Damian Gjiknuri: Të hapur për të diskutuar ndryshimin e sistemit zgjedhor
Zëvendëskryetari i Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Damian Gjiknuri, deklaroi se Partia Socialiste është e gatshme të diskutojë ndryshimin e sistemit zgjedhor, në kuadër të punës së komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore.
Në një prononcim për mediat pas ngritjes së komisionit, Gjiknuri theksoi se çdo propozim është i hapur për diskutim:
“Herën e fundit ne e ndryshuam sistemin zgjedhor bazuar kryesisht në kërkesat e PD-së, sepse edhe ndryshimi i formulimit dhe përbërjes së listës zgjedhore, një pjesë të mbyllur, një pjesë të hapur, është pjesë e sistemit zgjedhor. Ne jemi të hapur për të gjykuar çfarë do të jetë varianti më i mirë.”
I pyetur për mundësinë e depolitizimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Gjiknuri tha se nuk ka një opinion të formuar për këtë çështje, por theksoi se depolitizimi i administratës zgjedhore ka qenë një kërkesë e hershme e Partisë Demokratike.
Ne kemi arritur një formulë kompromisi në vitin 2020 me PD-në, fatkeqësisht nuk u realizua, por kemi një bazë të mirë solide. Ndërsa KQZ në vetvete është një organ në dukje i depolitizuar. Anëtarët e saj nuk hiqen dhe emërohen nga partitë politike, kanë një mandat të përcaktuar në ligj, kështu që puna e tyre funksionon në mënyrë të pavarur.”
Ai shtoi se, pavarësisht ndikimeve të mundshme politike, vendimmarrja duhet të jetë transparente dhe gjithëpërfshirëse.
KOHA JONË SONDAZH

