer ligjshmërinë në konsumin e energjisë elektrike.

Në gusht 2015, humbjet zbritën në nivelin 29.3%. Krahasuar me Gusht 2014 kemi 7.1% më pak humbje ndërsa krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2013 kemi 9.2% më pak humbje.

Humbjet në total si 8­-mujor, tekniket dhe jo tekniket, arritën në 31.72 %, nga 39.4 % që ishin në të njëjtën pjesë të vitit 2014-­n, 44.3% të regjistruara në 8-­mujorin e parë 2013.

SHKARKO APP