CNN: Shqipëria modeli i bashkëjetesës fetare, që ra në dashuri me Amerikën

Nga Frida Ghitis

Në këtë kohë titujsh ç’kurajues – kur terroristët Islamistë godasin fëmijët e krishterë dhe mamatë e tyre ditën e Pashkës në një park lojërash në Lahore të Pakistanit; kur një kandidat për t’u bërë president i Amerikës advokon ndalimin e myslimanëve që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara; kur terroristët e ISIS kanë vrarë dhjetëra njerëz në Bruksel; kur bashkëjetesa paqësore ndonjëherë duket thuajse e pamundur, ka një vend që mund ta ringjallë shpresën tonë për të ardhmen: Mirësevini në Shqipëri.

Vendi i vogël me shumicë myslimane në Ballkan, një rajon i cili deri kohët e fundit ka qenë sinonimi i trazirave politike, është modeli i bashkëjetesës ndërfetare. Dhe është gjithashtu një prej vendeve më pro-amerikane në Tokë.

Si ka ndodhur kjo? Përgjigja përmban leksione të rëndësishme për Amerikën në shkallë globale.

Mjafton të ecësh nëpër rrugët e Tiranës dhe të pyesësh njerëzit se çfarë mendojnë për Shtetet e Bashkuara dhe do të marrësh një përgjigje thuajse të njëjtë adhurimi, respekti dhe mirënjohjeje.

Ashtu sikurse është i njëjtë reagimi dhe për zgjedhjet presidenciale amerikane.

Shqiptarët thonë se nuk po i ndjekin nga pranë zgjedhjet paraprake, por ata përgjigjen pa ngurrim kur dëgjojnë emrin “Trump”, me disa të qeshura, disa tundin kokën, ndërsa disa rrudhin fytyrën. Shumica nuk e njohin Ted Cruz dhe duken entuziastë për një presidencë të mundshme të udhëhequr nga Hillary Clinton. Por kur vjen puna te Trump, reagimi është një përzierje mosbesimi, zbavitjeje dhe refuzimi. “Ai duket pak i çmendur, por i mençur”, më tha Aurora Xhixha, një mikrobiologe. “Egoist,” ishte fjala se si e përshkroi Endri Hasanaj.

Duke diskutuar thirrjen e Trump për t’i ndaluar myslimanët që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, Adelina Bego, doktoreshë, duke e ligështuar. “Këtu në Shqipëri ne jetojmë së bashku, pa i marrë parasysh dallimet fetare”, tha ajo. “Ne e kemi parë Amerikën si simbol i demokracisë, një simbol që duhet imituar”. Ajo tha se propozimi i Trumpit do ta shkatërronte këtë simbol.

Sekretarët amerikanë të shtetit nga James Baker te John Kerry janë pritur si yje të muzikës rok në Shqipëri. Republikanët dhe Demokratët adhurohen këtu nga njerëzit e të gjitha partive dhe feve. Dhe arsyeja, me një fjalë të vetme, është integriteti.

Politika e jashtme amerikane, e cila vuan kaq shpesh nga konflikti ndërmjet idealeve dhe konsideratave praktike, ka gjetur këtu një shkrirje ndërmjet idealizmit dhe veprimit.

Shqipëria ra në dashuri me Shtetet e Bashkuara më 1919, kur udhëheqësit botërorë u mblodhën në Konferencën e Paqes së Parisit për të ripërcaktuar rendin botëror pasi Lufta e Parë Botërorore i shpërbeu perandoritë që kishin patur ndikim në pjesën më të madhe të planetit.

Presidenti Woodrow Wilson u ngrit në favor të Shqipërisë, duke ndaluar një plan për ta copëtuar vendin dhe për t’i ndarë copat e tij ndërmjet fqinjëve të tij, Italisë, Greqisë dhe Serbisë.

Ndaj në Tiranë sot mund të shohësh statujën e  Wilsonit në Sheshin Wilson.

SHKARKO APP