Dalja e Kosovës në det, projekti s’qe as në letër

Hapja e dyerve ndaj Kosovës, për një bashkëpunim konkret politiko-ekonomik me Shqipërinë, ka qenë një dëshirë e vazhdueshme e qeverisë “Berisha”. Por që mesa duket mbeti vetëm e tillë dhe në nivelin vetëm të deklaratave verbale për zhvillimin e mëtejshëm të tyre. Sepse faktet po tregojnë se “themelet” e këtij bashkëpunimi të supozuar nuk kanë patur asgjë konkrete, ose e thënë ndryshe, “të shkruar në letër”. Një të tillë e ka konfirmuar vetë ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, sipas të cilit nuk ka patur asnjë dokument zyrtar lidhur me dhënien e Portit të Shëngjinit Kosovës, siç pati deklaruar vazhdimisht gjatë qeverisjes së tij, ish-kryeministri Sali Berisha. Kështu, teksa ka mohuar që dhënia e këtij porti ndaj shtetit fqinj të ketë ekzistuar si projekt, ai deklaroi se janë në diskutime me një kompani kineze për koncesionimin e tij dhe nuk ka gjetur asnjë dokument në ministri që ky Port t'i jepej në përdorim Kosovës. "Nuk kam asnjë material të tillë në ministri për këtë. Ekziston një vullnet i përbashkët që ne të krijojmë të gjithë lehtësitë e mundshme për bizneset kosovare që duan t’i përdorin ata. Ajo që mund të them është se ne kemi një gatishmëri të plotë për të bashkëpunuar me palën kosovare për t’i bërë portet e Shqipërisë sa më atraktive" , ka qenë deklarata konkrete e bërë nga ministri Haxhinasto lidhur me këtë çështje. Duke hedhur poshtë në këtë mënyrë, gjithë “euforinë” e deklaratave të ish-qeverisë “Berisha” për një dhuratë të tillë ndaj palës kosovare, duke i siguruar asaj kësisoj daljen e dëshiruar në det, të cilën e Kosova e ka humbur në fakt që në vitin 1913 kur u nda nga Fuqitë e Mëdha, padrejtësisht nga trupi i atëhershëm i shtetit të ri  shqiptar. Një situatë kjo e aluduar në fakt që vite më parë nga mediat kosovare, sipas të cilave, porti i Shëngjinit nuk do të ishte asnjëherë i Kosovës, pavarësisht premtimeve e deklaratave të mëdha nga ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha, por edhe nga zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar. Sepse sipas tyre, që nga viti 2009, kohë kjo kur zyrtarisht ky port iu fal Kosovës, qeveria e Shqipërisë nuk ka bërë asnjë hap në realizimin e marrëveshjes për bartje të pronësisë nga qeveria e Shqipërisë në qeverinë e Kosovës. E duke shkuar më tej, me aludimin se vetë shteti shqiptar ka probleme të mëdha të pronësisë rreth portit. “Asnjë punë nuk është bërë rreth bartjes së pronësisë, por edhe përgatitjes së infrastrukturës së nevojshme ligjore për ta bërë një gjë të tillë”, citonin mediat kosovare rreth kësaj situate, duke shtuar se gjithçka rreth faljes së portit të Shëngjinit do të mbetej në nivel fjalësh. Gjë e cila mesa duket ka ndodhur dhe duhej të vinte qeveria e së majtës, e cila të nxirrte në shesh mashtrimin e madh që u bë me palën kosovare për gjoja dhuratën e Shqipërisë ndaj saj për portin e Shëngjinit. Dhe jo vetëm. Por për të çuar para me fakte konkrete bashkëpunimin politiko-ekonomik mes dy palëve tona. Mjafton të kujtojmë se veç nën qeverisjen e së majtës, vetëm pak muaj pas ardhjes së saj në pushtet, u zhvillua edhe mbledhja e e parë e përbashkët mes qeverive të dy vendeve tona, si shenja e parë simbolike e një bashkëpunimi konkret mes palëve dhe jo më të mbetura vetëm në aspektin verbal. Saktësisht, ka qenë data  11 janar 2014, kur kryeministrat Edi Rama dhe Hashim Thaçi kanë zgjedhur pikërisht Prizrenin për të krijuar lidhjen e re mes dy qeverive të tyre, duke zhvilluar mbledhjen e parë qeveritare të përbashkët mes dy vendeve. “Ky takim shënon një kapitull të ri për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin. Është momenti që marrëdhëniet tona të avancohen, afirmohen dhe kultivohen. Duhet të ecim në një të ardhme të përbashkët”, – u shpreh atëherë Thaçi. Kurse Rama nga ana e tij, u kujdes të theksonte se kjo që po bënin ata të dy nuk synonte aspak heqjen e kufirit mes dy vendeve, porse thellimin e një bashkëpunimi intensiv mes palëve. Ku ky i fundit do të pasonte më tej me nënshkrimin e marrëveshjeve të njëpasnjshme mes institucioneve respektive, si ato mes ministrive të turizmit për turizmin; për mbrojtjen apo edhe për sigurinë etj. Që të gjitha në funksion të një afrimiteti gjithmonë e më të ngushtë mes palëve, i cili së pari duket se vendoset pikërisht mbi “shinat” e komunikimit infrastrukturor siç janë hekurudhat, akset rrugore apo aeroportet, për të cilat pala shqiptare ka tashmë projekte konkrete me Kosovën. Të tilla si ai i një hekurudhe që do lidhë dy vendet tona dhe që thuhet se ka një kosto deri në 1 miliard euro. Për këtë të fundit, ka qenë vetë ministri kosovar i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, i cili tha se në mbledhjen e përbashkët të të dyja qeverive e cila do të mbahet në mars të këtij viti, do të arrihet marrëveshja për fillimin e studimit të para fizibilitetit, studim ky që pason përgatitjet e projektit.Kurse sa u përket mjeteve financiare për realizimin e saj, ai tha se qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, do të aplikojnë për fonde në kuadër të Kornizës Investive për Ballkanin Perëndimor.

“Parashikohet që projekti për pjesën e Shqipërisë është prej 800 deri një një miliard euro, për shkak se Shqipëria i ka 108 kilometra, kurse Kosova ka vetëm 17 kilometra. Kështu që pjesa më e madhe mbetet nga qeveria e Shqipërisë", ka sqaruar ai lidhur me këtë çështje.

 

 

11 janar 2014

 

Shqipëri-Kosovë, të dy qeveritë

u mblodhën bashkë në Prizren

 

Kryeministrat Edi Rama dhe Hashim Thaçi kanë zgjedhur pikërisht Prizrenin për të krijuar lidhjen e re mes dy qeverive të tyre, duke zhvilluar mbledhjen e parë qeveritare të përbashkët mes dy vendeve. “Ky takim shënon një kapitull të ri për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin. Është momenti që marrëdhëniet tona të avancohen, afirmohen dhe kultivohen. Duhet të ecim në një të ardhme të përbashkët”, – u shpreh atëherë Thaçi. Kurse Rama nga ana e tij, u kujdes të theksonte se kjo që po bënin ata të dy nuk synonte aspak heqjen e kufirit mes dy vendeve.

 

POZICIONIMI

 

Përfitimet e Kosovës

nga Porti i Shëngjinit

 

Porti i madh i Shëngjinit e vendos Shqipërinë në hartën e interesave ekonomike rajonale dhe më gjerë. Pasi ky port krijon mundësinë që një pjesë e rëndësishme e mallrave të cilat vijnë në Ballkan nga Evropa Jugperëndimore, Gjibraltari, Amerika, Anglia, Suezi, etj, të mos magazinohen më në portin e Gioia Tauros të Italisë apo në Pire dhe Selanik të Greqisë, por të përpunohen direkt në Europortin e Shëngjinit. Dhe pikërisht, ky port iu premtua, të paktën përmes fjalëve, palës kosovare nga qeveria “Berisha”, si një kombinim interesash dhe motivesh mes të dyja paleve. "Eshtë një vendim politik, por edhe ekonomik, sepse kërkesa ka ardhur nga sektori privat. Dhënia e daljes në det Kosovës do të forcojë ekonominë e saj, do të shtojë lidhjet mes ekonomisë së Shqipërisë dhe ekonomisë së Kosovës dhe të dy ekonomive me vendet e rajonit dhe vendet e tjera të Evropës. Veç kësaj, do t'i japë një rëndësi strategjike bregdetit shqiptar dhe do të rrisë konkurrencën me portet ekzistuese në rajon", argumentoi atëherë Zana Guxholli, këshilltare e ish-kryeministrit Berisha për ekonominë, lidhur me këtë projekt.

 

 

 

 

 

 

SHKARKO APP