Dako-Karpushin: Operatorë turistikë rusë do të vizitojnë në maj Durrësin

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka pritur në një takim ambasadorin e Rusisë në Shqipëri, Alexander Karpushin, i cili shoqërohej në këtë vizitë edhe nga përfaqësues të shoqatës së miqësisë Shqipëri-Rusi.

Siç bëhet me dije, tema kryesore e bisedës në këtë takim ka qenë intensifikimi i marrëdhënieve shqiptaro-ruse në nivelin e rajoneve dhe bashkive që shërben si një impuls i fuqishëm për zhvillimin e bashkëpunimit në fusha e tregtisë, ekonomisë, turizmit, bujqësisë, kulturës dhe arsimit.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako i ka bërë ambasadorit rus Karpushin një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit, si dhe me punën e Bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit në sajë të investimeve të shumta. Ai është ndalur veçanërisht në sektorin ekonomik si dhe në fushën e turizmit duke e njohur ambasadorin rus me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj. Dako deklaroi se Durrësi ka çfarë t’u ofrojë investitorëve të huaj dhe konkretisht edhe tyre rusë, jo vetëm në fushën e turizmit, po dhe në të gjithë sektorët ekonomikë.

Nga ana e tij, ambasadori rus Karpushin e ka falenderuar kryebashkiakun Dako për pritjen dhe ka biseduar gjatë të, në lidhje më shumë fusha, si dhe me perspektivat e bashkëpunimit të gjithanshëm midis Durrësit dhe rajoneve të interesuara të Rusisë. Gjithashtu, në takim është rënë dakord për të filluar konkretisht bashkëpunimin në shumë fusha, sikundër u mor edhe angazhimi për ndërmarrjen e hapave konkretë për binjakëzimin e Durrësit me një qytet rus bregdetar.

Po kështu, ambasadori rus Karpushin i ka bërë me dije kryebashkiakut Dako faktin që një grup operatorësh turistikë rusë do të vizitojë qytetin e Durrësit në muajin maj dhe se kjo vizitë padyshim do të ndikojë pozitivisht në nxitjen e interesit të turistëve rusë për të vizituar Durrësin. Në fund të takimit, i cili kaloi në një frymë miqësore, kryebashkiaku Dako dhe ambasadori rus Karpushin shkëmbyen edhe dhuratat e rastit.

SHKARKO APP