Dajaku…
Fejton
Nga Thoma Goga
Nga defteri i Çeços këtë herë shkëputa këtë rrëfenjë: “…Jam bërë si misionar i paqtimit në fshat. Po s’ma di njeri për nder. Ca harxhojnë kot paratë e marrin avokat. Në fakt kam qënë si kryeplak, po fshati s’e di që më ka mbaruar ai i shkret mandat që më 1997. Kush kujtohet për mandatin tim, a derëzi. Se mos jam si ai Sollaku, Spartaku, Naçi apo Baçi… Për çdo hall më thërrasin mua; Çeço njëri, Çeço tjetri. Ç’t’ju mollois!.. Pardje më erdhi Zeqineja. E kishte zhdëpur Dashua në dru. Po pse, do thoni ju? Do lyenin shtëpinë. Kishin porositur dhe bojaxhin. E nejse, i thirra tek e tek te “zyra”. Ç’zyrë, a derëzi! Po ja, rri te një cep i klubit e, kush ka hall, ua zgjidh me ndonjë meze – raki…Në fillim thirra Zeqinen.
– Si është puna?
– Më rrahu kot,- dhe qante mavria. – I thashë: “ muret t’i lyejmë bizele, tavanin mavi…”, “Jo, më tha, muret kaki, tavanin kuq e zi… Ashtu e donte ai. Dhe ç’më ngatërronte jo kombëtarja, jo topat, jo pikët… Unë në të timen, ai në të tijën. Pastaj, siç e shikon dhe ti, ma bëri fytyrën mavi”.
I dhashë të drejtë. A, drejtësia, drejtësi. S’kishte faj e shkreta. Iku Zeqineja, thirra Dasho mavrinë. E ndava muhabetin. E dini ç’i thashë?
– O hajvan, ç’punë ke ti me tavan, ta lyejë si t’ia dojë kokrra e qejfit. Në fund të fundit, ajo e shikon tavanin…Çoban me dhi, po më kuptoi mirë Dashua ku e vërvita llafin. Do ti, që atë ditë mes tyre ka hyrë aq dashuri sa, kur kalon këtej Zeqineja, më shkon edhe mua ndonjë të puthur…
Mirë, mirë po më është hapur punë e madhe. Për hiç gjë ankohen gratë në fshat. Dhe unë këto punë i ngordh fare, jam në formë. Më ngjit llafi.
Rasti tjetër ishte me Zison. Më hajvan dhe ky. Çuditej dynjaja kur nxitonte të kapte orën 8 në shtëpi. Ai e rrihte gruan gjithnjë sa fillonin lajmet, se orë nuk kishte… Ca thoshin që e rrah në ora 8 se vetëm atëhere i bën efekt… Një ditë e rrahu gruan për hiç gjë. E thirra Zison atje mo, te cepi i klubit të jepte llogari. Kuptohet, pasi morëm nga një dopio raki. Ma tregoi një më një.
– Po ja, – tha, – e rraha se nuk donte të milte dhinë.
– Dëgjo, o Ziso mavrvia, rrihet gruja për kaq gjë?! – dhe aty për
aty u kujtova. – Ore, dale-dale, po ti s’ke dhi fare…
Po e dini ç’tha, mo?! “ Këtë radhë e rraha si paradhënie. Të dielën që vjen do ta blej dhinë…”.
E dënova më tri dopio mavrinë.
Vetëm çuni i Danes ma shkau. Është me llotari në Amerikë. Ç’t’i bëja, kur s’më erdhi në fshat! I kishte vajtur në majë të hundës ta zhdëpte një herë gruan. Se si e kishte hallin, s’e di. E kishte marrë këtë “zanat” nga i jati. Edhe ai e rrihte gruan si me recetë; një herë para buke, dy herë pas buke. Siç duket edhe dajaku shkoka pas gjakut…I biri nuk e rrihte dot në Amerikë. Të rrahësh gruan atje!? Ç’thua mo, shkon në të sëmës…Po e dini ç’bëri malukati? Gjë me mend. Mori ca ditë leje më gjithë grua. Shkoi për biletat. I preu vajte – ardhje; Amerikë – Tiranë. Ma tregoi një fshatari ynë. Sa zbriti në Rinas, i futi një dru gruas m’u në aeroport. Djersa vu, të thom. I shkoi një çikë shtrenjtë dajaku, po më mirë kështu sa të harronte zakonin e të atit… Ama, u çudit gjithë njerëzia. Të gjithë bënin sehir. Ç’të bënin, mo? Në fund të fundit gruaja e tij ishte. Pas dajakut pinë kafe urtë e butë. Erdhi ora për t’u kthyer, hipën në aeropllan krah për krah. Kishte lezet, si një çift pëllumbash… Telenovelë pa lekë. Sehir bëri dhe policia. Ç’të bënte, mo, kishte fakte? Ç’t’ju mollois! Mbase e kishte rrahur ashtu kot, për qejf, për mall… Kam parë e s’kam parë!
Po një ditë! Ah, për atë ditë! Shikoj një burrë që s’e kisha parë kurrë. Ishte lyer i gjithi me gjak. Fytyra flakë, po të thom. U, u i ziu, thashë. Kur u afrua ç’të shoh!? Ishte Ganiu.
– Po ti, o mavri, – i thashë, – ku je vrarë?
– Më zhdëpi gruaja, Nafija.
Sa tha emrin e Nafijes edhe mua më vajti nga shtatë. Desh më shpëtoi shurra, të thom. Ku mbahet ajo, mo! Kryetare e gruas, kryetare e frontit, kryetare shtabi në fushata, kryetare e prindërve në shkollë, kryetare në grupin e zjarrit, kryetare e emergjencave civile…Thoshin se do zgjidhej dhe kryetare e burrave…
– Shyqyr me kaq, o Gani, se ka më keq. Po si ndodhi? – pyeta seriozisht.
– Pse blegërinte dhia. “E ke lënë pa ngënë, e ke lënë pa pirë…”. Dhe varda me okllahinë. Pastaj mori hostenin e gjatë, se okllahia u thye. Siç e shikon, më bëri gjak… O lele kurrizi!
– Po ti të thara i kishe, o mavri, nuk ia ktheve?!
– E si t’ia kthej ore, ajo ka atë mut “imu- ni- tet”. O medet, medet!
Kur, sa hap e mbyll sytë, si kukuvajkë u shfaq Nafija. O po, sikur të kish qënë poshtë tavolinës.
– Si the ti, o thatanik, të më kthehej mua? Po hajde kthehu ti, në ta mban. Po s’të futa në synetllik…,- dhe tundte një biçak në dorë.
Ika me vrap. Ç’të bëja, mo? Të më kish zënë, vanë hallatet e mia…Kur shkoj në shtëpi, hapa televizorin. Tubim i madh i grave kundër dhunës. Mirë, thashë, punë me mend. Se na shikon bota e kështu na do dhe Europa. Ishallah ta ketë parë Ganiu, po të ketë ardhur në vete… Prapë si në gjemba rrinte i ziu. Kishte frikë se blegërinte dhia kur të kthehej Nafija, që ishte e ftuar tek emisioni: “STOP” dhunës ndaj grave”…”.