Dako: Më shumë investime në mbështetje të sportit dhe sportistëve (FOTO)
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun Durrës, njëherësh kryetar i Bashkisë, z. Vangjush Dako, së bashku me kandidatin për deputet, z. Fidel Ylli, zhvilluan një takim me sportistët durrsakë.
Gjatë bashkëbisedimit, z. Dako u shpreh se qeveria ka qenë një mbështetëse e madhe për sportin dhe sportistët në këto katër vite dhe kjo mbështetje do të vijojë edhe në të ardhmen.
Kryebashkiaku solli në vëmendje edhe investimet që Bashkia e Durrësit ka bërë përsa i përket infrastrukturës sportive në qytet, duke ju referuar ndërtimit të pishinës olimpike, e cila u inaugurua pak ditë më parë, rritjen me 20% të buxhetit të Bashkisë për vitin 2017 për sportin si dhe mbështetjen për tre sporte të reja.
“Ne kemi dhënë mbështetje për sportin dhe do të vazhdojmë ta japim këtë mbështetje. Sapo kemi inauguruar një pishinë dhe frytet e saj të para janë duke u dhënë, sportistët janë përditë në stërvitje. Sa më shumë mbështetje ne ofrojmë aq më tepër nxitet konkurrenca, aq më tepër zhvillohet sporti dhe me këtë frymë ne duam të vazhdojmë edhe më tutje. E vetmja rrugë që mund ta çojë përpara, që mund ta bëjë më mirë këtë punë për të zhvilluar Shqipërinë, për të zhvilluar Durrësin është Partia Socialiste, është Edi Rama”.
Nga ana e tij, z. Fidel Ylli bëri një prezantim të investimeve që qeveria ka bërë për zhvillimin e sportit në këto katër vite si dhe investimet madhore në infrastrukturë, të cilat tashmë janë një realitet i prekshëm.
“Ne duhet të jemi koshient që në një zë që quhet Zëri i Investimeve qeveria e Partisë Demokratike në tetë vjet ka dhënë 80 mijë dollarë, kurse qeveria “Rama” ka dhënë 30 milionë euro. Të gjitha këto janë të faktuara me stadiumin “Elbasan Arena” të Elbasanit, me stadiumin e Shkodrës, me Tirana Olimpik Park, me Qendrën Olimpike të Korçës dhe plus që nga Fondi i Arsimit është marr për rregullime dhe restaurimin e 64 palestrave në të gjithë Shqipërinë”,-z. Ylli.